leoni

Ahmet Qeriqi: Disa mosmarrëveshje me veprimtarët e Degës së SHHB Nëna Tereze në Shalë (E diel 16 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Disa mosmarrëveshje me veprimtarët e Degës së SHHB Nëna Tereze në Shalë (E diel 16 gusht, 1998)

Vazhdon vapa përcëlluese. Granatimet dhe breshëria e armëve të armikut nuk ka të ndalur. Luftëtarët e UÇK-së po ripozicionohen në vëzhgim dhe sogjetim të terrenit. Herë-herë dëgjohen të shtëna sporadike edhe të luftëtarëve tanë. Në Rrafshin e Dukagjinit vazhdojnë luftimet. Deçani po digjet flakë. Forcat serbe kanë sulmuar edhe në Pejë dhe në brezin kufitar. Luftëtarët që po vijnë nga Shqipëria gjendjen në vijat e fronit në Dukagjin  e paraqesin si shumë të rëndë dhe kaotike.

Këtu në pjesën jugore të Drenicës, pozicionet tona po granatohen nga Çukat e Sankovcit, nga postblloku në Komaran e sidomos nga vend-përqendrimi serb në Zborc. Tani për tani  forcat serbe po granatojnë nga distanca, ndërsa nuk ka lëvizje të këmbësorisë në drejtim të pozitave tona.

Në orët e pas ditës ka pasur zhvillim të reve. Vendi është bërë shkrumb nga thatësira. Ka gjasa për të rënë shi.

Po sot, pa dijeninë tonë, Imer Qeriqi ka marrë në Shalë një sasi të ndihmave humanitare dhe i ka shpërndarë krye në veti. Imeri duke menduar se ka vepruar drejt ka kërkuar që fletëregjistrimin e popullatës së zhvendosur ta çojë në Degën e Shoqatës Nëna Tereze në Shalë. Si duket mu për këtë edhe e kanë manipuluar meqë disa bashkëpunëtorë të Gjurë Gjuroviqit në Shalë, janë të interesuar të mësojnë se cilat familje jetojnë në Grykën e Krojmirit. Ata, tërësisht janë dyndur në fshatra të Rrafshit, ndërsa në fshat kanë mbetur vetëm manipulantëtë e LDK-së dhe të Nënë Terezës, të cilët kanë propaganduar kundër UÇK-së.

Unë, Ramadani, Heseti dhe Elezi e kemi qortuar Imerin dhe i kemi bërë me dije se askush nuk guxon të japë kurrfarë regjistri të popullatës. Sipas konstatimit të Luanit dhe të disa ushtarëve të fshatit Shalë, ka indikacione për keqpërdorime dhe shitje të artikujve ushqimorë në zonat e tjera të luftimeve. Pikërisht për këtë ata kërkojnë emrat e familjarëve për të fshehur veprimet e tyre djallëzore. Mashtrimi që ata i kanë bërë Imer Qeriqit, duke dhënë vetëm 430 kilogram miell për më shumë se tetëqind të zhvendosur dhe për qindra ushtarë që ushqehen këtu në Grykë, ka qenë karrem, vetëm për të ardhur te informacionet për popullatën. Dihen me emër e mbiemër të gjithë manipulantët dhe kam frikë sidomos nga Luani se mos po iu hakmerret, në mënyrën e tij jo edhe aq të lavdishme. Në radhët e këtij shtabi të manipulimeve janë edhe disa bashkëpunëtorë me damkë të Gjurë Gjuroviqit dhe të policëve të tjerë të Lipjanit.

Veprimin e ngutshëm ia kemi falur  Imerit, duke kërkuar nga ai që tani për tani ta ndërpresë lëvizjen për  në Shalë. Bija e tij Ganimete Qeriqi që në ditë e para është rreshtuar në UÇK-së, ndërsa Imeri  besohet se mbanë kontakte të fshehta me një mikun e tij, Muhamet Shabani, i cili ka arritur marrëveshje me forcat serbe për të bashkëjetuar dhe për të denoncuar në rast se ushtarët e UÇK-së zbresin në fshatrat e Rrafshit. Imeri kësaj radhe shpëton për shkakun tim dhe për faktin se është babë i Ganimetes, dhe është zotuar se nuk bën më veprime të tilla.

Elez Durmishi, njëri ndër prijatarët e parë të luftës së UÇK-së që në ditët e para, përmes rrjetit të tij zbulues ka vërtetuar  mbajtjen e një tubimi sekret të ish komunistëve të fshatit, ndër ta edhe bashkëpunëtorë aktualë të regjimit serb. Ai, ka saktësuar natën, kohën dhe vendin ku janë takuar.  ( 12 rreshta të koduar)

Fakti se kemi pranuar në radha të UÇK-së disa nga bijtë dhe bijat e tyre, do të thotë se i kemi mundur, por kjo mund edhe të na kushtojë në raste të caktuara.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Po vazhdon ofensiva gjakatare serbe. Në fshatin Abri kriminelët kanë masakruar 26 anëtarë dy familjeve shqiptare, në mesin e tyre shumica fëmijë (E hënë 28 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Po vazhdon ofensiva gjakatare serbe. Në fshatin Abri kriminelët kanë masakruar 26 anëtarë dy familjeve shqiptare, në mesin e tyre shumica fëmijë (E hënë 28 shtator, 1998)

Gjatë tërë ditës ka rënë shi i imët vjeshte. Ofensiva serbe kësaj radhe po i …