leoni

Ahmet Qeriqi: Çka kanë paraqitur sot në Hagë, prokurorët e Gjykatës Speciale, në seancën e fillimit të gjykimit kundër krerëve të luftës së UÇK-së

Ahmet Qeriqi: Çka kanë paraqitur sot në Hagë, prokurorët e Gjykatës Speciale, në seancën e fillimit të gjykimit kundër krerëve të luftës së UÇK-së

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Prokurorët e Gjykatës Speciale, në seancën e sotme të gjykimit kundër katër krerëve të luftës së UÇK-së kanë paraqitur pjesë të aktakuzës, të formuluara  duke u mbështetur në të dhënat e dëshmitarëve të mbrojtur, në foto e filmime të kohës së para dhe  gjatë luftës, për të vërtetuar se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, kishte pasur autoritet të plotë gjatë kohës së luftës. Ky është edhe qëllimi kryesor i aktakuzës, sipas së cilës katër krerët e luftës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë pasur autoritet dhe përgjegjësi të nivelit komandues. Ky koncept i aktakuzës është shumë diskreditues, sepse krerët e UÇK-së i kualifikon  si “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, duke lënë të kuptohet se i tillë ishte krejt Shtabi.

Kjo bie ndesh jo vetëm në parim, me deklaratat  e shumta të zyrtarëve të Gjykatës Speciale, të cilët kanë deklaruar se nuk po i bëhet gjyq UÇK-së, por individëve të caktuar, mirëpo këta individë ishin kreu i SHP të UÇK-së.

Realisht, me këtë aktakuzë ka filluar gjyqi kundër UÇK-së, pse jo edhe kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë, e cila bashkëpunoi me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm gjatë dhe pas luftës.

Se cila ishte UÇK-ja, Shtabi i saj dhe çlirimtarët e Kosovës, se cili ka qenë, është dhe do të jetë autoriteti dhe respekti për të,  këtë më së miri  e tregoi dje  tërë Kosova, në Prishtinë gjatë marshimit për drejtësi.

 Përpjekjet,  për diskreditimin e luftës sonë çlirimtare që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës bashkë me forcat e NATO-s, bëhen me qëllim të që të vihet në pikëpyetje Shteti i Kosovës, që është rezultat i një luftë të drejtë, të pastër dhe të domosdoshme për ta ruajtur popullin shqiptar në Kosovë nga shfarosja kolektive e regjimit më kriminal të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, sikur ishte regjimi i Millosheviqit që kreu krime lufte, gjenocid dhe etnocid, jo vetëm kundër shqiptarëve,  por edhe kundër boshnjakëve myslimanë dhe kundër kroatëve.

Duke folur për fillimin e këtij gjykimi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë,  Nicholas Abbott, thotë se  lufta e UÇK-së, as  ajo e Kosovës për liri,  nuk janë në gjyq dhe nuk duhet të gjykohen. Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë ndërhyrjes së saj, si pjesë e NATO-s, si një kauzë e drejtë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare dhe që të gjithë kosovarët të jetojnë të lirë nga represioni”, ka shkruar Abbott. Ai thotë se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Megjithatë, është e drejtë që Kosova të ketë guximin të ndjekë drejtësinë për viktimat e tjera dhe të zbatojë sundimin e ligjit për të gjithë qytetarët e saj, edhe në rrethanat më të vështira. Ky gjyq ka të bëjë me veprimet e individëve. Për shumë njerëz në Kosovë, gjyqi që filloi sot është një sfidë morale. Unë kam vizituar shumë monumente në të gjithë vendin dhe në shumë raste viktimave që ata përkujtojnë u mohohet ende drejtësia, ka saktësuar ambasadori anglez, Nikolas Abbott.

Ky është i vetmi prononcim tani për tani nga radhët e ambasadorëve të shteteve mike, në Kosovë.

Prokuroria e Gjykatës Speciale, pavarësisht se cili është niveli i saj profesional, me leximin e aktakuzës po dëshmon se qëllimi kryesor i saj është  përpjekja për diskreditimin e luftës çlirimtare, duke e shpallur Shtabin e Përgjithshëm “Ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe duke anashkaluar, kushtet, rrethanat dhe momentin historik që Kosova u përcaktua për luftë të armatosur, ashtu sikur kishin bërë më parë kroatët dhe boshnjakët.

Paraqitja e fakteve në këtë aktakuzë është shumë fragmentare, e njëanshme, e bazuar kryesisht në të dhëna të dëshmitarëve të mbrojtur dhe përgjithësisht të qarqeve kundër UÇK-së si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë saj, e bazuar në materiale gazetash, në libra e publikime të ndryshme, me të cilat pretendohet të ndërtohet lënda e saj tash për tash krejt heterogjene.

Është një e vërtetë faktike, historike, e dëshmuar dhe e faktuar se ka ekzistuar dhe ka vepruar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në kushte tejet specifike dhe në rrethana të luftës së pandërprerë, në pamundësi faktike  për një konsolidim të lartë organizativ, për shkak se regjimi serb kishte instaluar në Kosovë krejt forcën e vet ushtarake, policore, logjistikën në terren dhe kontrollonte të gjitha rrugët dhe pjesën më të madhe të vendit e sidomos vijën kufitare me Shqipërinë, nga ku vinin vullnetarët dhe armatimi për luftëtarët e lirisë.

Specifikat në të cilat ka vepruar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, janë të njohura, edhe për fatin se  ende janë gjallë pjesa dërrmuese e anëtarëve të Shtabit, komandantët e Shtatë Zonave Operative, disa struktura politike ushtarake  që gjatë tërë kohës së luftës kanë vepruar, në Tiranë, në Gjermani, Zvicër e në vende të tjera.

Një luftë çlirimtare e përmasave çfarë zhvillonte UÇK-ja, nuk mund të krahasohet me luftën mes dy forcave ndërluftuese sikur ishte zhvilluar lufta në Kroaci, e cila ishte Republikë, apo në Bosnje e Hercegovinë, e kurrsesi nuk mund të krahasohet as me luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër invadimit rus.

Lufta e UÇK-së ishte luftë mbrojtëse e llojit të vet, e dedikuar nga kushtet dhe rrethanat që zhvilloheshin dhe ndërronin nga çasti në çast.

Duke qenë përgjegjës i Radios-Kosova e Lirë, gjatë luftës prej 4 janarit të vitit  1999 dhe drejtor i saj prej korrikut të atij vitit e deri tani, e them me përgjegjësi, duke faktuar me argumente se  një pjesë e madhe e dëshmorëve kanë rënë duke mbrojtur popullatën civile nga shfarosja dhe në vijën kufitare të Kosovës me Shqipërisë, ( asokohe kufiri i Jugosllavisë së mbetur, me Shqipërinë) duke sjellë armë dhe municion për vullnetarët dhe luftën në përgjithësi. Kjo vërtetohet më së miri në biografitë dokumentare të dëshmorëve të UÇK-së, të publikuara në 18 vëllimet e monografive të edicionit: “Feniksët e lirisë”.

Aktakuza e Gjykatës Speciale nuk ka përmendur në asnjë rresht  faktin se luftën e UÇK-së dhe Shtabin e saj e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe NATO-ja. UÇK-ja dhe disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë pjesë e delegacionit të Konferencës së Rambujesë në shkurt, mars të vitit 1999, më vonë kanë qenë pjesë e të gjitha marrëveshjeve pasuese, me faktorin ndërkombëtar, UNMIK, KFOR etj.

Koha do të tregojë se kjo aktakuzë është një ngrehinë politike e qarqeve të caktuara diplomatike, serbe, ruse dhe qarqeve antishqiptare me qëllim që të fajësohet edhe intervenimi i Aleancës Veriatlantike, në ndihmë popullit të Kosovës, për ta ndaluar shfarosjen, gjenocidin dhe spastrimin etnik.

Prishtinë

  1. 4. 2023

Kontrolloni gjithashtu

AAK-ja ka festuar 24-vjetorin e themelimit në një takim me strukturat e të gjitha niveleve të organizimit dhe me simpatizantë

AAK-ja ka festuar 24-vjetorin e themelimit në një takim me strukturat e të gjitha niveleve të organizimit dhe me simpatizantë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka festuar  24-vjetorin e  themelimit, me një takim të organizuar …