Ahmet Qeriqi: Drejt Prishtinës me shpresa të reja (E mërkurë 23 qershor 1999)

Ahmet Qeriqi: Drejt Prishtinës me shpresa të reja (E mërkurë 23 qershor 1999)

Ashtu sikurse jemi marrë vesh paraprakisht me Nezirin, Nusretin dhe Martinin, sot kam shkuar në Prishtinë.

Rreth mesditës kanë ardhur Reshat Gashi dhe Faruk Gashi.

Nisemi për në kryeqytet. Faruku e nget veturën e tij pa qelq në derën e majtë dhe në anën e sprasme. Edhe pse është ditë me diell, presioni i ajrit të mërdhin.

Fillimisht kemi shkuar te Nezir Myrtaj në shtëpinë e tij të cilën e kanë demoluar por nuk është djegur. Takojmë Nezirin, Kadrien dhe Endritin e vogël. Të gjithë janë mirë me shëndet. Pak më vonë me Nezirin kemi shkuar te Martin Çuni. Atje kemi pritur pak kohë derisa Martini ka ardhur me disa ish gazetarë e punëtorë të Radiotelevizionit të Prishtinës. Një këshill i ish të zënëve me punë në RTP, kanë vendosur të hyjnë në lokalet e Radios edhe pse atje janë vendosur forcat e KFOR-it, të cilët i ruajnë gazetarët serbë. Martini si duket ka interesim t`i bashkëngjitet stafit të punëtorëve me të cilët ka punuar qysh në vitet e shtatëdhjeta.

Më vonë kemi shkuar në Velani në Hotelin DEA, ku janë vendosur zyrtarët e Qeverisë së Përkohshme. Duhet të presim te dera meqë janë vendosur rojet. Pas një kohe ushtarët që ushtrojnë roje në objekt na lejojnë të futemi në ambientet e hotelit.

Kemi biseduar me Jakup Krasniqin dhe me Bajram Kosumin lidhur me statusin dhe punën e Radios. Jakup Krasniqi këmbëngul që sa më parë të fillojmë transmetimin, edhe pse nuk na ofron asnjë ndihmë momentale për të filluar punën. Megjithatë na premton se së shpejti nga fondi i Qeverisë do të ndahen disa mjete dhe nuk do të lihemi anash.

Kemi biseduar edhe me Bajram Kosumin. Ai nuk na premton asgjë konkrete, por  mendon se fillimisht duhet të angazhohemi për hapjen e RTP-së. Bajramit nuk i intereson Radioja e luftës, pasi ajo e sfidon si ministër që “luftën e ka bërë”, në Tiranë

E kuptoj se tani zyrtarët tanë kanë punë të tjera dhe ne nuk iu duhemi më.

Edhe Nezir Myrtaj është mjaft skeptik.

Martini shpreson se punëtorët dhe gazetarët e RTP-së duhet të kthehen në punë. Pastaj ai mendon se, në një vend të caktuar, në të njëjtin objekt do të mund të vendoset edhe teknika dhe stafi i Radios-Kosova e Lirë.

A do të mund të realizohet kjo mbetet për t`u parë, por më duket asnjë punë ende nuk është vënë në rrjedhë të mbarë.

Ka filluar një garë marramendëse e lëvizjeve të njerëzve.

Secili sikur ngutet për diku. Secili ka hallet dhe problemet e veta.

Më duket se ne kemi mbetur jashtë  sferës së angazhimeve, mbase edhe me paditurinë tonë, meqë nuk jemi në gjendje të bëjmë sikur bëjnë të tjerët…

Më vonë kemi shkuar te Martini.

Nga Shkupi, ku kanë qëndruar gjatë luftës kanë ardhur nëna e Martinit, bija Teuta dhe djali Agroni…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Lëvizje të reja të ushtarëve në drejtime të ndryshme (E martë 7 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Lëvizje të reja të ushtarëve në drejtime të ndryshme (E martë 7 korrik, 1998)

Nuk përshkruhet dot dinamizmi dhe ritmika e zhvillimit të ngjarjeve. Edhe pse po mundohem që …