Ish deputeti Eman Rrahmani, ka akuzuar Qeverinë në detyrë për pagesa milionëshe ndaj personave të punësuar në institucionet e Kosovës, të cilët, sipas tij, nuk janë paraqitur asnjëherë në vendet e tyre të punës. Rrahmani deklaroi se, bazuar në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, gjatë viteve të fundit janë paguar miliona euro për punonjës që nuk kanë ushtruar detyrat e tyre. Ai veçoi Ministrinë e Infrastrukturës, duke thënë se 61 persona janë paguar me mbi 461 mijë euro pa u paraqitur asnjë ditë në punë. Sipas Rrahmanit, raste të ngjashme janë evidentuar edhe në vitet 2021, 2022 dhe 2023, ndërsa vlera totale e pagesave për këta punonjës arrin në rreth 3.5 milionë euro. Ai tha se këto të dhëna janë të dokumentuara në raportet e ZKA-së dhe se çështja është diskutuar edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku, sipas tij, është kërkuar që rastet të procedohen në Prokurori. Rrahmani theksoi se pagesa e pagave për persona që nuk dëshmojnë prezencën në punë përbën shkelje ligjore dhe kërkoi përgjegjësi institucionale për zyrtarët që kanë autorizuar ekzekutimin e këtyre pagesave. Ai e adresoi përgjegjësinë politike te ekzekutivi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
