Ago Nezhaj: Shkatërrimtarët

 


DJE


Shkatërrimi, kjo dukuri e kancerit organik të pushtetit, u shfaq si apoteozë e lajthitjes qysh në fillimet e para të qeverisjes së Partisë Demokratike me teorinë zero, me një qëndrim adhurues ndaj utopisë iluzore të shfarosjes së komunizmit. Polaku i mençur e i trishtë, Zhozef Koradi, e shpjegon mjaft qartë në romanin e tij  “Në syrin e Perëndimit”, se si në çdo kthesë të shoqërisë njerëzore pushteti bie në duart e: fanatikëve mendjengushtë dhe hipokritëve tiranë. Pas tyre u vjen radha gjithë dështakëve intelektualë mendjerritur. Këta do të jenë prijësit dhe udhëheqësit e kohës. Siç e shihni kam lënë jashtë loje batakçinjtë. Të ndërgjegjshmit e të drejtët, fisnikët, humanët e besnikët, vetëmohuesit e të zgjuarit edhe mund të fillojnë një lëvizje të tyre, por u ikën nga duart”. >>>


Dhe kjo odise e pushtetit, edhe pas 20 vjetësh nën siglën “demokraci”, provon mentalitetin shkatërrues të vlerave që janë arritur me mundin e djersën 50-vjeçare, të një populli të shumëvuajtur dhe të vetësakrifikuar. Po të kthesh kokën prapa e të shohësh autorët  në fillimet e demokracisë, flamurtarët e shkatërrimeve të uzinave, fabrikave, plantacioneve frutore, institucioneve historiko-kulturore, janë komunistët antikomunistë dhe bijtë e kuadrove të sistemit që u shemb.


Të vuajturit, të persekutuarit, të privuarit e sistemit, kanë treguar maturi, mençuri dhe vetëpërmbajtje, me divizën: të ndërtojmë, e jo të shkatërrojmë. Etja për pushtet është një ves që e kafshëron njeriun dhe që e mbërthen fort pas tij, duke e bërë një sëmundje organike. Shumë pushtetarë të sotëm kanë humbur dinjitetin njerëzor, duke provuar më së miri se gjaku dhe pushteti janë dehës. Ata për të mbrojtur piramidën e pushtetit të tyre pasuror, mohojnë çdo ndjenjë njerëzore dhe kryejnë akte që shëmtojnë jo vetëm mjedisin politik, por edhe atë shoqëror e kombëtar. Shqipëria trashëgoi një pasuri të lakmueshme, që po të administrohej dhe të shfrytëzohej me efektivitet, nuk do ndodhte tragjedia e asfiksimit të ekonomisë në tërë segmentet e saj.


Teoria famëkeqe për ta çuar çdo gjë në zero, shkatërroi uzina bashkëkohore si “Azotiku” në Fier, Uzina e Preçizionit në Korçë, Uzina e Telave në Shkodër, Fabrika e Llambave në Vlorë, katër fabrika çimentosh, në Shkodër, Fushë-Krujë, Elbasan dhe Vlorë,(sot ndërtojmë fabrika të reja çimentosh për afera korruptive) e shumë e shumë fabrika të tjera, që ishin rentabël jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport dhe zinin fuqinë punëtore në punë. Strategjia e shkatërrimit kishte synime të largëta, që vazhdojnë edhe sot, e do vazhdojnë edhe në të ardhmen. Me shkatërrimin e uzinave e fabrikave të vendit, nevojat e popullsisë u plotësuan duke marrë mbeturinat e Europës, që kishin mbushur magazinat me stoqe disavjeçare. Ky profil u ndoq edhe në sektorin e bujqësisë, që kishte arritur në shumë kultura, rendimente në parametrat e vendeve më të zhvilluara perëndimore. Mjafton të sjellim në kujtesën vizuale plantacionet me agrume e ullinj të Lukovës prej 1000 ha, një vepër unikale, monumentale, që befasonte çdo vizitor të huaj, Jonufrin e Vlorës, bllokun e fiqve në Berat prej 800 ha, më i madhi në Ballkan, vreshtin në Shtoj të Shkodrës 750 ha, blloqet me mollë në Korçë e Dibër, e shembuj të tjerë pambarim.


Të gjitha këto vepra gjigante u kryen me punën e papaguar të rinisë, një punë prej skllevërish, por një pasuri kombëtare. Ato u shkatërruan jo rastësisht. Ishin interesat e fqinjëve, që agrumet të vijnë nga Greqia, molla e rrushi nga Maqedonia, por nuk mbahet me miell hua shtëpia. Kjo masakër ndaj natyrës, me dorën e njeriut “demokrat” duke prerë pemët frutore, se degët e tyre ishin të ngarkuara me fruta “me ideologji komuniste”, është një parodi e radhës, në sytë e njerëzve të qytetëruar.


 


 


SOT…


Në kuadrin e kësaj epidemie janë shkatërruar e vazhdojnë të priten pyjet e larta në Lurë, që është një mrekulli e bukurisë  së natyrës shqiptare, si dhe në Pukë, e Tropojë. Pushtetarët komunarë janë pronarët e administrimit të pyjeve dhe njëkohësisht autorët e shkatërrimit të tyre. Në çdo vend të botës, dënohesh  me gjobë të rëndë po të presësh një pemë, pa le më të shfarosësh masive të tëra me pyje. Një aventurë tjetër është prishja e 400 ha të Pyllit të Sodës, për ta kthyer zonën bregdetare në zonë industriale. Por nuk mjafton me kaq, këto ditë përsëri na u shfaq si fantazmë VKM Nr. 1146. datë 05.08.2008, ku  nën përdorimin e  “Enpower Albania”, është vendosur kalimi i një sipërfaqeje pyjore prej rreth 100 mijë ha që fillon në Karaburun e mbaron në Shashicë, prej sipërfaqeve të pyjeve nga fondi pyjor-kullosor kombëtar për ndërtimin e parkut energjetik.


Karaburuni dhe Llogoraja, që vizitorë të huajt i kanë quajtur perla të Europës dhe kanë lëshuar mesazhe gjatë kalimit të tyre në shekullin e 14-të “Ruajini se po i shkatërruat nuk do t’ua falin brezat”, do masakrohen sot, nga një vendim i papërgjegjshëm i qeverisë “Berisha”. Kjo është një tragjedi dhe përbën një temë më vete. Krimet ndaj njerëzve nuk zbulohen se ikin në drejtim të paditur, po krimet ndaj pasurisë kombëtare në mes të ditës si i motivon pushteti vendor e qendror ?!…


Shkatërrimtarët, nuk kanë limite e profil politik. Ata shkatërrojnë të gjallët dhe të vdekurit. Nuk na është shuar nga kujtesa zhvarrosja e varrezave në Kosinë të Përmetit, me ndërhyrje të segmenteve të caktuara greke. Papritmas na u shfaq një tablo e ngjashme në Boboshticë të Korçës. Shkatërrohen varrezat 200-vjeçare të fshatit nga shtetas grekë. Nxirren eshtrat e gjyshërve dhe baballarëve nga nëntoka, si të jenë minerale. Shtetasit grekë për një ushtar që ka rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, prishin varrezat, ndërtojnë memorial, mbajnë edhe meshën greqisht si të jenë në shtëpinë e tyre. Pushteti vendor hesht, pushteti qendror bën sehir. Jo vetëm boboshticarët që po se po, por çdo qytetar me moral shqiptar ndihet i fyer, i përbuzur dhe i përçmuar për identitetin e tij. Çnderohet një fshat i tërë, injorohet si të jetë pagan, për një ushtar grek. Përfaqësuesi i pushtetit në Korçë, prefekti “profet”, bën të paditurin dhe nuk është i indinjuar për atë veprim çnjerëzor të nxjerrjes së kockave të të vdekurve, por është i indinjuar për djegien e kurorave që kanë vendosur qytetarët grekë te memoriali. Me të drejtë Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, atë pamje të shëmtuar dhe të dhimbshme, e quajti një pamje makabër në sytë e opinionit publik.


Sjellja shtetare është përdhosur në kufijtë ekstremë të së keqes. Morali i pushtetarëve tanë ka nevojë për remont kapital.


Teoria e shkatërrimit, bëri që të prishej mbikalimi te “Zogu i Zi”, për motive klienteliste të pushtetit. Por nuk u ndal me kaq. U gjend një profeci e re për të prishur Piramidën, se na paska qenë Muzeu i Enverit dhe në pllakat e tij të mermerta fshihet ideologjia komuniste. Ironi therëse. Sarkazëm provinciale, primitive. Korrupsion mediatik. Shpërdorim i djersës së shqiptarëve të përvuajtur, në skamje dhe varfëri therëse. Kaq deri sot.


 


 


PO NESER…


 


 


Shkatërrimtarët nuk e ndalin veprën e tyre deri ç’kanë bërë, por mendojnë çfarë do bëjnë. Filozofia e tyre shkatërruese do zbulojë vepra të tjera të komunizmit. Ato janë të shumta. Atje ku ka punuar e drejtuar Enveri, është vendi ku punon Kuvendi dhe Kryetarja e saj, Topalli dhe përkarshi Kryeministri i vendit, Berisha. Me këtë strategji, edhe ato duhen zhdukur nga kujtesa historike. Strategjia e shkatërrimit do vazhdojë e s’do pushojë kurrë, se kjo është strategjia e tutorëve të pushtetit, sot dhe nesër, për të qëndruar në këmbë me patericat e patricëve të tyre. Veprat e komunizmit s’kanë të mbaruar. Do vijë një ditë që shkatërrimtarët ish-komunistë, do shkatërrojnë vetveten. Aty mbaron dhe paradoksi i shkatërrimtarëve.


(Gazeta “Shqip”)

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …