leoni

Ahmet Qeriqi: Luftime të ashpra në Zonën e Llapit dhe në Zonën jug-perëndimore të Pashtrikut, 9 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Luftime të ashpra në Zonën e Llapit dhe në Zonën jug-perëndimore të Pashtrikut, 9 janar, 1999

Sot prej Krojmirit deri në Kizharekë na ka përcjellë me xhipin e tij, Besim Gashi. Sot e kemi kursyer Ali Mullinin, i cili ka edhe angazhime të tjera në Shtabin lokal të Pjetërshticës.

Rruga për në Berishë  është vështirësuar tejmase.

Në mesditë me Idriz Hysenin, i cili mbrëmë e ka marrë xhipin e Radios, jemi nisur në drejtim të Berishës. Dëbora ka filluar të shkrihet, ndërsa në thellësi kanë mbetur shtresat e akullit. Mezi kalojmë deri te Guri i Madh.

Një kohë të gjatë kemi mbetur në një përpjetë dhe ka rrezik të mos arrijmë me kohë. Po me këtë xhip duhet ta transportojmë teknikën transmetuese dhe gjeneratorin në vend-transmetim. Pasi që ndërkohë vijnë disa ushtarë na ndihmojmë dhe arrijmë të dalim deri në Rrafshnaltë.

Edhe sot kemi marrë informacione të shumta nga terreni.

Nga Zona Operative e Llapit, përgjegjësi për informim i Zonës, Muharrem Mahmutaj, ka përgatitur një raport tonik lidhur me të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit, të cilin e kemi transmetuar në tërësi. Vija e ofensivës serbe në Llap është zgjeruar në relacion Bradash-Llapashticë-Brainë-Obrangjë e fshatra të tjera. Forcave serbe iu kanë shkuar ndihma nga Garnizoni i Nishit dhe nga Garnizoni i Prishtinës.

Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në relacion: Carralevë, Duhle, Suharekë.

Edhe pse jemi vonuar paksa, emisioni i Radios Kosova e Lirë ka filluar të transmetohet në orën e caktuar. Vetëm 15 minuta para transmetimit ekipi në përbërje Martin Çuni, Valdet Hoti, Rizah Berisha Isë Krasniqi dhe Nusret Pllana, të ndihmuar nga komandanti, Fadil Berisha e ushtarët  e tij  janë nisur me xhip duke e vendosur paraprakisht transmetuesin, gjeneratorin dhe mjetet e tjera.

Në mbrëmje Nezir Myrtaj dhe Martin Çuni kanë shkuar në Krojmir.

Pasi e kemi kryer programin, ushtarët tanë në Gradinë dhe në Arllat kanë lajmëruar se forca policore dhe ushtarake serbe po ripozicionohen në pikat e tyre ushtarake, sidomos “te Shavarinat”, pastaj në Llapushnik dhe në Smonicë, në hyrje të rrugës për Arllat dhe Tërpezë. Rreziku i fillimit të ndonjë ofensive të forcave të okupatorit edhe në zonën tonë, është evident, sidomos tani kur i kemi provokuar serbët me zërin e Radios-Kosova e Lirë. Druaj se mos po na godasin këtu në seli, meqë shtëpia ku jemi vendosur është në shënjestër dhe përballë forcave armik, më pak se  dy kilometra vijë ajrore.

Tani për tani nuk ka kurrfarë rreziku për depërtim të këmbësorisë armike, ndërsa granatimi nga distanca është fare i mundshëm dhe për këtë të gjithë jemi të vetëdijshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugë me Muhamet Lladrovcin, babanë e dëshmorit të kombit Fehmi Lladrovci (E hënë 10 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugë me Muhamet Lladrovcin, babanë e dëshmorit të kombit Fehmi Lladrovci (E hënë 10 maj, 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet. Gjelbërimi është shtrirë në të gjitha poret e natyrës. Dushku …