leoni

Agim Vuniqi: Nuk ka më premtime…

 


Edhe pse gjatë luftës shumica nga ta kishin shkelur malet e Kosovës, tash ata ishin shumë afër me zgjedhësit, bisedat ishin shumë më të përafërta dhe dëgjoheshin bashkërisht të rrahurat e zemrës dhe lirimi i avullit gjatë frymëmarrjes. Nuk u përbuz votuesi duke u soditur nga dritaret e errëta të veturave luksoze.

Humbën ata që nuk patën ide për zgjedhësit, fushatën e udhëhoqën me ceremoni mortore, me ikonografi politikisht dhe praktikisht shumë religjioze, ashtu ata varrosën politikën e themeluesit të kulturës dhe filozofisë paqësore ndër shqiptarë, kryetarit shumëvjeçar Dr. Ibrahim Rugovës. Vota i ndëshkoi rreptë murgjit politikë, ata meditonin, i besonin fatit të fallxhiut duke pirë qaj dhe duke lozur “kapuças” duke qenë të bindur shumë se do të vazhdojë të mos shkëputet, hierarkia vertikale zingjirore, e sajuar si filozofi religjioze e pasuesve trashëgues, por doli gabim.
Votuesit si duket nuk janë aq shumë religjioz, paganizmi ka rrënjë të thellë në mbamendjen dhe kulturën e tyre.
Votat ua shkëputi ai që ofrojë punë, por edhe bereqet pas zgjedhjeve, afaristi shqiptar Behxhet Pacolli.
Realisht ai nuk kishte ndonjë program politik, realist, por nuk kishte shpalosur konkretisht as atë ekonomik, ngase zgjedhjet mbaheshin në Kosovë e jo gjetiu, së paku bile të përmendte pasurinë nëntokësore të Kosovës, por ai komunikonte shumë njerëzishëm me votuesin, bile gjeti kohë në vlugun e fushatës t’i vizitojë dhe të jap infuzion financiar në dy tri raste familjeve të goditura shqiptare, por edhe të vizitojë xhematin nëpër xhami, pastaj familjen Uka, pastaj vizitoi banorët në ndërtesën e pakryer…
Ai e ndjeu se premtimi më i prekshëm për votuesin është puna dhe punësimi, aty qëndron edhe mirëqenia, sa do tu përmbahet premtimeve mbetet të shihet, por nuk ka lojë më me qytetarët. Ata kanë rikthyer guximin dhe dinë të ndëshkojnë, kjo u pa edhe nga pjesëmarrja shumë e ultë e tyre në zgjedhje. Shqiptarët përfundimisht ndëshkuan mbrapshtitë e koalicionit qeverisës. Tani është kjo fitore e “të rebeluarëve”. Si duket këta kanë kuptuar nga zgjedhjet e mëhershme se nëse nuk përmbushin premtimet, vjen shpejt dita e ndëshkimit. Nuk ka më blanko fitore.
Humbësit e 17 Nëntorit tregoheshin shumë të rehatshëm në vlerësime, ata ndiheshin shumë favorit në krahasim me të tjerët, por edhe retorika zgjedhore ishte shumë mitike sidomos ajo e besëlidhjeve, në kohën e globalizmit dhe internetit. Nuk ishte pra as fushatë me karakteristika klasike të një oferte normale, por ishte më tepër ligjëratë e një ore nga historia, duke shfrytëzuar “rekuizite” nga historia si Besëlidhja e Lezhës, ajo e Prizrenit… Ata nuk donin të kuptonin se oferta e re me militant të vjetër, të përfolur për hajni, korrupsion e mashtrime tjera nuk shkon më në Kosovë.
Ky kampionat zgjedhor kërkonte lojtarë të ri dhe qasje të re.
Këtë e kuptoi më së miri PDK-ja, e cila përfundimisht ndërroi uniformën ushtarake dhe atë të kandidatëve me grada ushtarake. Thaçi për asnjë moment nuk ngurroi për të zbritur nga zyra dhe kolltuku në rrugën me baltë, për të biseduar me kalimtarët e rastit, për t’u njohur me problemet e tyre drejtpërdrejt.
Udhëtimi me autobus urban ishte një zgjidhje shumë simpatike e fushatës, kështu bile kandidatët konkurrues mësonin numrat e autobusëve. Edhe pse gjatë luftës shumica nga ta kishin shkelur malet e Kosovës, tash ata ishin shumë afër me zgjedhësit, bisedat ishin shumë më të përafërta dhe dëgjoheshin bashkërisht të rrahurat e zemrës dhe lirimi i avullit gjatë frymëmarrjes, nuk u përbuzë votuesi duke u soditur nga dritaret e errëta të veturave luksoze.
Përfundimisht humbi politika sterile, shterpe dhe e pamoralshme e koalicionit qeverisës. Janë zhgënjyese votat për partinë ORA, e cila si duket nuk ka ditur të prek sensin e votuesve, ka qenë gabim strategjik sidomos marrja me problemet e fshatit, gjatë fushatës. Nuk shkon parfumi ekstravagant me erën e ahurit, ngase shumë nga kandidatët e Orës as që kanë parë ndonjëherë “live” fërkimin e buallicave në puset e pakta të Kosovës. Kishte pra shumë demagogji gjatë prezantimit nga një parti që ka kandidat përfaqësuesit e zonave urbane, liderët e së cilës nuk kanë jetuar asnjëherë në fshat, por i kane vizituar ato shumë rrallë, zakonisht para zgjedhjeve.
Si duket komoditeti i favoritit shumë veta i la në prapaskenë, për t’iu kthyer jetës reale të qytetarit të Kosovës.
Rezultatet zgjedhore nuk do të ishin zgjedhje po të mos kishte befasi, si duket në grumbullimin e votave kanë luajtur rol të madh preferencat partiake, por edhe zonat rurale. Janë befasuese rezultatet në zgjedhjet në nivel lokal, dhe në atë të listave për kryetar të asambleve komunale, sidomos ato në Gjakovë, pastaj ato në Prizren, në Pejë, deri diku edhe ato në Prishtinë, ku kishte një ngritje të lartë të përfaqësuesve të AKR-së. Realisht është pritur që kandidatët e pavarur do të kenë një ngritje në vota, doli se fuqinë politike në Kosovë e kanë partitë, jo kandidatët.
Dosido, rezultatet e prezantuara do t’i mbajnë në ethe kandidatët për kryetar të asambleve duke i mbajtur “lidhur” për kutitë e votave, në rrethin e balotazhit. Realisht nuk mund të bëhen prognoza të sakta meqë elektorati në Kosovë është i paparashikuar. Si duket këto zgjedhje do të djegin politikisht shume kandidatë, që kujtonin se kontrata e punës e politikanit si profesion është e përjetshme.
Edhe pse shumica e tyre pësuan fiasko politike, shumë nga ata po i rikthehen jetës së rëndomtë të qytetarit, më të rëndë, për t’ia ndier kënaqësinë dhomave të nxehta me kaminë, që ua ndërtuan tagër paguesit, por edhe do të kenë kohë të mjaftueshme, që në qetësi të numërojnë përfitimet, që ua dhuroi pushteti. Do të kanë kohë të mjaftueshme të terin dhe të tymosin suxhuk dhe mish gjatë sezonit të dimrit, duke mos i lënë eksiq edhe më pozitat që patën, pagat mujore që do të vazhdojnë t’i marrin pa punuar gjë.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …