Brickos

Dr: Shefqet Krasniqi: Një ditë në Kajro

 


Ora është një e natës! Jam thelluar në mendime, po meditoj dhe po lutem, ndërsa bashkudhëtarët e mi, si duket, shumica e tyre po flenë. Unë gjithmonë kam dëshirë që kur të jem në rrugë, ose të lexoj diçka, ose të meditoj e të lutem, disi e ndjej vetën më të koncentruar dhe më të freskët, ndoshta pse udhëtarit i pranohet lutja më lehtë. Sido që të jetë, për çdo udhëtim mundohem ta lexoj bile nga një libër nëse jo më shumë. Kësaj radhe kisha marr me vete librin “Islami mes lindjes dhe perëndimit” të Alia Izetbegoviçit, Allahu e mëshiroftë, libër ky, i cili më bëri edhe më shumë të thellohem në meditime, ashtu që as që e ndjeja fare lodhjen e udhëtimit, e herë- herë e ndërprerja leximin për t’u lutur. Por, papritmas u thye heshtja, stjuardesa po na urdhëron që t’i vendosim rripat e sigurisë e  të përgatitemi për aterim në aeroportin e Kajros. Tani po mendohesha: a thua, si do ta gjej Kajron, si do të kaloi në aeroport, ka dal kush të më pres apo jo!?… E shumë pyetje tjera të cilat në këtë moment  më silleshin në kokë. Zbrita në aeroport dhe, posa dola jashtë, takova një njeri i cili kishte ngritur një letër me duart e tij dhe aty shkruante emri im. Falënderova Allahun dhe ju ofrova atij personi dhe i thash: “Unë jam Shefqeti”, u përshëndetëm dhe vazhduam rrugën për tek vetura. Pasi u njoftuam, hymë në veturë dhe ia urova fitoren e revolucionit, u gëzua shumë dhe filloi të më dëftonte sesi ka ndodhur ai revolucion i bekuar. Thënë të vërtetën, unë kësaj radhe shumë më me dëshirë pranova ftesën për të shkuar në Kajro , sepse, përpos punëve zyrtare që kisha, doja që ta shoh atë vend nga afër pas çlirimit, t’ua uroj fitoren e madhe. Ditën e nesërme, në mëngjes, më zgjuan duke më thirrur në telefon dhe më thanë: “Mbledhja fillon në ora tetë të mëngjesit.” Me shpejtësi zbrita në restoran për mëngjes, pastaj shkova drejt në sallën e mbledhjes. Nuk kisha bërë gjumë më shumë se tri orë por çka të bëja, dijetarët më pritnin. Ishim mbledhur kryesia e “ligës së dijetarëve botëror”.


 


Tërë ditën patëm debate e biseda zyrtare, e më pas, edhe miqësore dhe biseda të lira. Të nesërmen kishim për t’u kthyer në vendet tona, por unë kisha shtyrë udhëtimin edhe për dy ditë sepse doja ta shëtis Kajron. Thirra një student tonin që studijon atje dhe dolëm me të për të shëtitur. Unë kisha qenë edhe më herët në Kajro, por vetëm në vitet e nëntëdhjeta. Ishte bërë dallim i madh prej asaj kohe deri më sot në shumë drejtime, por kryesorja, çka më preku mua ishte siguria dhe liria e madhe fetare, apo rikthimi i madh i njerëzve në islam që nga ajo kohë. Ndër vendet  të cilat shumë kisha dëshirë t’i vizitoja ishte edhe “Mejdani Tahrir – Sheshi i Tahririt”,    cilin që nga 25 janari deri me 11 shkurt, 2011, e kisha parë për çdo ditë në televizionin Aljjazira, duke i përcjellur protestat që zhvilloheshin atje të stërmbushur me njerëz, ku, për çdo ditë u mblidhnin rreth dy milion njerëz. Tash doja ta shihja të zbrazët. Atëherë e kisha parë nga larg, e tash doja ta shoh nga afër. Kur u ofrova afër atij sheshi, më doli parasysh gjithë ajo turmë e madhe që u mblidhnin në këtë vend, më dolën përpara edhe kufomat e shtypura me makinë nga organet e sigurisë. Më doli parasysh edhe nata e fundit e 11 shkurtit, ditë Xhumaje – e Premte, kur kishte dhënë dorëheqje diktatori Husni Mubaraku. Kisha qarë  bashkë me bashkëshorten time kur dëgjuam lajmin nga Aljjazira për dorëheqjen e tij dhe gjithë ato që përjetuan ata njerëz të pafajshëm, ndërsa tash sërish fillova të qaja.


Ishin këta lot të gëzimit, nuk munda të përmbahem. Sa të mirë janë lotët e gëzimit, janë pjesë e mëshirës që na e ka mbjellë Allahu në zemër. Shoqëruesi im më shpjegonte për atë shesh, për protestuesit, për viktimat, e unë qaja, por munohesha të mbaja vetën, nuk doja që miku im të kuptoj që unë po qaja. Si mos të qaj kur unë e di se çka do të thotë robëria e çka do të thotë liria! Njerëzit nuk janë krijuar për të jetuar robër,  por janë krijuar për të jetuar të lirë –siç ka thënë kalifja Umer. Si mos të qaj, kur unë e di se çka ka përjetuar ai popull, mbi tridhjetë vite shtypje e diktaturë, pa pasur guximin të flas kurrë asnjë fjalë për pushtetin, të shprehë as një paknaqësi kundrejtë tiranisë e shtypjes, por vetëm lëvdata e fjalë miradije, edhe pse pa dëshirën e tyre. Ne bile që kemi përjetuar sistemin komunist dhe më pas atë serb, e dimë fortë mirë se çka do të thotë të kesh pushtet diktatorial, e dimë gjithashtu se çfarë domethënie ka liria. Ah liria, sa e mirë është, sa e shtrenjtë është, sa shumë ia vlen që të punojmë për të dhe ta ruajmë atë. Bisedoja me njerëz, me taksisitë, me studentë, intelektual e tjerë, në fëtyrat e të gjithëve vëreja një gëzim të madh, vëreja shenjat e të shijuarit të lirisë. Shkoi i keqi erdhi i miri, u largua terri erdhi drita, siç ka thënë Allahu:”Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur” (Isra:81).


Po, të nderuar lexues, shkoi zullumi erdhi drejtësia, ky është ligj i Zotit, sa herë që njerëzit e lëshojnë rrugën e Tij dhe bëjnë pa drejtësi në tokë, Ai ka për t’ua ndryshuar gjendjen për së keqi. Po edhe e kundërta, sa herë që njerëzit i përmirësojnë raportet e tyre me Allahun dhe mes vete, ka për t’ua përmirësuar gjendjen. Dhe ja, ai që do ta shoh këtë në praktikë, le të shkoi në Egjipt e le ta sheh, do të bindet vetë. Ata kanë ndryshuar gjendjen e tyre, ata kanë ecur shumë para, ata vërtetë kanë merituar këtë liri. Lusim Allahun që ata ta gëzojnë atë liri, e, edhe ne këtu në Kosovë. Ata të punojnë për shtetin e tyre, për vatanin e tyre, e ne të punojmë këtu për shtetin tonë, për vatanin tonë, për Kosovën tonë të dashur.


Amin, dhe deri javën e ardhshme, selam alejkum.


Kajro 6-6-2011


 


 


Dr: Shefqet Krasniqi: Nervoza


 


Ky Islam ka ardhur për ta sistemuar jetën e njeriut, për t’ia rregulluar besimin, për t’ia plotësuar etikën, moralin dhe karakterin e tij, për ta bërë atë të mirë në tokë, të ngritur në qiell dhe të dashur tek familja e shoqëria. Për këtë arsye Islami ndalon nga çdo ves i keq i cili mundë t’ia rrënoi apo dëmtoi njeriut këtë shkallë, ashtu siç nxit dhe stimulon për çdo veçori apo cilësi të mirë e cila do ta ndërtoi apo plotësoi këtë synim të Islamit ndaj njeriut. E ndër veset të cilat mundë ta rrënojnë apo dëmtojnë personalitetin e besimtarit është edhe nervoza, e cila është armike e mendjes, ngase është e mundur qe njeriu nervoz të arrij në një shkallë të atillë sa që nuk mund ti kontrolloj sjelljet apo veprat e tij, për atë është thënë se: nervoza për mendjen është sikurse ujku për tufën e deleve ku nëse ia mësyn vështirë se do ti shpëtojnë. Nervoza është një dukuri shumë e përhapur në katër anët e botës. Gjithmonë ka pasur njerëz nervozë dhe temperament, por në kohën e fundit kjo është dukshëm më e theksuar.


 


Ndër shkaqet të cilat ndikojnë që njeriu të bëhet nerzovë është vetpelqimi egoja, uni, kur njeriu e mbiçmon vetën e tij aq shumë  sa që dikush me ja prish pak menjëherë nervozohet sepse mendon se askush nuk ka të drejt me ja prish atij “timin e duhanit”, siç thotë populli. E harron ai person se nuk ka njeri i cili nuk gabon, ashtu siç nuk ka njeri i cili nuk ka nevojë për këshillat e të tjerëve. Polemika me njerëz është një shkak tjetër që shpesh e shpien njeriun ne nervozë. Zakonisht njerëzit si t’ia fillojnë me polemizuar, ata kalojnë në shkallën e nervozës. Për atë arsye është shumë e preferuar në Islam që njeriu ti ik polemikave qoftë edhe kur ka të drejt, duke pasur parasysh pasojat e saj, përveç në raste kur është në pyetje sqarimi i të vërtetës. Por edhe shakaja di të bëhet shkak për nervozë, në veçanti nëse është e tepërt, sepse me shaka flet njeriu mbarë dhe mbrapshtë, prek të tjerët qoftë edhe pa dashje dhe njerëzit nervozohen. Për atë arsye nuk është e pëlqyeshme shakaja e tepruar në Islam. Këtë e vërteton edhe thënia popullore “shakaja në bisedë është si kripa në ushqim”, po qe pak e rregullon, e po qe shumë e dëmton. Shkak tjetër shumë ndikues për nervozë është edhe përdorimi i fjalorit jo të pastërt, e që ne e quajmë të “shame”. E që mjerisht kjo cilësi është shumë prezente tek populli ynë, ku pak njerëz gjen të cilët e kanë fjalorin e pastërt. E njeriu kur e dëgjon tjetrin duke folur fjalë amorale, duke e sharë, pa dyshim se bëhet nervozë, bile ky është ndër shkaqet më të mëdha të kësaj dukurie. Për këtë shkak Pejgamberi i Zotit ka ndaluar nga fjalori jo i pastërt ku thotë: “ Allahu e urren atë njeri i cili flet fjalë amorale”. 


 


Natyrisht se ka nervoz të lejuar siç është rasti kur shkelen ligjet e islamit, kur në shtëpinë tënde bëhet ndonjë haram, si p.sh pirja e alkoolit, apo mos agjërimi i Ramazanit etj, në këtë rast duhet mu nervozuar me anëtarët e familjes, sepse ata janë duke thyer ligjet qiellore, duke bërë mëkat. E zemra e besimtarit i urren ato vepra andaj edhe nervozohet kur i  sheh që po ndodhin dhe atë jo vetëm në familje por edhe jashtë saj. E këtu futet edhe çdo e ligë tjetër e cila bëhet në shoqëri si p.sh. dëmtimi i pasurisë së tjetrit, shkelja e të drejtave të ndonjë qytetari etj. E për këtë lloj nervoze njeriu ka sevap te Allahu. Ndërsa jashtë këtyre rasteve nervoza është e nënçmuar dhe e përbuzur. Po të nderuar nervoza është sëmundje e rëndë e zemrës, ashtu si zilia, mendjemadhësia etj. Por ashtu si çdo sëmundje tjetër edhe kjo ka ilaç, sepse Allahu nuk ka lënë sëmundje pa ilaç. Prej ilaqeve që i ka lënë Allahu ndaj kësaj sëmundje është të kërkuarit nga Allahu mbrojtje nga shejtani i mallkuar duke thënë: “eudhu blahi mineshejtanirraxhim”. Sepse nervoza është prej shejtanit, ai është shumë i kujdesshëm që ta bëjë njeriun nervozë, ngase ai i di pasojat që rrjedhin më pas. E shejtani largohet duke kërkuar mbrojtjen e Allahut! Prej gjërave që shumë e largon hidhërimin është marrja abdest. Pastaj të kujtuarit e sevapit të madh që e ka frenimi i mllefit, apo vetpërmbajtja kur je nervozë. Shmangeja nga kjo dukuri e shpien njeriun në Xhenet. Ka ardhur një njeri te Pejgamebri a.s. dhe i ka thënë më trego diç që nese veproj do të shkoj në Xhenet. Pejgamebri i ka thënë: “ mos u bë nervozë”, duke ia përseritur disa herë radhazi.


 


Natyrisht se këshillë e madhe është kjo, ngase nervoza në aspektin shpirtëror ta dëmton besimin apo imanin, meqë të shtyen në mëkate që e hidhërojnë Allahun. Pastaj nga ana psikologjike, ajo të plak para kohe dhe ta shkatërron trurin dhe mendjen, për atë gjenë se ata që nervozohen për çdo gjë, ju rrudhët fytyra më shumë. Ndërsa për nga ana shëndetsore ajo shkakton shumë sëmundje të ndryshme , si tensionin e lartë të gjakut, sëmundjen e sheqerit apo diabetin, pezmatimin në lukth apo stomak dhe shumë sëmundje tjera. Por edhe për nga ana sociale dëmet e saj nuk janë aspak të vogla, ngase nervoza të prish me grua, me fëmijë, me fqinjë, me shokë e miq, duke të bërë të dështuar në çdo marrëdhënie apo lidhje shoqërore.


Krejt këto të liga e dëme vijnë si rezultat i kësaj sëmundje të rëndë, që njeriu nuk ka nevojë fare ta ketë, nëse e merr këshillën e Pejgamebrit a.s. dhënë atij shoku të tij dhe punon me të. Thjeshtë njeriu duhet ta kuptoj natyrën e tij dhe të njerëzve tjerë, por edhe të kësaj bote. E kush më mirë se Islami i përgjigjet shëndetit tonë shpirtëror, fizik, individual e social duke na përsosur në të gjitha anët! Islami është fjala e Allahut që na njeh më mirë se sa që e njohim ne veten tonë. Prandaj kthehuni o ju njerëz në këtë Islam, punoni e jetoni në të. Vetëm duke u mishëruar me vlerat islame do të jeni të qetë dhe të lumtur, larg nervozës, dëshpërimit e demoralizimit.   Faleminderit Allahut për këtë Islam dhe të mirat e tij. Kaq për këtë javë dhe deri javën e ardhshme selam alejkum.


 


Dr: Shefqet Krasniqi: Dhuna në shkolla


 


Para pak dite jo vetëm Prishtinën por edhe tërë Kosovën tronditi rasti i vrasjes së një nxënësi dhe plagosja e një tjetri , nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” këtu në Prishtinë gjatë një ngatërrese mes vete. Rastet e ushtrimit të dhunës nëpër shkollat tona, në veçanti atu të mesme janë të shpeshta. Pak ditë ka që kalojnë pa ndodhur ndonjë incident në ndonjë shkollë në Kosovë, çoftë rrahje, therje me thikë e deri tak plagosjet dhe vrasjet. E në anën tjetër përdorimi i drogës, konsumimi i alkoolit, prostuticioni e dukuri tjera negative janë prezentë për çdo ditë thuajse në shkollat dërmuese, për mos me thënë në të gjitha.  Nëse është kështu, atëherë bie pyetja: për çka i dërgojmë ne fëmijët tanë nëpër atu shkolla, që të mësojnë, të marrin dije, apo të bien viktimë e dashakeqëve , viktimë e bandave dhe hajdutëve?! Ndërsa sa i përket marrjes së edukatës nëpër shkolla – e që është tepër me rëndësi- nuk po flasim fare, sepse ajo tashmë thuajse gati është harruar, thuajse të gjithë pajtojnë, bile edhe vet arsimtarët e mësimdhënësit se fëmijët nuk marrin edukatë nëpër shkolla. E nëse nuk marrin edukatë apo kulturë, pastaj edhe shkenca si shkencë nuk është aq në nivel, sepse i tërë arsimi në të gjitha shtresat nuk është aspak në nivel të duhur. E nga ana tjetër frika se po ta gjen ndonjë të ligë fëmijën që nga momenti kur del jashtë dere, derisa të kthehet. Nëse tona këtu janë prezentë, atëherë bije pyetja: çka përfitojnë fëmijët tanë nëpër atu shkolla dhe si të jemi të qetë ne prindërit që ti dërgojmë fëmijët tanë nëpër shkolla?! Natyrisht se çdo problem apo e ligë që ndodh i ka edhe shkaqet e saja, apo arsyet pse ka ardhur deri tek ajo e keqe, ashtu siç e ka edhe ilaçin apo mënyrën e shërimit. Unë mendoj se ndër shkaqet kryesore të lazdrimit të nxënësve është qeveria, gjegjësisht ministria e arsimit e cila nuk është duke punuar sa duhet në parandalimin e këtyre dukurive negative në shkolla, ashtu siç nuk janë duke punuar sa duhet edhe institucionet tjera të shtetit në parandalimin e dukurive të ndryshme negative në shoqëri. Dhe një neglizhencë e tillë jep me kuptuar mos seriozitetin e tyre në kryerjen e punës që kanë marr mi sipër dhe në çuarjen e amanetit në vend që ju është besuar, – kemi cekur edhe më herët, lehtë është me ardhur në qeveri, por vështirë është me mbajtur-. Ka faj ministria e arsimit ngase ju ka dhënë tepër hapësirë lirie nxënësve. Sot nxënësit nuk frikësohen nga askush, përderisa ne në kohën komuniste ju kemi dridhur mësuesit, ju kemi frikësuar më shumë sesa prindit. Gjithashtu dhënia hapësirë vajzave që të shkojnë nëpër shkolla me tesha tepër provokuese është shkak tjetër që djemtë të lazdrohen më shumë. Nga ana tjetër roli i prindërit ka ra në familje thuajse tërësisht, ai shumë pak interesohet për fëmijën e tij se kur po del nga shtëpia, ku po shkon, me kë po shoqërohet në shkollë dhe jashtë saj etj. Ai ndoshta tërë vitin shkollorë asnjëherë nuk shkon në shkollë për ta shikuar se çfarë nota ka biri apo bija e tij, për ta pyetur kujdestarin e tij se çfarë sjellje ka fëmija i tij etj. Prindi sot gati se ka humbur rolin e tij si edukatorë, si përgjegjësi i parë dhe më i rëndësishmi për fëmijën e tij. Ai ka harruar se familjen e tij i ka amanet dhe se për ta do të pyetet Ditën e Gjykimit, ka thënë Allahu xh.sh: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët” (Tahrim:6). E ruajtja e familjes është edukimi i tyre, vetëdijesimi i tyre, me ua mësuar atyre të mirën dhe të keqen, me i lidhur ata me qiellin…. Zaten ky është edhe roli i prindit për fëmijën, sepse vetëm sa për t’ia siguruar një kafshatë bukë fëmijës, atë mundë ta bëjë çdo kush, bile atë edhe në mal me qitë posa të lindë, ai nëse ka jetë do të rritet, por nuk do të edukohet. Andaj gjëja më e madhe dhe më e shtrenjtë që duhet t’ia jap prindi fëmijës së tij është kultura, edukata e shëndosh, e këtë e ka për qëllim ajeti kuranor. Pra, sikurse prindi ta luante rolin e tij si edukator i parë i fëmijës, pastaj ministria e arsimit sikurse të ishte ma syçelë, ma serioze në punën e saj, të ndërmerr hapa të nevojshëm për edukimin e duhur të nxënësve, e ata hapa janë të shumtë, ku kryesisht kanë të bëjnë rreth raporteve nxënës- mësues brenda shkolle, e që nuk kemi hapësirë ti numërojmë këtu, por një hap tepër i rëndësishëm dhe i nevojshëm, që dua ta cekë këtu është futja e lëndës fetare nëpër shkolla tona. Sikur të bëheshin këtu nuk ka dyshim se gjendja e nxënësve nëpër shkolla do ishte ma e mirë. Duhet të bindemi se asgjë nuk mundë të ndikoi më shumë në vetëdijesimin e nxënësit, po edhe të tërë shoqërisë sesa bindja fetare. Nëse nxënësi prindin nuk e pyet, mësuesit nuk i frikësohet, pastaj gjunahin e mëkatit nuk e ka parasysh, atë nuk ka kush që ta ndal nga dukuritë negative, e ndër tu natyrisht edhe dhuna nëpër shkolla. Dhe jo vetëm të nxënësin, por edhe i rrituri, nëse nuk i tutet Allahut apo nuk i tutet ligjit, ai bënë çka ti vije në kuti. Kjo është e vërtetuar edhe nga ana sociologjike. E ne mjerisht si shoqëri të dy elementet apo të dy faktorët i kemi të mëngët, as nuk i tutemi Zotit e as ligjit.  Sido që të jetë një gjë është mase e vërtetë dhuna nëpër shkollat tona vetëm sa po vije e po shtohet, vetëm në Prishtinë sipas raporteve të policisë gjatë vitit 2010 ka pasur gjithsejtë 307 raste incidentesh, nxënës-nxënës, nxënës-arsimtar, nxënës-qytetar e të tjera. Shifër shumë e lartë, alarmues, andaj duhet që sa më parë jo vetëm qeveria, por edhe prindi dhe të gjithë qytetarët të jemi më sy qel, më aktivë në edukimin e fëmijëve tanë, sepse ata janë e ardhmja e familjes sonë, e shtetit tonë. Allahu na e ruajt këtë rini, na i vetdiesoft këtë qeveri, na i udhëzoftë prindërit dhe tërë këtë shoqëri. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.   


 


Dr: Shefqet Krasniqi:  Modestia


 


Islami, është fe e të gjitha shtresave, fe e njerëzve të “mëdhenj” dhe të “vegjël”, e të pasurve dhe e të varfëve, fe e ndërtuar mbi bazat e barazisë, drejtësisë, modestisë etj… E, një nga veçoritë në të cilat thërret islami dhe nxitë me të madhe ithtarët e tij, është edhe modestia, që njeriu të jetë sa më i thjesht, sa më i butë dhe modest ndaj të tjerëve. Islami nuk e përkrahë idenë që dikush të ndihet i privilegjuar e dikush i nënçmuar apo i përulur, dikush i madh e dikush i vogël, e kështu me radhë, sepse ne nuk kemi ardhur në këtë botë të bëhemi “të mëdhenj” ndaj vëllezërve dhe motrave tona e ndaj shoqërisë sonë, por kemi ardhur këtu të bëhemi të mëdhenj në sjellje e virtyte, të bëhemi të mëdhenjë tek Allahu i Lartësuar, sepse në tokë të gjithë jemi të vegjël dhe të barabartë me vëllezërit dhe motrat tona. Bile një nga rrugët për të qenë “i madh” në qiell është edhe modestia pranë njerëzve. Ka thënë Pejgamebri a.s: “Kush bëhet modest (para të tjerëve) për hir të Allahut, ka për ta ngritur atë Allahu”. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëron të Dashurin e Tij, i cili ishte njeriu më i madh që ekzistoi ndonjëherë në botë, njeriu më i privilegjuar në qiell, më i përmenduri dhe më me famë në tokë, njeriu i cili pa asnjë dyshim bëri ndryshimet më të mëdha në rruzullin tokësorë, njeriu i cili la gjurmët e pashlyera përderisa të ekzistojnë qielli e toka, pra,e urdhërojë atë që të jetë sa më modest ndaj besimtarëve: “E të jesh i butë ndaj besimtarëve që të pranuan (pasuan) ty” (Shuara:215). Këtë modesti, Allahu ia bëri edhe virtyt të pandashëm të tij, dhe për këtë arsye, ai a.s, asnjëherë nuk dëshiroi që të jetë mbi shokët e tij e as të dallohet nga ata në asnjë aspekt: ushqim, shtëpi, pasuri, apo kushte të tjera të jetesës, që e bënin atë më të ngritur në të gjitha fushat e jetës. Dhe jo vetëm kaq, por ai, jo rrallë herë u jepte përparësi shokëve të tij edhe në kafshatën e fundit të gojës që  kishte, kur ndonjë i varfër vinte te dera dhe kërkonte nga ai lëmoshë. Kur ndonjë beduin (malësorë), vinte në qytet për ta takuar atë, derisa nuk ia prezentonin, ai nuk e njihte cili është Pejgamberi a.s, për shkak të modestisë dhe thjeshtësisë që posedonte, ngase ai nuk  dallonte nga shokët e tij në asgjë.


Adij Bin Hatem Ettaiju, ishte një prijës i një fisi i quajtur “Tajj” në Arabinë Qëndrore. Kishte pranuar krishterizmin para ardhjes së Pejgamberit a.s, kurse më vonë, pasi u shpall islami, motra e tij e pranoi islamin dhe ftoi edhe vëllain e saj të bëjë të njëjtën gjë, por ai nuk e bëri këtë para se të takohet me Muhamedin a.s, dhe ta dëgjojë atë me veshët e tij. Adij thotë se: “Një nga gjërat që më shtyri të besoi se ai është profet sapo e takova, ishte edhe ajo se kur arrita në Medinë në xhaminë e tij, nuk e njihja cili është Muhamedi, sepse nuk dallohej nga shokët e tij aspak, e pasi më njoftuan me te, më morri për dore për te shtëpia e tij, por në rrugë i doli një plakë e shtyrë në moshë, e cila filloi ta pyeste gjatë për disa çështje të saj personale, kurse ai, qëndronte pranë saj me një modesti të çuditshme, derisa përfundoi plaka atë që pati. Tha Adiu: “Thash me vete – ky nuk mund të jetë mbretë, sepse mbretërit nuk rrinë në këmbë pranë njerëzve të dobët.” Pastaj tha: “Më morri me vete në shtëpinë e tij dhe kur hymë brenda nuk kishte asgjë në dhomë pos një jastëku për t’u ulur dhe atë ma ofrojë mua që të ulem, dhe filloi të më pyes për gjëra të ndryshme…  Thash me vete: “Kështu nuk janë mbretërit, ata ndryshojnë tërësisht nga ky njeri dhe jeta e tij. Ky njeri nuk pretendonte pushtet, pra vërtetë ky qenka profet, andaj edhe nuk hezitova dhe  e pranova islamin.” Jo vetëm kaq, por, i Dërguari i Allahut me modestinë e tij, nuk nguronte të bëjë edhe punë të shtëpisë, duke i ndihmuar gruas së tij. E në anën tjetër, stimulonte shokët e tij që të pajisen me këtë cilësi ku mes tjerash ju thoshte: “Allahu më ka shpallur mua që ju të bëheni sa më modest dhe askush mos të lavdërohet para tjetrit, dhe mos t’i bëj asnjë të ligë tjetrit”. Po, të nderuar lexues, modestia është cilësi të cilën e do Allahu i Madhëruar shumë. Me të Allahu ngritë lartë robërit e tij, jo vetëm në qiell ku kanë një pozitë apo një gradë të veçantë, por edhe në tokë, ngase njeriun modest e duan të gjithë. Ai me këtë cilësi depërton në zemrat e të gjithëve kundrejtë kryelartësisë apo mendjemadhësisë që askush nuk e do. Ne jemi të urdhëruar që të bëhemi sa më të mirë me njerëz, sa më të afërt e të sjellshëm me ta, t’i durojmë kur ata na lëndojnë ose nuk janë të sjellshëm me ne. E gjithë kjo nuk arrihet pa qenë modest. Modestia ishte ajo që i ndihmojë Pejgamberit a.s që të depërtojë në zemrat e shokëve të tij. Me modesti e drejtësi, butësi e urtësi, mëshirë e mirësi u përhap kjo fe në tërë këtë gjithësi. Me këto cilësi arritëm të ngrihemi mbi çdo fe e shoqëri, të fitojmë lartë në qiell kënaqësi, të sjellim në tokë paqe e lumturi, eh sa me fat është ai që  posedon këtë cilësi. Allahu na paist me te, amin ja Rrahman ja Rrahim. Kaq për sot, e deri në javën e ardhshme, selam alejkum.


 


Dr: Shefqet Krasniqi: Djaloshi dhe mbreti


 


Njeriu si njeri, nuk ka aftësi dhe mundësi të di të  ardhmen, qoftë edhe përmes magjistarëve. Atë e di vetëm Zoti. Me gjithatë, në bazë të argumenteve dhe tregimeve që janë cekur në Kuran dhe hadith, njeriu i kupton ligjet e Zotit dhe mundet deri diku të parashikoi të ardhmen vetëm në këtë mënyrë: Për shembull: padrejtësia, mizoria apo zullumi i madh pason me hakmarrje apo dënim nga qielli. Njohja e Allahut, përkujtimi i Tij dhe përkushtimi ndaj Tij ,në kushte normale ndikon që Ai të përgjigjet dhe të gjindet afër në raste të rënda dhe në vështirësi, e kështu me radhë… Një nga këtu ligje të cilat nxirren për të ardhmen është edhe ajo se, sado që dikush përpiqet ta shuaj dritën e Allahut xh.sh., t’ia shkuli rrënjët islamit qoftë edhe duke i mbytur dhe likuiduar ithtarët e islamit, ai ka për të dështuar me siguri, qoftë ai njëri edhe mbret i cili ka në dispozicion një ushtri të plotë. Të shohim në vazhdim se si mund ta përmbledhim këtë.


Përpos shumë argumenteve kuranore që vërtetojnë këtë ligjë, është edhe një tregim mjaft interesant të cilin na e rrëfen Pejgamberi i Allahut xh.sh.  Ka thënë Pejgamberi a.s: “Ishte një mbret i cili kishte një magjistar. Ai, kinse i tregonte mbretit për ngjarjet në të ardhmen. Magjistari, pasi u plak, i tha mbretit: “Siç po e sheh, tashmë unë jam plakur, jam lodhur, më është ofruar vdekja, e nëse ti dëshiron, më sjell një djalosh të ri që unë t’i mësoi atij mjeshtërinë e magjisë, në mënyrë që ai të ndihmojë pas meje.” Mbreti e dëgjoi këshillën e magjistarit dhe kërkoi një djalosh që t’ia sillnin atij. Kështu që, djaloshi filloi të vijë çdo ditë te magjistari plak për ta mësuar magjinë. Një ditë, rrugës përmes të cilës kalonte, takoi një murg të devotshëm, i cili ishte i izoluar nga njerëzit në një faltore, dhe atje adhuronte Allahun xh.sh. Djaloshi dëgjoi diç nga fjalët e këtij njeriu të devotshëm dhe i pëlqyen shumë, kështu që, gjatë rrugës, përderisa shkonte çdo ditë tek magjistari, ai, pa i treguar askujt u ndalte te njeriu i devotshëm –murgu- dhe dëgjonte diç nga ajo që i tregonte ai dhe përfitonte prej tij. Kjo i merrte kohë djaloshit dhe sa here vonohej, magjistari e rrihte. E rrihnin edhe tek shtëpia e tij kur vonohej. Kështu që djaloshi për këtë u ankua te njeriu i devotshëm i cili i tha: “Kur do të të rrah magjistari, thuaj që u vonova në  shtëpi, dhe kur duan të të rrahin në shtëpi, thuaju që më vonoi magjistari.” Kështu edhe  vepronte vogëlushi. Një ditë, duke kaluar rrugës, pa një shtazë të madhe e cila ishte shtrirë në mes të rrugës dhe kishte zënë rrugën, duke penguar kalimin. Njerëzit që ishin tubuar, nuk guxonin të kalonin rrugën as ta largojnë shtazën. Vogëlushi, kur e pa tha me vete: “Sot do ta kuptoi se cili ka të drejtë, magjistari, apo murgu?!” (Djaloshi mësonte nga të dy këta, por akoma nuk ishte në gjendje të kuptonte se cilin duhej të pasonte). Ai pastaj morri një gur dhe tha: “O Zot, nëse besimi i murgut është më i dashur tek Ti dhe nëse Ti je më i kënaqur me te sesa me magjistarin, atëherë, mbyte me këtë gur këtë shtazë në mënyrë që të kalojnë njerëzit lirshëm.” Djaloshi hodhi gurin i cili i ra shtazës dhe e mbyti, me çka njerëzit filluan të kalojnë lirshëm, djaloshi shkoi te murgu dhe i tregoi për ngjarjen që kishte ndodhur. Njeriu i devotshëm i tha: “Biri im, tashmë ti je më i mirë se unë dhe se ti do të sprovohesh, por kur të sprovohesh mos më zbulo mua.”


Djaloshi, si zakonisht, vazhdonte edhe më tej të shkonte te magjistari mirëpo ai  filloi t’i mjekonte njerëzit, kështu që të verbërve u kthente shikimin. Nuk kishte sëmundje që nuk e mjekonte. Ndërkohë, njëri nga paria e mbretit e kishte humbur të pamurit. Ai posa dëgjoi për djaloshin, bleu dhurata të shumta dhe shkoi duke i thënë:


-Të gjitha këto dhurata janë tuajat nëse më shëron.- Djaloshi ia ktheu:


-Unë nuk shëroi, por Allahu është Ai i Cili shëron. Nëse ti e beson  Atë, unë do ta lusë që të shëroj. – Njeriu pasi e besoj Allahun, djaloshi bëri dua për të dhe Allahu ia solli të pamurit. Pasi u shërua, shkoi te mbreti dhe u ulë afër tij, ashtu siç vepronte edhe më parë, para se të humbiste shikimin. Mbreti kur e pa i çuditur i tha:


-Kush ta ktheu të pamurit ty!?


-Zoti im,- ia ktheu njeriu. Mbreti i tha:


-Po mendon unë (ngase mbreti e konsideronte vetën për zot)?!


-Jo, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu,- i tha njeriu. Mbreti akoma më i çuditur, i thotë:


-Pse a ke ti zot tjetër pos meje?!


-Po- i tha ai, -Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.


Kur dëgjoi këtë, mbreti u hidhërua shumë dhe filloi t’a torturonte derisa ai nuk duroi dhe i tregoi për çështjen e djaloshit. Pasi e gjetën djaloshin, e sollen te mbreti, i cili në mënyrë të butë i tha:


-O djalosh, ti ke arritur shumë lart me magji saqë po e shëron verbërinë dhe sëmundjet tjera. – Djaloshi ia ktheu:


-Jo, unë nuk shëroi askë, Allahu është Ai shëron. -Mbreti ia ktheu:


-Unë, po mendon?! 


-Jo, – tha djaloshi.       


-Pse, a ke zot tjeter ti pos meje?!- e pyeti mbreti. Djaloshi i vendosur dhe me plotë bindje i tha:


-Zoti im dhe i juaji është Allahu.


Atëherë, mbreti i nevrikosur filloi ta torturonte edhe këtë derisa nuk duroi dot torturat dhe i tregoi për murgun. E sollën murgun pranë mbretit dhe i tha:


-Kthehu nga feja jonë (eja në fenë e të parëve), – por murgu refuzoi  të bënte një gjë të tillë. Mbreti urdhëroi që të sillnin një sharrë. Pasi murgu nuk pranoi të braktiste fenë e Allahut, mbreti urdhëroi që t’i vendosnin sharrën mbi kokë dhe e ndan në dysh murgun. Pastaj, e sollën të afërmin e mbretit dhe i thanë: “Braktise fenë tënde të re”, Por, edhe ai refuzoi. Edhe atë e gjeti atë që e gjeti murgun, por fenë nuk e braktisi. Pastaj e sollën djaloshin dhe i thanë:


-A do ta braktisësh këtë fe, apo edhe ty do të të gjejë e njejta gjë? -Djaloshi tha:


-Jo, asnjëherë.- Atëherë, mbreti urdhëroi një grup ushtarësh ta merrnin djaloshin e ta dërgonin në kodrën më të lartë në atë vend dhe kur të ngritën në majën e saj të kërkojnë edhe një herë nga djaloshi që të sprapset nga feja e tij, e, nëse nuk e bënë një gjë të tillë, atëherë ta hedhin nga lartë. Kështu, posa u ngjitën në majën e kodrës, ai iu drejtua Allahut duke i thënë: “O Zot im, më mbroj nga këta njerëz si të duash”. Në atë moment, kodra u dridh, ushtarët ranë poshtë dhe u mbytën, ndërsa djaloshi u kthye fitimtar te mbreti. Kur e pa mbreti, i çuditur i tha:


-Ku janë ushtarët e mi, çfarë u bë me ta?! -Djaloshi krenar u përgjigj:


-Allahu mi hoqi qafesh.


Pastaj mbreti urdhëroi një grup ushtarësh tjerë ta merrnin djaloshin, ta hipnin në një barkë dhe me te të futen thellë në det, e të kërkojnë nga djaloshi që të kthehet nga feja e tij, nëse nuk kthehet atëherë ta hidhnin në det. Me t’u futur thellë në det, djaloshi përsëri iu drejtua Allahut: “O Zot im, më mbroj nga këta njerëz si të duash Ti”. Menjëherë u ngritën valët e detit, u lëkund barka dhe të gjithë ushtarët u fundosën perveç djaloshit, i cili u kthye sërish te mbreti. Kur e pa mbreti i çuditur e pyeti:


-Ku mbetën ushtarët e mi, çfarë u bë me ta?! -Djaloshi i’u përgjigj:


-Allahu mi hoqi qafesh,- pastaj i tha: -Dëgjo o mbret. Ti nuk ke për të më mbytur mua derisa të veprosh ashtu si të them unë. Nëse vepron ashtu si të them unë, atëherë unë do të jem i vdekur. -Mbreti i tha:


-çka duhet të veproi unë që të mbys ty?!- Djaloshi ia ktheu: -Të urdhërosh popullin të mblidhen në një vend, pastaj të më lidhesh mua për një trup hurme, pastaj ta marrësh një shigjetë nga shigjetat e mia që i mbaj pas shpine dhe me te të më gjuash. Por, para se të më gjuash, të thuash me zë të lartë: “Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit”. Nëse vepron kështu, ke për të më mbytur.”


Mbreti, duke mos menduar për atë që do të ndodhte, veproi ashtu si i tha djaloshi. Pasi u mbëlodh populli i atij vendi, mbreti morri shixheten nga harku i djaloshit dhe tha: “Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit” dhe shigjeta e qëlloi në faqe djaloshin. Ai, e vuri dorën mbi plagë dhe vdiq. Me të vdekur djaloshi, të gjithë njerëzit që ishin prezent, filluan të bërtasin një zëri: “Besuam Zotin e djaloshit!”


Njëri nga këshilltarët e mbretit i tha atij: “Ja se ç’bëre! Të ndodhi tamam ajo çka kishe frikë prej saj.”


Atëherë mbreti urdhëroi që të hapen kanale, dhe të ndizet zjarr në to. Pastaj të mirren të gjithë njerëzit që refuzojnë të kthehen nga feja e tyre e re në fenë e mbretit e të hidhen në zjarrë. Ushtarët menjëherë filluan të bëjnë një gjë të tillë, derisa i erdhi radha  një gruaje gjidhënëse e cila e mbante fëmiun e saj në grykë. Kur deshën ta hidhinin në zjarr, ajo u frikësua rëndë, saqë ngurroi të hidhej, por Allahu ia mundësoi foshnjës së vogël të cilën e mbante në krah që të flas duke i thënë: “Oj nënë, mos ngurro, por hidhu, se ti je në të vërtetën”. Këtë  ngjarje Allahu e ka cekur në  suren Buruxh, ajetet 4-9.


Asgjë të keqe nuk kishin bërë ata njerëz, përpos që besuan Allahun Një dhe ky u konsiderua mëkati i madh. Eh, sa njeriu është shpallur  armik në të kaluarën e shpallet edhe sot dhe luftohet vetëm e vetëm se beson Allahun Një. Por, duhet ditur se Allahu është më i Madhi. Do të vije dita kur çdo gjë do të del në shesh dhe nuk do të triumfojë asgjë tjetër përpos së vërtetës dhe së drejtës.


Kaq ishte për sot dhe deri javën e ardhshme, selam alejkum ve rahmetullah!


 


 


Dr: Shefqet Krasniqi: Mëshira dhe kujdesi i islamit ndaj shtazëve


 


Islami është fe e përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse e të gjitha poreve të jetës dhe atë jo vetëm të njeriut, por ky din i kushton një rëndësi të veçantë edhe botës shtazore. Thënë ndryshe civilizimi islam me butësinë dhe mëshirën e tij, ka përfshirë edhe botën shtazore, përderisa bota bashkëkohore nuk ka ditë se çfarë është mëshira ndaj shtazës deri në kohën e vonshme, bile disa popuj edhe sot e kësaj dite luajnë e argëtohen duke i mbytur shtazët nëpër festa e tubime të ndryshme. Ky islam në parim ka vërtetuar se edhe bota shtazore është një botë sikur ajo e njeriut, ka karakteret e saj, ka mënyrën e jetesës së saj, specifikat e veta, etj. Për këtë ka thënë Allahu: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme, në shoqëri), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve)”  (Enam:38).


  Si krijesa të tilla meritojnë të mëshirohen dhe të sillemi butë ndaj tyre, në lidhje me këtë Pejgamebri a.s. ka thënë  “Ata që mëshirojnë, do të mëshirohen nga i Gjithëmëshirshmi”, pastaj ka thënë: “Atij që i është dhënë butësia, atij vërtetë i është dhënë një e mirë e kësaj dhe botës tjetër”. Madje mëshira ndaj shtazës mund të jetë shkak që njeriun ta fus në xhennet, siç ka ardhur në një hadith : “Përderisa njëherë një njeri ecte nëpër shkretëtirë e kishte kapluar etja e madhe sa që mendonte se do të vdes nga etja, kur befasi hasi në një pus, zbriti në te piu ujë dhe doli nga pusi. Aty afër pa një qen i cili nga etja e madhe që kishte e lëpinte dheun. Njeriu mendoi: “Me siguri këtë qen e ka kapluar etja siç më pat kapluar mua më herët, – nuk mund ta lë kështu të vdes në këtë gjendje”. Kështu që zbriti në pus, e hoqi këpucën e tij, e mbushi me ujë, pastaj u ngjit lartë dhe i dha qenit të pij. Kështu veproi disa herë derisa qeni u ngop. E Allahu i madhëruar për hirë të kësaj vepre të mirë ndaj qenit ia fali mëkatet dhe e futi në xhennet. Disa shokë e pyetën Pejgamberin a.s.: “A thua kemi shpërblim (sevap) edhe për shtazë?!” “ Po,- tha,- në çdo krijesë të gjallë ka sevap”. E në anën tjetër vrazhdësia ndaj shtazës mund ta shpie njeriun në xhehenem. Ka ardhur në hadith: “Një grua ka hyrë në xhehenem për shkak të një maceje sepse e ka mbajtur brenda dhe as nuk i ka ofruar ushqim e as që e ka lënë të lirë te dal jashtë dhe të gjej vet ushqim”.


Vazhdon sheriati islam në mëshirën ndaj shtazës sa që ndalon që shtazët të shërbejnë si ulëse për të biseduar hipur mbi ato. Njëherë takoi Pejgamberi a.s. disa njerëz të cilit rrinin hipur mbi shtazët e tyre dhe bisedonin, dhe ju tha: “Hipni mbi ato kur t’iu duhen, e zbritni nga ato kur nuk ju duhen, e mos i bëni ato karrika për të biseduar në rrugë e në treg”.  Pejgamberi a.s. ndaloi që shtaza të vuaj nga uria. Kaloi njëherë Pejgamberi a.s. pranë një deveje të lodhur që ju kushte ngjitur barku për shpine nga uria dhe tha: “Keni frikë Allahun për këto shtazë, mbani mirë, dhe hani prej tyre me të mirë”.  Gjithashtu ndaloi që shtaza të mundohet shumë me punë dhe këtë e kuptojmë nga rasti kur Pejgamberi a.s. hyri  në një kopsht dhe aty ishte një deve e cila posa pa Pejgamberin a.s. filloi të lëshoi një zë dhe ti dalin lotë (të qaj), Pejgamberi a.s. iu afrua, e ledhatoi dhe ia fshiu lotët e tha: “Kush është pronari i kësaj deveje?”. Erdhi një njeri dhe tha: ”Unë jam.”  Pejgamberi a.s. i tha: “A nuk ke frikë Allahun për këtë deve që Allahu ta ka bërë pronë tënde? Kjo deve u ankua tek unë se ti nuk i jep mjaft ushqim dhe po e mundon shumë në punë.”


Pejgamberi a.s ka urdhëruar që shtaza e cila është caktuar për therrje të therret mirë, pa e torturuar. Njëherë e pa një njeri i cili e kishte shtrirë delen në tokë, ia kishte vendosur këmbën sipër saj duke e mbajtur fort, dhe e mprehte thikën. Pejgamebri a.s. i tha: “A dëshiron  ta mbysësh dy herë?! Pse nuk e ke mpreh briskun më heret pastaj ta shtrish në tokë?”. Pastaj tha: “Allahu ka caktuar mirësinë në çdo gjë, ashtu që kur të mbytni, mbytni me mirësi (mos masakroni), dhe kur të therrni (shtazë), therrni mirë, mbrehne thikën që të pushon shtaza (ti del shpirti më leht) .”


E shihni pra  civilizimin islam, kulturën e kësaj feje qiellore, e cila ka përfshirë çdo krijesë të Zotit. Thotë një shok i Pejgmaberit a.s.: “Shkuam  në udhëtim me Pejgamberin a.s  dhe pamë një shpezë me zogjët e saj të vegjel. Ne ia morrëm të vegjlit, e ëma erdhi dhe i hapi krahët e tmerruar. Kur erdhi Pejgamberi a.s dhe e pa atë shpezë tha: “Kush e ka shqetësuar atë shpezë?! Kthejani asaj të vegjëlit”. Pastaj Pejgamberi a.s. pa se si ishte djegur një vendbanim i milingonave e tha: “Kush e bëri këtë!? Nuk guxon askush, pos Allahut, të djegë me zjarr dikë”.


Kaloi Omeri kur ishte khalife i muslimanëve pranë një njeriu, i cili e tërhiqte zvarrë delen e tij për ta prerë dhe i tha: “Ah sikur ta kishe dërguar ngadalë e qetë tek vendi i therrjes”.  Ky ishte kujdesi i Omerit për shtazët dhe mëshira e shtetit islam për shtazët.


Omer Bin Abdulazizi, në kohën  kur ishte khalife i muslimanëve, caktonte njerëz që të dalin e t’i këshillojnë njerëzit që të sillen sa ma butë ndaj shtazëve. Jo vetëm kaq, por në librat e vjetra gjejmë si shteti islam ka caktuar vakëfe të cilat kanë qenë të dedikuara për mjekimin e shtazëve të sëmura, e krahas saj vakëfe tjera për përkujdesjen e shtazëve të vjetra, apo të shtyera në moshë. Nga ky kontest gjejmë se juristët islam kanë definuar se: pronari i shtazës e ka obligim përkujdesjen ndaj shtazës, e nëse nuk kujdeset si duhet, shteti i merr shtazën dhe e  shet, ose e therr atë nëse është që hahet. Me rëndësi është që nuk guxon ta lërë shtazën të vuaj.


Ky është sheriati islam, kjo është mëshira e tij ndaj shtazëve. Njëherë, një shokë i Pejgamebrit a.s. i quajtur Ebu Derda, i cili ishte një njeri shumë i madh, kur iu ofrua vdekja, i tha deves së tij: “ O devja ime, mos u anko tek Zoti në Ditën e Gjykimit,  sepse unë nuk të kam ngarkuar më shumë sesa që mund të bartësh”. Ndërsa Adij Bin Hatem –një shokë tjetër i Pejgamberit a.s., e ndante bukën në copa dhe u jepte milingonave duke iu thënë: “Këta janë fqinjët tanë, e ne kemi obligim ndaj tyre.”


Kjo çka u përmend më lartë të nderuar,  është vetëm një pjesë  e tërë asaj çka mund të flitet për mëshirën dhe butësinë e islamit ndaj shtazës. Eh, sa i mirë e sa i butë është ky islam, por fatkeqësisht, ne pak e njohim atë.


Allahu na i zbut zemrat e na bëftë që ta kuptojmë më mirë madhështinë e kësaj feje.


Deri në javën e ardhshme, selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …