Agim Vuniqi: Një formë e re e votimeve

Pretendimet e mëhershme e Grupit të ashtuquajtur Grupi i Unitetit se pavarësisa është e gatshme, është edhe një sprovë shumë e dëmshme e kapitullimit të tyre politik. 
Ata me kokëfortësi vazhduan avazin e vjetër, që nga takimet e Vjenës, por edhe më vonë, duke bërë tregti me të ardhmen e Kosovës. Ata në fakt ishin vetëm një grup që harxhon parat e buxhetit të Kosovës, duke “rrezatuar” me vlerat e shprehjes së dëshirave. Çuditërisht ata pa asnjë fije përgjegjësie vazhdimisht mashtrojnë qytetarët, por edhe kuvendarët e instaluar partiakë, që janë bërë zejtarë të përkryerë të ngritjes së dy gishtrinjëve. 
Që nga fillimi ishte shumë i paqartë, instituconalisht, domethënja e këtij grupi që shprehë “unitetin” partiak, jo atë institucional. Kjo zatën përmbyllë edhe kaptinën e deinstitucionalizimit me vetë faktin se ata, as sipas Kornizës Kushtetuese, as sipas procedurës për emërim, nuk janë gjë tjetër veç një kombinim i panevojshëm joinstitucinal, prishje e rendit të një vendi që pretendon të organizohet në të ardhmen si shtet. 
Nuk ka ngjarë në asnjë vend të botës ky rreshtim i pozitës-opozitës, dhe është degradim i plotë i institucionalizimit në Kosovë. Nëse votuesit patën shprehur preferencat gjatë zgjedhjeve duke votuar për përfaqësuesit e tyre, pse atëhërë nuk u votua edhe ky hibrid mbinstitucional, që më tepër ka elemente të dekompozimit institucional, shumë i ngjashëm me tribalizimin, apo kjo do të ripërsëritet edhe me zgjedhjet e ardhëshme-asgjë nuk ka ndryshuar në pjesën e epërme të listave të njëjtit njerëz, të njëjtit dështakë. 
Pavarësia veç që s’ ka ardhur se të tjerat vijnë në radhë, do të jetojmë në vend dëshirash, vetëm kërko diçka dhe e ke të servuar, bile kënaqësitë janë në rritje, përditë premtime të parreshtura, “përshëndetje dhe urime” nga kandidatët që garojnë për pushtet. Po lexoj gati çdo ditë kandidatët për prefekt të Prishtinës dhe nuk më ngjallin ndonjë emocion, ngase shumë më heret kam ndjerë fjalë të mëdha dhe premtime në vazhdimësi, përpara për pavarësi tash për qytet metropol, dhe ndryshime marramendëse, me çka? “Bie fylli qiftelia natën deri vonë”, bile po më vejnë në mendime e në dilemë: se shqiptarët nuk janë të sinqertë dhe nuk dijnë çfarë flasin, apo aq shumë ua ka mpirë mentë pushteti dhe flasin dokrra. Për kuriozitet asnjëherë nuk u dëgjua asnjë fjalë e shprehjes së paknaqësisë për rrjedhat e deritanishme të bisedimeve të dështuara, nuk u dha asnjë vërejtje në propozimin e ndërkombëtarëve për dëmet që do të pasojnë në të ardhmen për qytetarët e Kosovës. Deri më sot politika zyrtare e Prishtinës dhe diletantët politikë ishin vetëm zëdhënës të zbehtë të projektit ndërkombëtarë, bile paten filluar edhe kalkulimet kaliguliane për emërimin e ambasadorëve. 
Sado që të jesh liberal, por edhe dhe përkrahës i konstitucionalizmit, me dëshirë patriotike për të përkrahur këtë qeveri, vështirë se gjen shqiptar ta ndjej veten krenar që jeton në Kosovë, sidomos në këto kushte të një mungese të theksuar të energjisë elektrike, të një jete tejet zhgënjyese, të një mashtrimi të madh nga klasa politike e të gjithë krahëve, pa asnjë dallim. 
Nuk dallon dot ku fillon njëri krah e ku mbaron tjetri, me kë është ky apo ai deputet, kë përfaqeson, janë për interesa të veta, të partisë që kryeson apo interesa të kamufluara me nje “çarqaf demokratik”. Fiskultura apo kthesat që do të bëjnë pretenduesit e ardhshëm duke u zgërdhirë mu para fytyrës së elektoratit, të shtyjnë të mendosh a janë vërtetë në mend apo janë të halucinuar, ngase në të gjitha rastet bien ndesh me interesat e atij elektorati që i ka votuar. Më heret bërtitnin plotë gërmazë për një “elektorat” para të cilit betoheshin natë e dite se e “përfaqësojnë”, por në të vërtetë e kanë tradhëtuar; nuk u bëjnë përshtypje dhe i kalojnë si pa gjë të keq në tjetrin. 

Fatkeqësisht vendi shkon në fundosje, ku krimelët dhe uzurpatorët për çdo ditë ia ngushtojnë hapësirën demokratike (term shumë i përfolur dhe degraduar skajshmërisht) të ardhmes së vendit dhe të qytetarëve. Aq shumë lëndë të pazgjedhura pronësore janë grumbulluar në gjykata dhe aq shumë punë të pabëra në ekzekutim nga policia, saqë është krijuar bindja se në Kosovë nuk ka ligj, dhe është një anarki e plotë institucionale, dhe dita më ditë Kosova po sharron në ujërat e krimit. 
Edhe sa kohë do të duhet që këtë ta kuptojnë qeveritarët, se krimi i organizuar është gangrenë e pavarësisë së Kosovës. Thjesht jeta në Kosovë është bërë e pamundur, këtë për çdo ditë e kuptojnë ata qytetarë që detyrimisht paraqiten para sporteleve të gjykatave dhe të policisë, për të kërkuar drejtësi. Athua si duhet të emërohet kjo “pavarësi”, me shumë begati për drejtuesit e institucioneve në të gjitha nivelet, ku krimi dhe hajnia shpërblehet, ndërsa drejtësia përdhoset skajsmërisht. Sigurisht që qytetarët e shumëvuajtur të Kosovës këtë nuk e kanë merituar, por as nuk kanë besuar asnjëherë që janë të detyruar të jetojnë në “oazën” e krimit dhe të papërgjegjësisë institucionale. 
Si nuk u gjet ndonjë deputet i ketyre “kthesave demokratike” të shkojë tek elektorati që i ka votuar dhe ta kërkojë mendimin për qëndrimin që duhet mbajtur në situata të caktuara në Kuvend, duke thënë troç: -“une jam këtu të mbrojë interesat e qytetarëve”. Pra, kemi të bëjmë me politikanë të papërgjeshëm, mashtrues e gënjeshtarë, që shumë, shumë, përfaqësojnë vetëm interesat e ngushta të një grupi interesash, se në Kosovë nuk ka parti politike, ngase asnjëra nga to nuk ofrojë ndonjë program politik për ndryshime, bile as që u morën me shifra, vetëm intervista dhe fjalë, e çfarë të thuhet kur aq shpejt u përgatitën listat për zgjedhje, u rirreshtuan të njëjtit ministra, pa fije morali politik. Sillni në kujtesë qëndrimet e ditëve të fundit të atyre që qeverisin dhe të atyre që gjoja bëjnë opozitë. 

Kandidatët me gojë të hapur deri në vesh dhe duke u “zgërdhirë”, u kumtojnë qytetarëve, se Prishtinën do ta bëjnë metropol. Hajde merre vesh, ku e kanë hallin qytetarët që ua kërkon mandatin për qeverisje e ku u rreh atyre. Liderët partizanë kujtojnë sa herë që të dalin para kamerave dhe flasin profka, “jo po vjen pavarësia, “jo s’po vjen se ne do e shpallim”, jo tash nuk bën, por më vonë, jo se jemi në partneritet dhe partnerët nuk kanë sugjeruar, dhe tash duhet të presim “partizanët” tanë, deri sa të japin ndonjë datë pastaj të shtyhet përsëri, e pastaj prap do vazhdojë gjumi pa ditur sa me flejtë e ku flejtë, duke i qetësuar shqiptaret si foshnjet se “po erdhi pavarësia”, do shtohet energjia elektrike, uji, do rriten rrogat, pensionet etj etj. 
Ky është një zbulim i madh si të qetësohen qytetarët, “mos bëzajë se pastaj pavarësia na del doresh”, mirë de kemi filluar të kuptojmë se nuk duhet ngutur, deri zbulohet edhe ndonjë projekt tjetër dhe të “shtrydhen” mjetet publike, dhe për ju as nuk ka ligj as nuk ka marre, jeni të paprekshëm. 
Këta pushtetarë mashtrues nuk ndiejnë asnjë përgjegjësi për këtë gjendje katastrofike që ndodhet Kosova, para ca ditësh një minister i “spikatur” dënohet për falsifikim dokumenti me 300 euro, ai e quan qesharak dënimin e gjykatës dhe vërtet ka të drejtë plotësisht, faturën do e paguajë qeveria, e cila edhe ashtu buxheton gjykatat. 
Sikur këta liderë t’u thoshnin zgjedhësve ” na votoni,ne do te bashkëpunojmë edhe me Serbinë per t’u pavarësuar” edhe atëherë do të mbahen në pushtet ” a mendoni se nuk do të votohen ? Tani që bashkëbisedojnë (bashkëpunojnë) haptaz e fshehur me të (“Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë”), kanë sy e faqe te dalin para elektoratit të tyre? Fatura politike që ata do të paguajnë, nuk do të vonojë, por hapat prapa të Kosovës kush do t’i paguajë? 
Sesa janë demokratike dhe serioze zgjedhjet e nëntorit ua bëri me dije kuvendarëve ambasadori Vnend se OSBE dhe KQZ kanë bërë që fletët e votimit mund të shkarkohen nga web faqja e KQZ-së, dhe se ato edhe mund të kopjohen “një formë e re e zgjedhjeve” që vlen për të joshur serbët, e pse mos të shkohet edhe me ndonjë plan rezervë zgjedhor, të votohet përmes internetit dhe nëpër forume lexuesish, por edhe përmes “messenger-it”, dhe sipas tij këto zgjedhje po mbahen jo pse Kosova nuk ka një sistem demokratik, por pse mandati i Kuvendit të Kosovës dhe kuvendeve komunale po skadon.

Kontrolloni gjithashtu

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, në Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë,  në fshatin Berishë, qëndroi  për një vizitë, …