Agim Vuniqi: Qeveria e zgjedhur e Republikës së Kosovës çka bën ajo?

 


Shqiptarët në përgjithësi kanë një përvojë të hidhur me përfaqësuesit e popullit, kjo ngase në të kaluarën “përfaqësuesit” ishin të pa autoritet në rrethin ku jetonin, ata ishin vetëm një mekanizëm institucional për ta zgjatur kolonizimin në Kosovë, në të vërtetë shqiptarët në Kosovë asnjëherë nuk kanë qeverisur me veten, ata kanë zbatuar urdhrat e të tjerëve, ngaqë kjo ishte edhe gjëja më e lehtë për pushtetarët. Gjërat nuk kanë ndryshuar për të mirë, ngase uniformiteti partiak dhe njëmendësia dalëngadalë po ngulfasin “demokracinë” qytetare, së fundi u zhveshë edhe më tepër, jo vetëm me planin 6 pikësh të Moonit; u pa si u manipuluan qytetarët nga liderët e zgjedhur.
Terri fizik deri më tash u shkonte për shtati ngase fokusonin ndriqimin aty ku dëshironin, tani në vend të çirrjes kanë frustruimin ngase nuk mund t’i realizojnë dëshirat me taktin “uluni” “ngrituni”, “gishtat larte” “gishtat poshte”, “duam Euro”, “nuk duam përgjegjësi”. Karnevali më i gjatë në botë ai i heshtjes dhe dëgjimit duhet të përfundojë.
Kosova ka nevojë për ata që kanë guxim politik ta udhëheqin, ka nevojë për një politikë të qartë shtetërore e jo për dëgjueshmëri abstrakte. Çështja nuk qëndron vetëm në votat e fituara, ato shprehin vetëm preferencat e elektoratit që ka votuar, por, ku janë ata që nuk votuan, edhe ata kanë të drejtat e tyre qytetare. Puna ekipore dhe kooperativiteti janë vlerat qenësore të shoqërisë, bile edhe vetë organizimi i sistemit edukativ dhe shkollor është i mbështetur në këto vlera në shkollimin amerikan, atëherë pse dikush dëshiron qëllimisht t’i përbalton vlerat e njëmendëta të demokracisë.
Për të ndryshuar gjërat duhet të angazhohet edhe elektorati, ngase përgjegjësia e tyre nuk ka përfunduar me futjen e votës në kuti, përgjegjësia e tyre është edhe të bëjnë revokimin e kandidatëve nëse nuk përmbushin premtimet, përmes formave të ndryshme qytetare të presionit, sidomos atëherë kur nga ata nuk zbatohet kushtetushmëria . Meqë shteti i Kosovës nuk është duke funksionuar akoma, duhet rrumbullaksuar kërkesat legjitime të qytetarëve por edhe projekti transparent për realizimin e tyre.
Çështja e ardhmërisë së Kosovës nuk është vetëm e LDK-së, AAK-së, PDK-së, e AKR-së…, është e të gjitha kategorive të popullit, e studentit, e besimtarëve mysliman e të krishterë, e punëtorëve, e nxënësve, e puthadorëve, e të ndershmëve, e policëve, … e të gjithë atyre që paguajnë taksën shtetit të Kosovës, pa përjashtim, të përkëdhelur si gjithherë janë serbët. Kosovës pra i duhet një qeverisje ndryshe e mbështetur vetëm në vlera të dëshmuara profesionale dhe kombëtare.
Kësaj drame duhet t’i gjendet fundi, lehtë e kanë ata që lavdërohen me kravatat dhe shallet e tyre, ndërsa pjesa tjetër e popullatës i druhet të ftohtit, e dimrit, pse baballarët tanë që kanë punuar me dekada të mbesin pa pensione(?), dhe pse invalidët e luftës të mbështeten në mëshirën e kohës; atyre duhet siguruar puna. Nuk duhet lejuar të vjen koha që përfaqësuesit ta provojnë hidhërimin e energjisë popullore, ngase nuk do te dinë më vonë ku i kanë kravatat e shallet, nuk duhet lejuar që hidhërimi popullor të shpërthejë jashtë parlamentit, ashtu siç po ndodhë në Greqi, ngase rruga jashtë kësaj do te jetë e hidhur për të gjithë, tash dhe në të ardhmen. Parlamentarë pra mendohuni a është më e vlefshme Kosova apo xhepi juaj i pafund?

Për të kaluar përfundimisht testin e pjekurisë se Kosova është e gatshme të qeverisë me resurset e veta, këtë duhet ta dëshmojë qeveria aktuale. Ndoshta nuk është edhe keq që qeveria të shtojë bashkëpunimin me institutet e pavarura shkencore për të kaluar nga faza deklarative në atë konkrete, për të profesionalizuar shërbimet në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Sigurisht që kjo do të efektivizonte edhe punën shkencore kërkimore në universitet duke i shtyrë pedagogët që më shumë të mendojnë për punë konkrete dobiprurëse dhe njëkohësisht fitimprurëse sesa të merren me ciklin e ligjëratave shterpe, aspak të dobishme për studentët.
Nuk e shoh aspak të arsyeshme ekskomunikimin e universitetit dhe pedagogëve nga angazhimi i tyre permanent në hartimin e projekteve orientuese të zhvillimit tekniko-teknologjik të Kosovës, duke u mundësuar investitorëve lokalë një qasje më të moderuar të zgjedhjes, sesa të dyfishimit apo trefishimit të kapaciteteve ekzistuese, pa ndonjë rregull të caktuar, ku më pastaj shprehen dukshëm efektet negative në afarizëm. Neglizhenca e tepruar në këtë drejtim do të shtojë kokëdhembjet në të ardhmen ngase Serbia nuk është tërhequr nga synimet për destabilizimin e Kosovës. Kjo do të vërehet sigurisht më vonë, meqë Evropa veç i ka lënë të hapura dyert për të. Ka një dozë skepticizmi se në procesin e mëtejmë të privatizimit Serbia do të aktivizojë të gjitha mundësitë edhe përmes lobimit financiar të shumë biznesmenëve të Kosovës, të cilët janë të hapur për të gjitha solucionet vetëm për të përfituar sa më shumë.
Është për çudi si çështjet administrative që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe kapitalit, dhe arsyeshmëria ekonomike për zhvillim po pengohet. Çfarë kuptimi ka decentralizimi kur nuk është kryer regjistrimi i popullatës, nuk është bërë regjistrimi i pronës së patundshme, dhe si po skicohen parcelat kadastrale nëse me shumë nga librat kadastral nuk disponon Kosova. Procesi i regjistrimit është shumë i rëndësishëm meqë saktësohet përbërja etnike e popullatës, definohet çartë prona private, meqë janë bërë shumë ndryshime sidomos gjatë shitëblerjes së pronës dhe shtëpive, dhe pretendimet për ndarje territoriale tash në këtë fazë pa u përcaktuar definitivisht të dhënat reale statistikore, përligjin tendencat që do të tensiononin situatën e sigurisë ne Kosovë. Para çfarëdo konkluze politike duhet të pranohet realiteti i tanishëm në terren apo “real politic”.
Duhet të fillohet nga zgjidhja e problemeve jo nga pshtjellimi dhe krijimi i problemeve të reja. Në praktikë problem i pazgjidhur është Mitrovica, këtu fillon zgjidhja e problemit, është shumë e pakuptimtë të zhvillohen bisedime të mëtejme kur për qeverinë është mbyllur Ura e Ibrit, dhe nuk ka kalim për shqiptarë në anën tjetër, për çfarë decentralizimi atëherë bëhet fjalë kur pala që bëri krimin u shpërblya. Në Mitrovicë pra po instalohet përfundimisht përfitimi nga strategjia e luftës “Toka e djegur”, serbët pra po realizojnë dhe po përfitojnë haraçin edhe pse humbën luftën. Kufijtë politikë të Kosovës dihen që moti, ata ishin të përcaktuar edhe me Kushtetutën Federale të ish- Jugosllavisë dhe atë të Kosovës të 1974-ës, me kushtetutë ishte e skicuar edhe pasqyra decentralizuese e pushtetit Zgjidhjet parciale dëmtojnë në skajshmëri interesat nacionale te shqiptaro-kosovarëve, dhe dëmtojnë të ardhmen e tyre.
Ende është i freskët gjenocidi serb i Srebrenicës (Bosnja e Hercegovina pat paditur shtetin serb për gjenocid pranë Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së) i kryer përmes spastrimit etnik duke vrarë, masakruar dhe djegur popullatën boshnjake vetëm se ishte e një etniteti dhe religjioni tjetër, ndodhi pra Srebrenica zonë e mbrojtur nga OKB-ja, duke u ndjekur ushtarët holandezë që lanë peng popullin e Srebrenicës, pse nuk e bëri këtë Kosova nuk është qartësuar asnjëherë. Çka mund të presin qytetarët e Kosovës nga këto zgjidhje parciale, kur për fatin e qytetarëve vendosin herë UNMIK-u, herë EULEX në partneritet me qeverinë serbe. E qeveria e zgjedhur e Republikës së Kosovës çka bën ajo?

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …