Ahmet Qeriqi: Emisioni special i Nuhi Bytyqit për Radion dhe Agjencinë, përgatitur kohë më parë emetohet në TVSH (12 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Emisioni special i Nuhi Bytyqit për Radion dhe Agjencinë, përgatitur kohë më parë emetohet në TVSH (12 shkurt, 1999)

Heret në mëngjes Isë Krasniqi së bashku me Fatmir Xhelilin dhe Zenelin janë nisur me traktor në drejtim të Shtabit në Divjakë. Pak kohë më vonë si zakonisht me Ali Mullinin nisemi në relacion tonë të përditshëm, Krojmir-Gryka e Kizharekës.

Emisionin e sotëm e kemi përgatitur me mjaft vështirësi meqë na mungojnë informata nga terreni. Megjithatë Neziri ka hartuar një koment lidhur me zhvillimet politike në vend në kontest të Konferencës së Rambujesë, ndërsa unë si zakonisht  i kam redaktuar lajmet.

Konferenca e Rambujesë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit. Delegacioni shqiptar edhe pse heterogjen në pikëpamje politike, duket sikur ka hartuar qëndrime unike rreth disa pikëpamjeve. Tani për tani ka ardhur deri te pika e stagnimit për shkak të obstrukcionit që po bën pala serbe. Si duket as kësaj radhe nuk do të bëjë punë kërcënimi verbal i NATO-s. Kërcënimet e tilla tanimë e kanë devalvuar seriozitetin e një intervenimi të mundshëm.

Në një informacion që është dhënë pasi e kemi transmetuar programin, bëhet e ditur se dje me rastin e varrimit të të masakruarve në Reçak, ushtarët tanë atje kanë arrestuar disa nga të dyshuarit për bashkëpunim dhe i kanë ndëshkuar për veprimet e tyre në mbështetje të forcave okupatore. Duke qenë se disa prej tyre janë ndaluar, shefi i Misionit të OSBE-së, Viliem Voker ka urdhëruar Shtabin që të ndaluarit të lirohen sa më parë. Kërkesa e z. Voker është plotësuar përnjëherë.

Në mbrëmje përmes telefonit kam biseduar me Jakup Krasniqin, i cili aktualisht ndodhet në Rambuje. Ai interesohet për ne dhe familjen e tij në Krojmir. I tregoj se vajzat dhe djali janë shumë mirë. Tani për tani nuk iu mungon asgjë.

Gjatë kohës së transmetimit të programit satelitor, TVSH-ja ka transmetuar  emisionin që afër një muaj më parë e ka përgatitur në selinë tonë gazetari, Nuhi Bytyqi, me ndihmën e kameramanit Abaz Zeka. Emisioni është realizuar me sukses. Biseda ime ka mangësi për vetë faktin se atë ditë kam qenë tejet i lodhur dhe i dërrmuar nga rruga e brengat. Megjithatë emisioni ka qenë afirmativ dhe do të ketë ndikim në opinionin lidridashës të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …