Mehmet Bislimi: CARLA DEL PONTE FSHEHU DOKUMENTET

Kryeprokurorja e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës për krime lufte, z. Carla del Ponte përsëri në Beograd!?

Sipas gazetës kroate “ Jutarnji list “, bëhet e ditur se prokurori i Tribunalit të Hagës në gjykimin kundër kryekriminelit Millosheviq, Goeffrey Nice, pasi që është konstatuar se Serbia vetëm në mënyrë indirekte është përgjegjëse për krimet në Srebrenicë, e ka akuzuar Carla del Ponten se në marrëveshje me Beogradin i ka fshehur dokumentet të cilat do të dëshmonin lidhjet e Serbisë me gjenocidin. 
Edhe një fakt më shumë që tregon se më nuk është në pyetje vetëm “ paaftësia “ e saj për të detyruar Qeverinë e Serbisë që t’i kapë kriminelët e luftës, por edhe animi i saj skandaloz proserb! 

Në bienalin e pesëfishtë të mos asgjëbërjes, të mos arritjes dhe të mos realizimit të as një suksesi rreth kapjes së kriminelëve për krime lufte, të të “ shumë kërkuarëve” Karaxhiq e Mladiq , i zgjatet mandati deri në fund të këtij viti edhe një herë, një figure të dështuar në rolin e saj të ngarkuar kot e kot, për kapjen dhe vënien para drejtësisë ndërkombëtare të këtyre dy kryekriminelëve! Kjo zgjatje, me gjithë plogështinë e saj zvarritëse që e përcolli gjatë një mandati të tërë, si duket ka të vetmin qëllim që zonja Carla të mos bëj asgjë, pra të vazhdojë si deri më tani, sipas maksimës “Ngreh e mos këput! ”, të vazhdojë rrugën e dështimit, ku fshihet qëllimi i mos realizimit të arrestimit të kriminelëve të luftës në fjalë! Ndryshe, deri me sot as nga bashkësia ndërkombëtare, por as nga vetë kryeprokurorja nuk kemi dëgjuar ndonjë kërkesë a propozim, që Qeverisë së Serbisë t’i vihen sanksione diplomatike, ekonomike, kulturore, apo tek e fundit edhe sportive për derisa nuk i dorëzon të shumëkërkuarit në Tribunalin e Hagës, madje nuk kemi as qëndrim akuzues kundër shtetit të Serbisë për mos dorëzimin e tyre. Nga ana tjetër vet prokurorja Del Ponte, pati akuzuar disa herë UNMIK-asit në Kosovë, gjoja për mos bashkëpunim me Tribunalin e Hagës në një kohë kur i kishte në dorë edhe Limajn me shokë, po edhe Haradinajn më vonë, madje të vetdorëzuar vullnetarisht, kundër të cilit ajo nuk ngurroi të shpreh gjuhën e saj përbuzëse, fyese dhe tejet denigruese me rastin e fillimit të gjykimit. 
Ishte deklarata gënjeshtare, apo Carla e vetgënjyer, kur në muajin qershor të këtij viti zonja në fjalë, entuziazmuar nga pritja e ngrohtë që iu bë në Beograd, në raportin e saj të rregullt që ia paraqiti Këshillit të Sigurimit në New York, tha se qëndrimin e Qeverisë së Serbisë e sheh me simpati për shkakun e gatishmërisë së kësaj të fundit për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës! Madje ajo shkoi edhe më larg, sa shtoi pa hezitim preferencat e saja të pagrimosura se “do të ishte mirë që vendimmarrja për statusin e Kosovës të shtyhet për më tej”! Gjithnjë me arsyetimin e paqëndrueshëm se kjo do të ndikonte negativisht në bashkëpunimin e Qeverisë së Serbisë me Tribunalin e Hagës! Nuk e kemi të qartë se tani ( pas shtyrjes së statusit të Kosovës ), zonja Carla del Ponte, si do ta fshehë simpatinë për Qeverinë e Serbisë e cila as që ka qarë fare kokën për simpatinë e saj absurde! Kështu duke mos e marrë as më të voglin mundim që të arrestojë të shumëkërkuarit, madje kohët e fundit duke i aktualizuar kërcënimet kundër Kosovës, dhe atë fare hapur e me një luftë të re. Kjo u dëgjua nga vetë kreu i shtetit të Serbisë siç janë kryetari Tadiq dhe kryeministri Koshtunica, në thirrjet e tyre publike për luftë dhe krime të reja në Kosovë, mu në zemër të Evropës!… 

Kjo figurë, tashmë e konsumuar pranë kësaj gjykate, të cilës në vazhdimësi i ka munguar vizioni dhe dëshira për realizimin e qëllimit final të kapjes së kryekriminelëve të luftës, siç janë Mladiq e Karaxhiq me kompani, në ecjet e saja të lodhura, që nuk përballuan dot ritmin e zhvillimit të ngjarjeve në kohë, sikur u bë e gjallë që të dalë edhe me ndonjë prononcim shterpë dhe provokues, apo edhe me ndonjë simpati të re për Serbinë, pasi që të ketë arritur edhe një herë në Beogradin zyrtar.
Kufizimi i saj vetëm brenda kornizës së prononcimeve, dëshmon edhe një herë dështimin e argumentuar të mungesës së guximit për të vënë ligjin në funksion të plotë për ndarjen e drejtësisë nga politika! Stili “heq e mos këput”, ka rezultuar me devijim nga rruga e qëllimit parësor për t’i dhënë kuptim fuqiplotë nocionit drejtësi, në mos kishte vetë devijimin si qëllim parësor, në mënyrë që nocioni drejtësi të zbehet deri në përçmim?! 
Askujt nuk i lejohet që të shtrembërojë konceptin në rolin e politikës mbi gjyqësinë dhe drejtësinë, por as të kundërtën, qoftë ajo edhe vetë zonja Carla del Ponte! Parimet e drejtësisë janë universale, unike, të pacenueshme, të plotfuqishme dhe të barasvlershme. Njëanësimi, keqinterpretimi dhe keqkonceptimi i tyre, bënë që besimi në ndarjen e drejtësisë (aq më keq të drejtësisë ndërkombëtare), të zbehet e luhatet keq. Në fakt, gjatë këtyre tetë viteve të sundimit të këtij ligji në Kosovë, ka pasur jo pak luhatje dhe mbresa keqlënëse. Një trend i tillë në rritje, fatkeqësisht po vazhdon edhe sot e gjithë ditën, edhe pse nuk do të duhej të ndodhte kështu sepse atje ku shtrembërohet ligji i ndarjes së drejtësisë, zhgënjimi vret keq. Kjo nuk do duhej të ndodhte. Flamuri i drejtësisë ndërkombëtare sikur ka filluar të skuqet në raport me ndëshkimin e veprave kriminale që aparati ushtarak serb i ka bërë në Kosovë dhe Bosnjë, e për habinë tonë dhe tërë opinionit përparimtar ndërkombëtar, shteti serb, këto ambicie të sëmura i ka aktualizuar pa i fshehur fare!..

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …