Adil Fetahu

Adil FETAHU: AMBASADORI GJERMAN E FSHIKULLOI DAÇIQIN

(Heusgen: “Miqtë tanë serbë po ia shkrepin vetës në këmbë… ata flasin shumë  për krimet e Shqiptarëve, por kurrë nuk flasin për krimet që i kanë kryer vetë: pastrimin etnik  dhe deportimin masovik të Shqiptarëve, në vitin 1998 dhe 1999)

                                                      *

Në video-seancën virtuale të Këshillit të Sigurimitt të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt më 21 tetor, në të cilën u shqyrtua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm, Guteresh, për punën e Misionit të KB (UNMIK) në Kosovë në periudhën 16 mars deri më 15 shtator 2020,- për t’u mbajtur mend ishte një kritikë e ashpër e ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë ndaj ministrit të Serbisë, por edhe ndaj ambasadorit të Rusisë në KB, i cili këtë muaj ishte kryesues i Këshillit të Sigurimit.

Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në stilin e tij të gënjeshtrave e falsifikimeve, bëri një varg akuzash kundër Kosovës, duke theksuar se “Prishtina” po e mashtron Serbinë dhe BE-në qe shtatë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e nuk e ka themeluar akoma atë bashkësi. Daçiqi lamentoi edhe për shumë çështje tjera: se KFOR-i po bashkëpunon dhe po patrullon rreth “linjës administrative” bashkë me policinë e Kosovës; se zyrtarët “e Prishtinës” kanë paralajmëruar zbatimin e shërbimit të obligueshëm ushtarak në kohëzgjatje prej tre muajsh, gjë që është për t’u brengosur dhe është në kundërshtim të Rezolutën 1244, pasi që vetëm KFOR-i është strkturë legjitime ushtarake në “Krahinë”;  se “Prishtina” po vazhdon fushatën e lobimit për njohje, përkundër marrëveshjes për moratorium njëvjeçar që u nënshkrua në  Vashington më 4 shtator; se ka rritje të numrit të incidenteve  kundër serbëve  dhe personat e zhvendosur nuk janë duke u kthyer në Kosovë “e Metohi”; se “Prishtina” po synon rishikimin e historisë, duke u përpjekur të përvehtësojë kishat ortodokse,- ka thënë Daçiqi, që është paraqitja e tij e fundit nga funksioni i diplomatit, pasi tash, pas zgjedhjeve të fundit në Serbi, ai është zgjedhur kryesues i Kuvendit të Serbisë.

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka folur për problemin e pandemisë Covid-19 dhe ndihmat që ka marrë Kosova për përballjen e kësaj pandemie. Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi që po zhvillohet në Bruksel dhe për rezultatin e arritur në Vashington.

Seanca virtuale e KS ka filluar punën me  gjysëm ore vonesë, për shkak se ambasadori rus, Vassily Nebenzia, i cili këtë muaj i kryeson mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, kërkoi largimin e simboleve (Flamurit) dhe të përfaqësueses së Kosovës nga platforma e Seancës.

Megjithatë, përfaqësuesja e Kosovës mori pjesë në seancën virtuale dhe që në fillim theksoi se duhet kuptuar që Kosova është një shtet krejtësisht i pavarur dhe sovran, aspak më ndryshe se shtetet e tjera dhe se ky realitet duhet të pranohet, sepse ky është bazë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo foli edhe për krimet e forcave jugosllave-serbe dhe spastrimin etnik dhe theksoi se populli i Kosovës kërkon drejtësi, kurse Serbia refuzon të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për të luftuar krimin, për t’i  gjykuar kriminelët dhe për t’i gjetur të zhdukurit.  Serbia po vazhdon fushatën kundër njohjes së Kosovës dhe po e keqpërdor kishën ortodokse për të krijuar destabilitet, ka thenë ministrja e Kosoves për punëe të jashtme dhe diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Kryesuesi ia ndërpreu fjalën përfaqësueses së Kosovës pa e përfunduar.

Më i drejtpërdrejt dhe më i ashpër në diskutimin e tij ka qenë ministri i jashtëm i Gjermanisë Kristof Heusgen (Cristoph Heusgen). Ai në fillim i bëri vërejtje kritike kryesusit të seancës, ambasadorit rus Nebenzia, pse ia ndërpreu fjalën përfaqësueses së Kosovës.  Jepni shansen ta përfundojë fjalën e saj, apeloi ambasadori gjerman. Për këtë vërejtje, kryesuesi i seancës “u arsyetua” se ka menduar që ajo e kishte përfunduar fjalën e saj dhe se ekrani “ishte ngrirë”. Pas   fjalimit të ambasadorit gjerman, kryesuesi i seancës ia mundësoi përfaqësueses së Kosovës vazhdimin e fjalës së saj. Ambasadori gjerman e kritikoi kryesuesin aktual të Këshillit të Sigurimit, edhe për atë se nuk e lejoi përfaqësuesin special të BE në procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak, që t’i drejtohet KS me një fjalë rasti për këtë proces.

Duke reaguar ndaj fjalimit të Daçiqit, ambasadori gjerman u shpreh se: “Përfaqësusit e Serbisë flasin shumë për krimet e Shqiptarëve, por kurrë nuk ka dëgjaur prej tyre të flasin për krimet që janë kryer kundër Shqiptarëve në vitin 1998 dhe 1999, kur bënë pastrimin etnik dhe deportimin masovik të Shqiptarëve. Kur dëgjoj fjalimin e përfaqësuesit të Serbisë, kam përshtypjen se është “copy paste” (kopje) e fjalimit të tij të mëparshëm”. Duke folur për fushatën serbe kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ambasadori gjerman tha: “Miqtë tanë serbë po ia shkrepin vetes në këmbë. Sepse, nëse ata duan të hyjnë në Bashkimin European, duhet ( bile edhe vet,v.j.) të mundohen që Kosova të njihet prej të tjerëve dhe vet ata ta njohin, sepse njohja e Kosovës është kusht që Serbia të pranohet në BE. Moszgjidhja e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet burim tensioni jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin”, ka theksuar ambasadori gjerman, Kristof. Ai foli edhe për  Gjykaten Speciale, si segment i rëndësishëm i sundimit të së drejtës dhe përfundimit të mosndëshkimi, dhe përshëndeti vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, nën patronatin e BE.

Në atë seancë virtuale të Këshillit të Sigurimit është folur edhe për çështje tjera, me theks të veçantë për problemin e pandemicë Covid-19,por edhe për Kosovën dhe marrëdhëniet me Serbinë.

Përfaqësuesi I Britanisë së Madhe,, Thomas Phipps ka kërkuar të rishqyrtohet roli i UNMIK-ut në Kosovë, sepse situata tash është krejt ndryshe kundrejt asaj të vitit 1999, kur e ka filluar mandatin. Ai përkrahu vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, nën patronatin e BE-së dhe e ka përshëndetur përparimin e  të dy palëve, të arritur në Vashington. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për stabilitet dhe përparim, ka thënë përfaqësuesi britanik dhe ka kërkuar që zyrtarët e të dy palëve të përmbahën nga retorika e cila i fyen familjet e viktimave të luftës. Ai përkrahu fuqishëm sundimin e së drejtës dhe punën e Gjykatës Speciale.

Përfaqësuesja e ShBA-ve, zëvendësja e ambassadorit amerikan në ShBA, Çerit Norman e ka vlerësuar si ditë historike kur kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, dhe kryetari I Serbisë Aleksandar Vuçiq,  nënshkruan në Vashington marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe i lavdëroi të dy për guximin e treguar. Ka thënë se ShBA-të do të vazhdojnë t’i kurajojnë të dy palët që të arrijnë marrëveshjen për stabilizimin e marrëdhënieve, që është me rëndësi kyçe për rajonin. Normalizimi i plotë i marredhënieve është  qëllim i përbashkët i ShBA-ve dhe BE-së. Ka shprehur besim të plotë ndaj Gjykatës Speciale.  Ndërsa për  UNMIK-u,  ka thënë se e ka kaluar rolin e tij origjinal,  si mision i ruajtjes së paqes në Kosovë dhe në rajon,  dhe i ka propozuar  Këshillit të Sigurimit ta rishqyrtojë atë dhe resurset e kufizuara paqëruajtëse t’i orientojë atje ku janë më të nevojshme.  Ajo gjithashtu bëri apel që Këshilli i Sigurimit ta rishqyrtojë   rolin e UNMK-ut në Kosovë dhe të merr hapa në këtë drejtim.

Edhe ambasadorja e Francës ka vlerësuar se njënga  sfidat kryesor të Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Marrëveshja përfundimtare dhe gjithpërfshirëse, juridikisht e obligueshme, është parakusht që Serbia dhe Kosova t’i bashkangjitën  BE-së. Ajo e ka përshëndetur vazhdimin e dialogut midis Prishtinës e Beogradit, me porosinë se Franca është e bindur se të dy palët kanë të ardhme të përbashkët europiane.

Përfaqësuesi i Rusisë dhe ai i Kinës konsiderojnë se roli i uNMIK-ut për ruajtjen e paqes në Kosovë është i pazëvendësueshëm!

Kështu, këtë muaj sa e kryesoi Këshilin e Sigurimit përfaqësuesi i Rusisë, Daçiqi për herë të fundit në atë forum shfryu kundër Kosovës dhe Shqiptarëve, por mori një goditje fshikullimi nga ambasadori gjerman, Heusgen, që do ta mbajë mend për një kohë të gjatë.

Ne mediat serbe, komentues të shumtë shprehen në mënyrën më vullgare dhe fyese edhe kundër ambasadorit gjerman, por akoma më  tepër kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Bie në sy, se jo vetëm mediat dhe komentuesit e shumtë, por edhe vet zyrtarët e Serbisë, kur flasin për Kosovën, kurrë nuk mund t’i “përbijnë” termat adekuate, por i përdorin: “Prishtina”, “Krahina”, “Kosovë e Metohia”, “e ashtuquajtura Kosova”, e të tjera si këto, nga frika se po ta quanin Kosovën me emrin e saj zyrtar, të njohur ndërkombëtarisht, mos po e pranojnë si shtet!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …