MIT
kek
Airport Adem Jashari
mbpzhr 2018
Fillimi / Dëshmorët / Agron Nimon Mehmetaj (2.11.1978 – 24.3.1998)
Agron Nimon Mehmetaj (2.11.1978 – 24.3.1998)

Agron Nimon Mehmetaj (2.11.1978 – 24.3.1998)

Populli ynë shumë herë gjatë historisë u bë mburojë e qytetërimit europian, kaloi nëpër sprova të shumta, por nuk u ndal kurrë në rrugën e lirisë. Nuk e gjunjëzoi as pushtimi gati njëshekullor serb, as ndarja e coptimi i padrejtë dhe robëria në krijesën artificale të quajtur Jugosllavi. Nuk pushoi së gjakuari për liri as atëherë kur ia mohuan gjuhën, kombin e flamurin, kur ia mohuan të drejtën për shkollim, madje edhe të drejtën për jetë.
Në gjirin e këtij populli të robëruar lindi e u rrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila përmblodhi në vete të gjitha përpjekjet e brezave, e përbërë nga ajka e djalërisë shqiptare, e cila me përpjekje të pashembullta dhe me përkrahjen e aleatëve të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bëri realitet lirinë e këtij vendi, duke shkruar me gjakun e bijve e bijave më të mira faqet e lavdishme të historisë së re. Njëri ndër ta është edhe dëshmori i kombit Agron (Nimon) Mehmetaj.
Agron Mehmetaj, u lind më 2 nëntor të vitit 1978, në fshatin Gllogjan të Deçanit, në një familje të mesme, bujare e atdhetare, e cila i përkrahu gjithnjë përpjekjet për liri e çlirim, me theks të veçantë që nga viti 1981 e këndej.
Agroni është dëshmori i dytë i familjes Mehmetaj, nga tre dëshmorët e kësaj familje të rënë në luftën e fundit për liri. Agroni ra dëshmor së bashku me djemtë e axhallarëve, Gazmendin e Artonin, luftëtarë të denjë të Ushtrisë Çirimtare të Kosovës.
Prindërit Nimon e Zyrafete Mehmetaj kishin pesë djem, të cilëve u dhanë një edukatë të shëndoshë shoqërore e kombëtare.
Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Rrezar (ish-Irzniq), ndërsa në vitin akademik 1997/98, u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Teknik, Dega e Makinerisë. Gjatë kësaj kohe Agroni mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat e përgjakshme studentore të organizuara në Prishtinë, sidomos prej 1 tetorit të vitit 1997.
Meqë djali i axhës së tij, Gazmend Mehmetaj, kishte kohë që ishte rrjeshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te e cila pjesa atdhetare i kishte varur shpresat për çlirim, e sidomos rinia përparimtare, Agroni në fund të vitit 1997, lë Prishtinën, braktisë studimet, duke u arsyetuar se në vitin e ri akademik do të shkojnë bashkë me Gazmendin.
Agroni kthehet në Gllogjan, për t’ju bashkuar radhëve ilegale të UÇK-së, për të punuar e vepruar me vetëmohim në çdo detyrë të ngarkuar, duke u qëndruar besnik idealeve të atdheut, deri në rënien e lavdishme më 24 mars 1998, duke hyrë në histori si njëri ndër tre dëshmorët e kësaj beteje, si njëri ndër tre dëshmorët e parë të luftës frontale në Dukagjin, i rënë së bashku me dëshmorët Gazmend Mehmetaj e Himë Haradinaj, në mbrojtje të nxënësve të shkollës fillore “Hasan Prishtina” të Gllogjanit.
Njëzet e katër marsi i vitit 1998 dhe luftimet e përgjakshme që u zhvilluan në Gllogjan, kanë hyrë në historinë tonë kombëtare si datë e shënuar e legalizimit të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rajonin e Dukagjinit, ku qindra policë, paramilitarë e ushtarë të njësive speciale serbe, të ardhur edhe nga Korpusi Ushtarak i Gjakovës me dhjetëra tanke e autoblinda, hasën në një qëndresë të fuqishme të Familjes Haradinaj dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së, dhe pas dymbëdhjetë orë luftimesh të rrepta forcat serbe u detyruan të tërhiqen me turp e humbje të mëdha.
UÇK me vetëmohim e sakrifica të pamohueshme i sfidoi forcat policore, ushtarake e paramilitare serbë, i tejkaloi shpifjet e etiketimet poshtëruese dhe nuk u shua as për 24 orë, as për muaj, as për një vit siç pretendonin disa, por luftën për liri e kurorëzoi me fitore.
Në Betejën e 24 Marsit, Agroni në vend të diplomës së Universitetit, pa i mbushur 20 vjet, shpejtoi të marrë diplomën më të shtrenjtë, diplomën e përjetësisë, të vulosur me gjakun e tij të pastër – Dëshmor i Lirisë.
Dëshmorët Agron e Gazmend Mehmetaj, janë varrosur më 27 mars 1998, në Gllogjan. Pas rënies, për heroizmin e trimërinë e treguar në luftë për liri, Agron Mehmetaj, është nderuar me mirënjohje të shumta nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit e UÇK-së, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta etj. ( F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Musa Selman Begu (19.10.1969 - 17.9.1998)

Musa Selman Begu (19.10.1969 – 17.9.1998)

Në familjen Begu të Kaqanollit, që ishte e njohur për trimëri jo vetëm në Shalë ...