leoni

Ahmet Qeriqi: Faqe e zezë gënjeshtrash e pasaktësish në Wikipedia për luftën e UÇK-së

Ahmet Qeriqi: Faqe e zezë gënjeshtrash e pasaktësish në Wikipedia për luftën e UÇK-së

Edhe pse nuk është faqe zyrtare, nuk do të duhej të lejoheshim  manipulime, pasaktësi e anime në Wikipedia, sepse shumë shfletues nuk e dinë si menaxhohet kjo faqe, andaj thirren në të dhe e trajtojnë si të jetë ndonjë enciklopedi. Për më keq, vetë lexuesit mund të intervenojnë, natyrisht me një lejekalim dhe të bëjnë manipulime, ndër më të çoroditurat.

 

Ja si është prezantuar shkurtimisht lufta e UÇK-së në këtë farë Wikipedia të çoroditur …

 

Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur në Republikën e Kosovës (në atë kohë Republika Federale e Jugosllavisë) ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (JNA-së), e cila filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11 qershor 1999. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbështetje ajrore nga NATO (nga 24 marsi i vitit 1999) dhe mbështetje tokësore nga Ushtria e Shqipërisë.

Në këtë luftë u dëbuan 848,000 shqiptarë nga Kosova, u vranë 15,000 persona, nga të cilët 1,500 luftëtarë të UÇK-së, 1,008 ushtarë dhe policë serbë dhe të tjerët civilë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.

Pasaktësitë logjike: lufta ishte një konflikt. Dihet se si definohet, në cilido fjalor  të gjuhëve të botës,  konflikti dhe si  definohet lufta, sidomos kur keni të bëjmë me një luftë çlirimtare, e cila kurrsesi nuk është konflikt mes dy personash apo konflikt për ndonjë mezhdë arash,  por luftë për çlirim nga robëria.

Pasaktësitë historike. Lufta në Kosovë filloi  më 28 shkurt të vitit 1998.  Dihet botërisht se Lufta e UÇK-së ka filluar me daljen e saj publike më 28  nëntor të vitit 1997, pas sulmit të luftëtarëve të UÇK-së në krye me Komandantin (tani legjendar) Adem Jashari kundër një njësie të motorizuar të policisë serbe, në Ludovik të Drenicës.

 

Nuk është i saktë numri i të ikurve, apo e të dëbuarve, sepse shumica që lëshuan qytetet gjatë luftës ishin ikanakë, disa nga vendet ku luftohej,  ishin të dëbuar.

 

Gjatë luftës  u vranë 15,000 persona, nga të cilët 1,500 luftëtarë të UÇK-së. Edhe këtu kemi pasaktësi, në radhë të parë sepse kategoritë kuptimore i vrarë dhe i rënë nuk janë të njëjta, pasi njerëzit mund të vriten në njëqind  e më shumë mënyra, por për atdhe flijohet jeta dhe thuhet  bie dëshmor, kështu është në fjalorët e të gjitha gjuhëve të botës, sepse dëshmori e heroi bien.

Numri i vërtetë i dëshmorëve të UÇK-së, në nëntor të vitit 1999 është raportuar 1918. Zyrtarisht tani kemi të shpallur rreth 2. 500 dëshmorë.

 

Gjatë luftës në Kosovës  janë  vrarë 1,008 ushtarë dhe policë serbë dhe të tjerët civilë të thjeshtë. Nuk dihet numri i saktë i ushtarëve policëve serbë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë  sepse atë e kishte fshehur regjimi i Milosheviqit. Më 11 shkurt 2013 RTS  ka publikuar  këtë  informatë: Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vuçiq tha se gjithsej 1008 ushtarë dhe policë u vranë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Vuçiq i tha Kuvendit të Serbisë se 631 pjesëtarë të Ushtrisë Serbe u vranë në bombardimet dhe 28 ishin të zhdukur.

Ja në cilat spekulime dhe manipulime është mbështetur hartuesi apo hartuesit e Wikipedias  shqip për luftën në Kosovë.

Vuçiqi nuk pranon se gjatë luftës në Kosovë është vrarë qoftë edhe vetëm një polic apo ushtar serb, por të gjithë qenkan vrarë nga NATO-ja, duke fshehur faktet e prezantuar ne mediet serbe të kohës, edhe pse ishin nën diktat shtetëror, ato  kishin dhënë informata ditore për vrasjen e policëve  dhe ushtarëve serbë nga UÇK-ja  (OVK-ja).

 

Pasaktësitë logjike. Janë vrarë civilë të thjeshtë serbë Përveç se nuk jepet numri zyrtar i Serbisë, ashtu sikur  prezantohet numri i policëve  dhe ushtarëve  thuhet se qenkan vrarë disa civilë të thjeshtë. Nëse nisemi nga ky konstatim, vetvetiu lind pyetja se cilët civilë  qenkan të thjeshtë, cilët  të përbërë, etj.

 

Disa nga këto të dhëna janë interpretuar nga  teksti i historisë për klasën e nëntë, një libër i dështuar dhe jashtë përdorimit, shkruar nga dr. Fehmi Rexhepi, dhe në  të dhënat e RTS-së por jo në burimet shqip, jo në faktet e dokumentet e UÇK-së.

 

Ky ishte vetëm pasusi hyrës në 10 rreshta me dhjetëra pasaktësi, logjike, historike dhe shumë deformime e manipulime. Përpjesëtimi  i njëjtë  hetohet edhe në qindra radhë të tjera kësaj fare  Wikipedie

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …