Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me mungesën e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet publike. Përmes një reagimi publik, Zemaj tha se problemi i furnizimit me barna po përsëritet çdo vit, duke akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për keqmenaxhim dhe favorizim të tenderëve me një burim. Ai pretendoi se, nëse nuk do të kishte monopol dhe tenderë njëburimorë për furnizimin me barna, mungesat nuk do të ishin të pranishme. Zemaj përmendi edhe një rast që, sipas tij, lidhet me një tender për penjtë kirurgjikalë, duke pretenduar se vlera e kontratës është rritur nga rreth 10 mijë euro në 217 mijë euro, ndërsa çmimi i blerjes për njësi ka qenë dukshëm më i lartë se ai i tregut. Ai kërkoi që pretendimet e ngritura të hetohen nga institucionet kompetente, përfshirë edhe organet e drejtësisë, për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të prokurimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
