Fatmir Graiçevci: Populli i Kosovës e tha fjalën e vet për bijtë e tij që padrejtësisht po i gjykohen në Hagë – ata janë çlirimtarë!

Fatmir Graiçevci: Populli i Kosovës e tha fjalën e vet për bijtë e tij që padrejtësisht po i gjykohen në Hagë – ata janë çlirimtarë!

    Nga pjesëmarrja masive e dhjetëra mijëra qytetarëve liridashës në “Marshin për Drejtësi” në Prishtinë si dhe mijëra të tjerëve para gjykatës së Hagës,  populli i Kosovës e tha fjalën e vet për bijtë e tij që padrejtësisht po i gjykohen në Hagë – ata janë çlirimtar! Çdo vendim tjetër në Emër të Popullit, është tjetërsim i vullnetit të tij! E themi është tjetërsim i vullnetit të tij sepse në “Marshin për Drejtësi”, dje në Prishtinë si dhe në protestën dinjitoze sot në Hagë, morën pjesë qytetar liridashës nga Drenica heroike, nga Dukagjini i pamposhtur, nga Shala e Bajgorës, Llapi e Gollaku, nga Anamorava e Rrafshi i Kosovës, nga Ilirida e Shqipëria dhe mërgimtar tonë nga diaspora. Marshi i dinjitetshëm dje në Prishtinë, dhe protesta e sotme civilizuese në Hagë, treguan më së miri se qytetarët tonë liridashës, po i vlerësojnë liribërësit e kombit e të atdheut dhe se ata do t’i mbajë përherë në mendjen dhe zemrat e tyre, edhe kur ata me pa të drejtë ua mbajnë mijëra kilometra larg nga atdheu, në procese gjyqësore të bazuara në shpifje të sajuara nga një regjim i dënuar nga mbarë bota demokratike e liridashëse. Marshi i djeshëm dhe protesta e sotme, ishin më shumë se sa marsh e protestë. Ishin verdikt popullor se bijtë e tij, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Raxhep Selimi, Pjetër Shala, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj e Hysni Ngucati, nuk janë as vrasës e as kriminelë, por drejtues të luftës çlirimtare e liridashëse. Marshi i djeshëm në Prishtinë dhe protesta e sotme në Hagë, janë edhe emancipim kombëtar sepse duke u solidarizuar me liribërësitë e atdheut, ne dëshmuam se e duam lirinë prandaj nuk pajtohemi dot kur na akuzojnë akterët kryesor të luftës çlirimtare. Një komb që hesht, kur i dënohen liribërësit, nuk mund të themi se e meriton lirinë. Marshi i djeshëm dhe protesta e sotme, ishin më shumë se sa marsh e protestë! Këto dy aktivitete, treguan katërçipërisht se Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Raxhep Selimi, Pjetër Shala, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj e Hysni Ngucati dhe qindra bashkëluftëtarë të tyre, që janë përballur me procese të tilla mbi dy dekada në liri, në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve liridashës janë çlirimtar por ku do e kenë vendin ata që i akuzonin të tillët si vrasës e kriminel, dhe ju bënin thirrje të shkonin në Hagë!? Po soji tjetër që me krenari kanë thënë se kanë dërguar dosje në këtë gjykatë!? A kanë menduar ndonjëherë për veten e tyre se cili do të jetë vendi u tyre në kujtesën popullore e mbase edhe në librat e historisë!? Është për keqardhje se ku e kanë katandisë vetveten të tillët!?

   Gjykata Speciale mbase edhe mund t’i trimërojë të tillët që të deponojnë sa më shumë deklarata e kundër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por çka do të ndodhë kur një ditë do të zbulohen emrat e tyre!? Do të ndjehen krenar apo të turpëruar për pretendimet e sajuara!? Unë një gjë di, historia e njerëzimit është e mbushur me dënime drakonike të njerëzve që kanë kontribuar në emancipimin e popujve dhe njerëzimit, por sot e mbarë bota ka admirim për të dënuarit dhe përbuzje për denoncuesit e tyre, sikur është rasti i Sokratit, Jezu Krishtit, Gjordano Brunos, mandej të botës shqiptare, sikur është rasti i simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçit! Por jo vetëm kaq. Fatkeqësisht, në mesin tonë, ka pasur njerëz që ja kanë shitur shpirtin djallit, për një post apo privilegj, në këmbim të të cilit atdhetar shembullor, janë dënuar me dënim maksimal – pushkatim. Mbase këta shpirtshitur, kanë besuar se emrat e tyre nuk do të zbulohen asnjëherë por ja që fal luftës çlirimtare, sot dihen me emër dhe mbiemër ata bashkëpunëtorë të regjimit shqiptar vrasës titist – rankoviqist, të cilët në këmbim të favoreve e privilegjeve, kanë denoncuar luftëtarë të shquar të NDSH-së, mijëra nga të cilët  janë pushkatuar me gjyq e pa gjyq dhe shumë prej janë varrosur pa shenjë e pa nishan! A e kanë menduar ndonjëherë këta shpirtshitur, se si do të ndjehen pasardhësit e tyre, nëse familjarët e të vrarëve, që ja kanë dal mbanë t’i kenë dosjet e proceseve gjyqësore kundër më të dashurve të tyre, do t’i publikojnë emrat e bashkëpunëtorëve të regjimit shqiptar vrasës, titist – rankoviqist!? Ja çfarë soji i njerëzve janë të tillët që sajojnë shpifje kundër atdhetarëve dhe luftëtarëve të lirisë!? Këta nuk vrasin mendjen as për paraardhësit e as pasardhësit e tyre por vetëm për veten e tyre dhe normalisht, për poste,  e privilegje!? Për sojin e tillë, askush nuk ndjen asnjë grimë respekt, përkundrazi, neveri, përbuzje dhe urrejtje të pafund.

   Ne duhet ta pranojmë botërisht dhe me keqardhje që një pjesë të fajit e kemi edhe si shoqëri sepse asnjëherë nuk i kemi thënë gjërat troç, ashtu sikur janë dhe ta ndajmë shapin prej sheqerit. Thuaja se të gjithë kemi heshtur ndaj paudhësive të shpirt shiturve për shkak të keqardhjes. Nuk kemi treguar për djallëzitë e tyre për shkak të familjarëve të tyre, prindërve apo pasardhësve të tyre por kemi harruar krejt se përse duhet të ketë kujdes viktima për mirëqenien e familjes së shpirt shiturit kur ai vet nuk ka asnjë grimë respekt!? Nëse të tillët nuk lodhin mendjen se në çfarë pozite të keqe do e vejnë familjen për njollosjen që po ja bëjnë me vet dëshirë, përse të lodhemi ne të tjerët!? Përse!?

    Sido që të jetë, marshi i djeshëm në Prishtinë dhe protesta e sotme në Hagë, na dëshmuan edhe diçka tjetër – e ky është mësimi më i mirë. Se kombi shqiptar është emancipuar dhe se nuk do të duhet të kalojnë më vite e dekada për ta kuptuar se kush ka luftuar për atdhe e kush ka bërë sehir!? Nuk pat më nevojë që të kalojnë 50 vite nën robëri për ta kuptuar se ishin drejtuesit dhe anëtarët e NDSH-së që luftuan për liri, komb e atdhe e jo Tito e Rankoviqi me partizanët e tyre dhe puthadorët trutharë shqiptarë. Dje dhe sot u dëshmua se lufta e drejt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj, shumë më shpejt u kuptua dhe vlerësua mirë dhe drejt, dhe fatmirësisht në kohën sa drejtuesit e saj janë gjallë, dhe se pavarësisht se sa larg i kanë degdisur ata nga ne dhe atdheu i tyre, ata përherë janë në mendjen dhe zemrat tona. Se ata në mendjet dhe zemrat e qytetarëve liridashës ishin dje, janë sot e me siguri se do të jenë edhe nesër, pasnesër, përgjithmonë, ju pëlqeu apo nuk ju pëlqeu kjo atyre që po ua bëjnë gjyqin, atyre që deponuan dosje në këtë gjykatë, atyre që çirren duke i quajtur vrasës, kriminel dhe atyre që ju thoshin: çka po pritni,  shkoni në Hagë!

 

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …