Brickos

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith

anshme e shpërthimit të luftimeve po thuajse në tërë rrezen e veprimit të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova. Fillimisht forcat armike kanë sulmuar  në drejtim të Shkëmbit të Gradinës, mbi Llapushnik, pastaj sulmi i çartur është zgjeruar rrufeshëm në të gjitha pikat e luftimeve, në Arllat, Tërpezë, Lladroc, Senik, Lladroviq e deri në Bllacë e Temeçinë.

Po ashtu sulmi i akorduar ka vazhduar me intensitet në pozicionet serbe në hyrje të Kizharekës, në Nekoc e deri në Shalë e Krojmir. Disa predha  minahedhësish kanë goditur afër vend-qendrimit tonë. Kemi mbetur duke hulumtuar se nga cila anë nuk ka goditje në mënyrë që të mbrohemi.

Me Nezirin kemi bërë tutje drejt anës lindore të Rrezes së Pallanikut, por edhe në këtë anë ka filluar breshëria e goditjeve me minahedhës nga përqëndrimi serb te Shkolla e Nekocit, ku ditë më parë është vendosur një njësi minahedhësish.

Valdet Hoti dhe Martin Çuni janë nisur në drejtim të Fshatit të Ri, ndërsa Nusret Pllana ka depërtuar te familja e Rizah Berishës në tendën e tyre në zabel. Famir Dugolli ka shkuar në bunker, ku zakonisht ushtron roje gjatë ditës, meqë atje e kemi vendosur teknikën transmetuese.

Deri në orë 14.00 së bashku me Nezirin kemi lëvizur nga një vend në tjetrin duke kërkuar ndonjë strehim pak më të sigurt nga breshëria e zjarrit armik, e cila na befason kudo ku kërkojmë vend më të sigurt.

Raketat tokë-tokë kanë vënë në shënjestër selinë në Berishë. Nga shpërthimi i një granate është dëmtuar një pjesë e shtëpisë. Disa raketa të tjera kanë eksploduar afër selisë. Shihet se armiku pretendon ta shkatërrojë me çdo kusht ish vendqëndrimin tonë.

Luftime të përgjakshme po zhvillohen pozicionet tona te Shkëmbi i Gradinës. Forcat serbe me këmbësori kanë avansuar deri afër pozicioneve  të luftëtarëve tanë. Ende nuk kemi të dhëna për humbjet edhe pse në saje të intensitetit të luftimeve dhe goditjeve me gulinov nga forcat tona e kuptojmë se po zhvillohet një betejë e përgjakshme. Nuk ka tërheqje të luftëtarëve nga pozicionet. Kjo do të thotë se po luftohet fyt për fyt. Drejt shkëmbit të Gradinës ku po bëjnë përpjekje për të depërtuar forcat serbe. Atje po luftojnë luftëtarë e dëshmuar të radhëve të para  Hilmi Sopi, Faik Bujupi, Afrim Berisha e shumë të tjerë. Kanë shkuar në ndihmë edhe shumë ushtarë të pozicioneve të tjera të afërta.

Në vend-luftime kanë depërtuar Ajvaz Berisha, Refki Mazreku i mbiquajtur Vandami e të tjerë. Po atje janë në pozicione edhe eprorët: Fadil Gashi, Xhavit Sadriaj, Muharrem Sylejmani, Dervish Bytyçi, Në mbrojtje të Gradinës nga ana lindore është edhe Fadil Berisha me njësitin e tij. Në ndihmë ka depërtuar dhe një njësit tjetër nga drejtimi i Arllatit.

Sot beteja për t`i ruajtur pozicionet te Shkëmbi i Gradinës po e vendos fatin e luftës çlirimtare. Krejt luftimet janë përqëndruar atje. Meqë arma e rëndë e armikut nuk po qëllon kuptohet se ka filluar sulmi i këmbësorisë dhe tani po bëhet luftë për jetë e vdekje.

Rreth orës 15.00 nëpër breshërinë e Granatave ka ardhur Rizah Berisha. Ai thotë se ka të rënë në mesin e ushtarëve tanë, edhe pse tani për tani nuk dihet numri i saktë meqë luftimet po zhvillohen fyt për fyt.

Emisionin e kemi përgatitur me kohë. Disa informata nga Agjencia na i ka sjellë edhe Metë Bytyçi. Lidhur me luftimet që po zhvillohen në bedenet tona kemi hartuar një lajm të përgjithshëm dhe me qëllim nuk kemi dhënë informatë lidhur me humbjet nga radhët tona.

Emisionin e kemi transmetuar me kohë. Nusreti, Valdeti dhe Fatmiri kanë depërtuar te bunkeri nën zjarrin e predhave të pandërprera të armikut.

Rreth orës 17.30 minuta ka rënë intensiteti i luftimeve në të gjitha anët. Moti filloi të kthejellohet.

Të shtënat drejt Gradinës kanë rënë në intensitet. Me shqetësim të jashtëzakonshëm  presim lajmin për humbjet në radhët tona.

Rreth orës 18.00 Rizah Berisha ka sjellë ushqimin.

Ai na bën me dije se në mbrojtje të suksesshme të Rrafshnaltës kanë rënë 5 dëshmorë dhe disa të tjerë janë plagosur lehtë. Humbje të konsiderueshme kanë pësuar forcat e armikut të cilat ushtarët tanë i kanë lënë të depërtojnë deri në afërsi prej 50 metrash, nga ku edhe i kanë sulmuar furishëm. Nuk duhen humbjet në radhët e tyre. Dihet vetëm se lufta ka qenë tejet e ashpër dhe në fushën e nderit kanë rënë dëshmorë:

Halim Ramadani, i mbiquajtur Hoxha

Ramadan Bytyçi,

Mentor Morina,

Islam Kastrati dhe

Mentor Gashi.

Lajmet e tjera nga terreni bëjnë të ditur se sot forcat serbe kanë ndërmarrë një ofensivë të përgjithshme. Sipas të gjitha gjasave sot ka qenë dita më e përgjakshme qysh prej fillimit të luftës. Në të gjitha zonat operative ka pasur luftime. Mendohet se janë të shumtë luftëtarët tanë që kanë rënë  duke luftuar ballë për ballë me armikun.

Pasi që po bën ftohtë, brenda në tendë, në këndin afër derës e kemi futur stufën. Kemi ngrënë bukë dhe i kemi ngrohur gjymtyrët.

Popullata e zhvendosur sot ka përjetuar tmerre të vërteta. Flitet se ka pasur përpjekje për ikje nga Gryka e Kizharekës, por ushtarët kanë ndaluar çdo lëvizje të popullatës, meqë rreziku është permanent.

….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Serbët po kryejnë akte të tmerrshme të dhunës kundër civilëve shqiptarë. (E shtunë 24 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Serbët po kryejnë akte të tmerrshme të dhunës kundër civilëve shqiptarë. (E shtunë 24 prill, 1999)

Edhe sot kemi kaluar një ditë të mundimshme me shi dhe mjegull. Ditët e tilla …