Ahmet Qeriqi: Çështja shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë duhet të rikthehet për shqyrtim

 


Prej kohës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në gusht të viti 2001, pozita e shqiptarëve në ish-RJ të Maqedonisë nuk ka ndërruar asgjë në esencë. Ndryshimet që kanë ndodhur janë të karakterit pragmatik-politik dhe kanë të bëjnë vetëm  me joshjen e shqiptarëve për të marrë pjesë në institucionet e këtij shteti, i themeluar në Mbledhjen e komunistëve serbë e sllavë të AVNOJ-it, më 29 nëntor të vitit 1945. Qysh atëherë kjo republikë jugosllave ka zbatuar dhunë sistematike shtetërore kundër shqiptarëve etnikë, me qëllim të dëbimit nga trojet e tyre të lashta, duke i trajtuar si turq, apo si shqiptarë me fe islame dhe duke i diskriminuar në të gjitha aspektet ekonomike, politike, kulturore e kombëtare. Vetëm ata shqiptarë që i kanë shërbyer besnikërisht regjimit kanë gëzuar të drejta politike dhe janë bërë pjesë e institucioneve, duke përkrahur pushtetin dhe duke i shërbyer atij  në dëm të interesave të bashkëkombësve të tyre. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, qe bërë me një presion të fuqishëm politik nga bashkësia ndërkombëtare, e cila duke parë se ushtria dhe policia sllavo-maqedonase nuk mund ta përballonte luftën e shqiptarëve, që u mbështeten nga vëllezërit e tyre  vullnetarë nga Kosova, Shqipëria dhe nga Kosova Lindore, arriti ta bind Qeverinë e Shkupit se e vetmja zgjidhje, për të mos lejuar ndarjen e shtetit, edhe ashtu artificial në pikëpamje politike, kombëtare, historike e gjuhësore, ishte nënshkrimi i një marrëveshje me shqiptarët kryengritës, të cilët në qershor të vitit 2001 po bëheshin gati të hynin fitimtarë, në Shkup.


Klasa politike shqiptare në Maqedoni e përfaqësuar asokohe edhe në Qeverinë e Shkupit nuk kishte strategji të realizonte aspiratën e çlirimit dhe bashkimit kombëtar me Kosovën apo me Shqipërinë. Për më tepër ajo kishte qenë pjesë e koalicionit qeveritar gjatë tërë kohës së luftës. Kreu politik i luftës, nën presionin e grupeve të interesit politik, që ndikohej drejtpërdrejt nga Kosova e Shqipëria, u tregua i paaftë për të luftuar deri në arritjen e qëllimit, meqë nuk kishte strategji të qartë, as plan definitiv me rastin e fitores. Si kishte kuptim të luftohej, të derdhej gjak, për te mbetur sërish nën po atë shtet kundër të cilit qe nisur lufta. A kishte kuptim të derdhej gjaku, për te mbetur serish ne suaza të një autonomie kulturore e cila “de jure” ka ekzistuar qysh prej vitit 1945, por “de facto” kurrë nuk është implementuar. Këtu qëndron mungesa e strategjisë së kreut të luftës dhe mu për këtë shkak lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare stagnoi në radhë të parë për shkak se nuk pati as qëllim , as strategji të qartë, sikur kishte për shembull lufta e ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, që kishte një strategji unike dhe një kërkesë të vetme politike, liri dhe pavarësi nga Serbia, si fazë fillestare.


Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit u bë nën kushte të diktatit, dhe ata që pranuan ta nënshkruajnë këtë marrëveshje, pranuan vetëm një autonomi kulturore e politike për shqiptarët dhe asgjë më shumë. Për më tepër, nënshkrimi i kësaj marrëveshje sanksionon çdo mundësi të revidimit të proceseve, meqë në parimet themelore përcaktohet ruajtja në çdo segment e këtij shtet sllav, pa identitet të mirëfilltë kombëtar, gjuhësor dhe historik. Në pesë pikat e para të kësaj marrëveshjeje shkruan:


1. Tërësisht dhe pa kusht hedhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë.


2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike.


3. Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike.


4. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht.


5. Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.


Mjaftojnë të lexohen me kujdes dhe interpretohen realisht vetëm këto pesë pika të marrëveshjes, për të kuptuar, dhe, për t’u bindur  se shqiptarët me rastin e kësaj marrëveshjeje, nënshkruan të zezën e tyre, nga e cila burojnë të gjitha të ligat, që nuk iu ndanë, qysh prej asaj kohe e deri tani.


Pika e parë e kësaj marrëveshjeje përjashton përdorimin e forcës në realizimin e të drejtave kombëtare, që do të thotë se ishte përjashtuar në çdo segment lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,  përmbajtja kombëtare dhe karakteri i saj çlirimtar, meqë vetë kreu i saj kishte pranuar kapitullimin, meqë kishte filluar një luftë me karakter kombëtar, ndërsa me rastin e marrëveshjes kishte ulur pazarin me pranimin e një autonomie kulturore.


Në pikën e dytë të kësaj marrëveshjeje, Maqedonia njihet si shtet me karakter unitar, me sovranitet  dhe integritet të pacenueshëm, që nuk lejon asnjë zgjidhje  territoriale mbi baza etnike dhe që përjashton mundësinë e ndarjes, qoftë edhe me plebishit popullor. Këto dy pika përjashtojnë kategorikisht aspiratat e shqiptarëve për të jetuar të lirë e të pavarur në trojet e tyre etnike. Përjashtojnë edhe mundësinë e bashkimit të viseve shqiptare me shumicë Ata, edhe po të realizohej në përpikëri Marrëveshja e Ohrit, nuk do të fitojnë asgjë më shumë se sa një autonomi kulturore me përfaqësim politik në institucione, ku përbëjnë shumicën dhe gjithnjë të trajtuar, si pakicë kombëtare, si ardhacakë, pikërisht ashtu sikur shkruan në Enciklopedinë shtetërore të këtij shteti artificial sllav, të krijuar mbi kurriz të tokave shqiptare dhe bullgare.


Mosrealizimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila në disa segmente nuk i përshtatet as shtetit sllavo-maqedonas, lë mundësi për organizimin e një plebishiti popullor, me qëllim për të kërkuar shfuqizimin e saj, për shkaqe dhe arsye të kuptueshme. Vetëm shfuqizimi i kësaj marrëveshjeje, qoftë edhe në mënyrë të njëanshme, e kthen për rishqyrtim çështjen shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë.


Shteti sllavo-maqedonas i krijuar në mënyrë artificiale, nuk ka identitet të mirëfilltë kombëtar, kulturor, as historik


Popullata, e ardhur nga Bullgaria gjatë luftërave ballkanike, 1912-1914, tashmë shumicë në këtë shtet,është popullatë me prejardhje bullgare, ka historinë dhe gjuhën bullgare, ose një dialekt të kësaj gjuhe, të rënduar në leksik me shumë fjalë turke, shqipe e greke. Emri i këtij shteti është emër grek, dhe Greqia bën mirë që nuk e pranon këtë emër, sepse kur maqedonët grekë dhe dardanët ilirë ishin banorë të kësaj pjese të Ballkanit, sllavet jetonin përtej Uralit si grupe hordhish heterogjene, me një shkallë shumë të ulët të qytetërimit. Është absurd e përtej të gjitha absurdeve të mendohet se këta sllavo-maqedonët e sotëm janë racë e përzier me maqedonët e kohës së Lekës së Madh, i cili ka jetuar plot 1.000 vjet para dyndjes së hordhive sllave në viset e Ballkanit.


Qeveria e sotme e Shkupit po bën përpjekje të pareshtura, por edhe mjaft të suksesshme  për ta devalvuar politikisht çështjen shqiptare, me vetë faktin se ka përfituar klasën politike poltrone, e cila improvizon realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, por ankohet në procesin e ngadalshëm të implementimit.


Çështja shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë ka filluar të gangrenizohet. Janë mijëra shqiptarë  të cilët duke mos parë perspektivë, kanë shfrytëzuar liberalizimin e vizave dhe janë larguar, e shumë të tjerë pritet të largohen nga Maqedonia. Politika diskriminuese e këtij shteti kundër shqiptarëve po vazhdon me një dhunë perfide sistematike, qoftë duke vrarë, plagosur e burgosur shqiptarë, të cilët kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, qoftë duke bërë përpjekje për t’i shkombëtarizuar në formë institucionale, duke i detyruar fëmijët shqiptarë ta mësojnë sllavo-maqedonase që nga klasa e parë, apo e katërt, kjo është gati krejt një, qoftë duke i privuar nga e drejta për punë në institucionet e shtetit, në mekanizmat mbrojtës dhe po thuajse në të gjitha segmentet, që nënkuptojnë dhe e përbëjnë shtetin.


Tetë vjet pas luftës dhe bashkëqeverisjes me sllavo-bullgarët, i pari i BDI-së, ish-përfaqësuesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pranoi botërisht se deri tani ai dhe të gjithë udhëheqësit shqiptarë i kanë bërë amin çdo veprim të këtij shteti. Kjo deklaratë skandaloze e Ali Ahmetit, do të duhej të manifestohej me dorëheqje të përnjëhershme, jo vetëm nga koalicioni me VMRO-DPNE-në ( parti me origjinë nacional-shoviniste), por edhe nga BDI-ja. Merreni me mend, qohet biri i botës dhe e pranon botërisht se ai dhe bashkë-qeveritarët  e tij kanë luajtur haptas  lojën e zotërisë  me shërbëtorin, në stilin “lepe -peqe” dhe tash paska marrë qëndrim të  mos iu bëjë aminin të gjitha kërkesave të Gruevskit. Ja cila është vetëdija politike dhe përgjegjësia e këtij lideri, e cila nuk dallon fare nga ajo e liderëve të PDSH-së dhe të disa partive të tjera.


Çështja shqiptare në Maqedoni as është zgjidhur as mund të zgjidhet edhe nëse realizohet pikë për pikë Marrëveshja e Ohrit. Në një rast të tillë, shqiptarët e atjeshëm do të fitonin një autonomi të gjerë kulturore, por jo shtetformuese, sikur gënjejnë interpretuesit e Marrëveshjes së Ohrit.


Për të dalë njëherë e përgjithmonë nga kjo gjendje që gjeneron krizë, diskriminim, mungesë perspektive, mungesë emancipimi të vërtetë kulturor e kombëtar, shqiptarët në trojet e tyre autoktone historike duket ta shpallin të vdekur Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe ashtu nuk po realizohet. Ata duhet të kërkojnë, që ajo edhe të varroset, në mënyrë që të mos e ndot klimën politike ndër fqinjësore, me hamendje se shqiptarët e sllavët mund të vëllazërohen dhe mund të jetojnë në paqe si qytetarë të barabartë. Ne e kemi provuar bashkim vëllazërimin e kohës së Jugosllavisë së Rankoviqit e të Titos, dhe ata që ende nuk e kanë kuptuar se shqiptarët e sllavët kanë të përbashkët vetëm armiqësinë e tyre, të gjatë 13 shekuj, ata janë iluzionistë të pandreqshëm të infektuar me virusin BV, i cili është njëlloj i rrezikshëm për kombin ashtu si virus HIV për njerëzit. Jam i vetëdijshëm se në mesin e vëllezërve tanë të gjuhës, të kombit e të fesë së përbashkët në Maqedoni, ky shkrim të shpallet tendencioz, ekstremist dhe i lansuar për të shkaktuar përçarje, por e vërteta qëndron mbi faktet dhe fakti se shqiptarët jetojnë nën sllavët apo nën hijen e tyre, jo vetëm në Maqedoni është një realitet i hidhur, të cilit mund të mos i besojmë dhe të cilin mund ta kalojmë në të gjitha rasat gramatikore, por jo edhe në rasën e vetme të realitetit dhe të gjendjes faktike.


Andaj nuk duhet harruar se nuk bëhet dot hasha armiqësia 13 shekullore, as për hir të Amerikës, as për hir të Evropës, sepse tekefundit janë vetë sllavët, ata, që nuk e duan një bashkim me shqiptarët. Këtë, sllavët e kanë treguar me sa e sa shembuj deri tani. Këtë e treguan edhe me rastin e imponimit të mësimi të gjuhës së pushtetit, për të gjithë nxënësit shqiptarë, madje qysh në klasën e parë. Po kjo nuk vlen për nxënësit sllavë, sepse ata qenkan racë superiore, me faktin se i përkasin shtetit të tyre, e jo “do fiseve shqiptare që kanë zbarkuar nga Shqipëria dhe tash po jetuakan në vendin e sllavëve, ku ata paskan jetuar qysh në kohën e Lekës së Madh”.(!) Nga këto pretendime dalin përfundime të zymta, për të gjithë ata që mendojnë se ish-RJ e Maqedonisë është shtet i përbashkët i sllavo-bullgarëve dhe shqiptarëve. Janë dokrra këto dhe të besosh në këto dokrra është sikur të ëndërrosh syhapur.


Marrëveshja e Ohrit ekziston vetëm si një relikt i hidhur, sidomos për shqiptarët. Ajo nuk u zhvillua, sepse nuk iu krijuan kushtet, sepse nuk mund të krijohen kushte mbi polet apo bashkëdyzimet e  panatyrshme. Nuk mund të jetojnë shqiptarët nën sllavët dhe kjo të quhet gjendje normale, sepse shqiptarët tashmë janë popullatë e arsimuar dhe nuk mund të pranojnë, nëse nuk duan të pranojnë,  të jetojnë nën robëri dhe të mashtrojnë vetveten se po jetuakan në një liri e barazi të plotë. Andaj kërkohet rrugëdalje dhe ajo është shumë e thjeshtë. Aq e thjeshtë dhe aq e qartë sa nuk vlen të komentohet. Shqiptarët liridashës e idealistë edhe ashtu po i bashkon opsioni i natyrshëm i bashkimit, i cili përderisa ka vlejtur dhe vlen për grekët, bullgarët, serbët e të tjerë, përse të mos vlejë edhe për ne, nëse duam ta bëjmë Shqipërinë një, qoftë edhe të Madhe, për nga emërtimi. Një Shqipëri me rreth 50 mijë km2, nuk do të jetë shtet aq i madh sa t’ua zë dritën grekëve, bullgarëve apo serbëve, që kanë shtetet e tyre me nga 100 mijë e më shumë  km2.

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …