Ahmet Qeriqi: Intensifikohen sulmet e aeroplanëve të NATO-s mbi caqet serbe. (E enjte 27 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Intensifikohen sulmet e aeroplanëve të NATO-s mbi caqet serbe. (E enjte 27 maj, 1999)

Sot jam zgjuar ende pa gdhirë. Në kohën kur kam dalë në rrafsh, këtu mbi tendë, filluan të përhapen rrezet e para mëngjesore. Gjatë natës kam bërë një gjumë të shqetësuar. Në orën 5 të mëngjesit kam dëgjuar krismat e para të predhave serbe në drejtim të Zborcit. Disa detonime të fuqishme i kam dëgjuar edhe në brendi të kompleksit pyjor të Blinajes. Serbët kanë depërtuar në të gjitha fshatrat  rreth Blinajes prej Ribarit të Madh  deri në Godanc. Një pjesë e madhe e popullatës është futur në Blinajë, nga pjesa e saj Lindore, ku ndodhen shumë banorë të fshatrave të rrethit të Blinajës, Ribar i Madh, Varigoc, Godanc, Kraishtë  dhe nuk dihet se ç mund të ndodh me këta të zhvendosur.

Dihet po ashtu se brenda në Blinajë, janë koncentruar mijëra forca të këmbësorisë armike. Edhe pozicionet tona atje janë mjaft mirë të kamufluara. Tani për tani nuk ka ndonjë lëvizje me përmasa të gjera.

Rreth mesditës janë intensifikuar sulmet e aeroplanëve të NATO-s kundër caqeve  dhe njësive të motorizuara serbe në terren. Moti është relativisht i qetë dhe me tendencë të përmirësimit.

Burimet e huaja të lajmeve sot janë përqendruar rreth ngritjes së padisë nga Tribunali i Hagës për kryekriminelin Milosheviq. Serbët nga ana e tyre nuk i japin fare rëndësi këtij lajmi, por vazhdojnë veprimet e tyre të liga kundër shqiptarëve.

Pasi e kemi përgatitur emisionin ditor për transmetim unë dhe Fatmir Dugolli jemi nisur në rrugë drejt Grykës së Krojmirit. Gjatë tërë kohës sa kemi ecur këmbë kemi parë aeroplanë të NATO-s duke goditur sidomos në rajonin e Dukagjinit. Disa goditje kanë rënë edhe në brendi të Kompleksit pyjor të Blinajes. Sulmet intensive si këto të ditës së sotme po e paralizojnë makinerinë vrastare serbe. Edhe pse kam qenë shumë skeptik se sulmet nga ajri mund ta mposhtin makinerinë serbe, kohëve të fundit kam filluar të bindem se megjithatë janë arritur efekte të caktuara.

Është me rëndësi se së bashku me armatën serbe po shkatërrohet logjistika e saj por edhe tërë ekonomia e Jugosllavisë. Deri tani janë shkatërruar dhjetëra ura të rëndësishme mbi Danub dhe mbi lumin Sava. Po ashtu humbje katastrofale ka pësuar edhe industria e rëndë. Mirëpo Serbia ende nuk ka pësuar humbje në njerëz. sepse forcat e NATO-s i kursejnë civilët serbë. Nga Serbia nuk është larguar askush, ndërsa gjysma e Kosovës është zbrazur.

Në mbrëmje kam depërtuar në tendë. Atje si zakonisht takoj Zymryten, Zamirin e të tjerët. Jeta në tenda tanimë është bërë rëndomësi.

Në mbrëmje vjen Elez Durmishi dhe më tregon për lëvizjet e forcave serbe. Ai më njofton po ashtu se në pritë të forcave serbe është vrarë edhe bashkëfshatari ynë,  Musë Bungu, derisa po mundohej të depërtonte në drejtim të Krojmirit. Lajmi për vrasjen e Musës më lëndon pa masë,  meqë ai një kohë të gjatë nuk ka pasur fëmijë, ndërsa në luftë i ka lindur vajza e vetme. Por luftë është dhe mjerisht lufta po godet, atje ku është më hollë.

Më vonë ka ardhur edhe Nehat Imeri, vëllai i Naimit një tezak imi me të cilin kam punuar shumë kohë në zdrukthëtarinë time në Shtime. Nehati më tregon se gjatë depërtimit në Krojmir është plagosur një shok i tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …