Brickos

Ahmet Qeriqi: Konferenca e Rambujesë në krizë (16 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Konferenca e Rambujesë në krizë (16 shkurt, 1999)

Konferenca në Rambuje ka filluar të përshkohet me krizë permanente.

Pala serbe nuk po i trajton seriozisht problemet për të cilat është ftuar në  Rambuje. Disa plasaritje dhe  mospajtime janë shfaqur edhe në mesin e delegacionit tonë, por qëndrimi unik karshi pretendimeve të delegacionit serb është evident. Përfaqësues të NATO-së kanë kërcënuar Milosheviqin se po përpiqet ta minojë këtë konferencë, ashtu sikurse edhe të gjitha iniciativat e deritanishme.

Sot kemi siguruar mjaft informacione nga terreni. Reporterëtt tanë në zonat operative vazhdimisht na japin informacione përmes telefonit. Në të shumtën e rasteve materialet i incizojmë dhe pasi iu bëjmë hyrjen i transmetojmë drejtpërdrejt. Vetëm në raste kur raporti tonik nuk i përmbush kriteret teknike për emetim, atëherë tekstin e përshkruajmë dhe e emetojmë në kuadër të emisionit të lajmeve. Aktualisht kemi caktuar të gjithë reporterët nëpër zona, të cilët janë edhe drejtues të informimit në kuadër të zonave. Më së shumti paraqitje tonike kemi nga Llapi, Shala, Dukagjini dhe Drenica qendrore. Rajonin e Zonës së Pashtrikut e mbulojmë vetë, ndërsa më pak paraqitje kemi nga Zona e Neredimës për mungesë të pajisjeve përkatëse.

Në mbrëmje së bashku me Fatmir Dugollin nisemi drejt rrugës sonë të përditshme, ku na pret Ali Mullini. Tani kam siguruar edhe një bashkudhëtar, meqë edhe Fatmiri e ka ndërmend të udhëtojë, sepse ka obligime të përditshme në familje. Shtëpinë e ka të djegur gjatë ofensivës serbe të verës  dhe mezi ka siguruar strehë për fëmijët e vegjël dhe tërë familjen.

Në shtëpinë e Arianit ku po qëndrojmë aktualisht sonte kanë ardhur për të ndejtur  edhe fëmijët e Jakup Krasniqit dhe bashkëshortja e tij, Sevdia. Altini është shumë dinamik. Në asnjë çast nuk rri me një vend. Luan me Gresën, Qëndresën dhe Zamirin. Sa herë që ngatërrohen ua shkul flokët motrave, të cilat janë pak më të rritura. Ato i ankohen nënës së tyre Sevdies, e cila e përkund në djep Çlirimtaren e vogël.

Bashkëshortes së Jakupit, i bëj me dije se ditë më parë kam biseduar përmes telefonit me Jakupin dhe i kam treguar se fëmijët janë mirë me shëndet.

Një kujdes të veçantë për fëmijët e Jakupit kanë tezja im Ajshe Kadri Beba dhe  bashkëshortja e xhaxhait tim, Mehdiut, i kyçur qysh moti në radhë e ilegales në Krojmir e më gjerë.

Më vonë më kanë ftuar te shkoj te Dalip Durmishi, një luftëtar i përkushtuar, në mesin e atyre të cilët kanë kryer stërvitjet ushtarake në Shqipëri në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Atje zakonisht tubohen ushtarët në mbrëmje. Aty kam takuar edhe Sylë Qeriqin, Ramadan Rizanin, disa ushtarë dhe Berat Luzhën, i cili ka ardhur për të marrë disa krevatë lëvizës të metaltë dhe një furgon të cilin e ka dhuruar një kushëri i Heset Sahitit, për nevoja të Radios dhe të Agjencisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …