Ahmet Qeriqi: Manovrime taktike të forcave okupatore (E martë 6 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Manovrime taktike të forcave okupatore (E martë 6 tetor 1998)

Vazhdon presioni diplomatik i perëndimit kundër Serbisë, por tani për tani pa kurrfarë rezultati. Serbët e kanë përkrahjen e rusëve, të disa shteteve evropiane, dhe të Greqisë. Kërcënimet që vijnë nga Selia e NATO-s, në Bruksel, kanë bërë që disa shtete evropiane të ndryshojnë qëndrimet në favor të Beogradit.

Vërehet se në dy tri ditët e fundit ka një ulje të intensitetit të luftimeve dhe shkatërrimeve të fshatrave. Serbët po manovrojnë në terren dhe sikur po përgatiten për ndonjë ndërmarrje në shkallë të gjerë, qëllimi i së cilës nuk dihet. Ka gjasa që disa forca të tërhiqen nga terreni, ndërkohë që do të zëvendësohen me forca të reja.

Luani me disa ushtarë pasi  ka bërë një kontrollim terrenit ka bërë të ditur se serbët janë tërhequr nga disa postblloqe në Carralevë, por ata paraprakisht i kanë minuar të gjitha vendkalimet. Si duket kështu po veprojnë edhe në relacion Qafë e Duhles, Luzhnicë, Javur. Kleçkë.

Po këto i ka konfirmuar edhe Elez Durmishi. Ai është i mendimit se njësitë e deminimit duhet vepruar sa më parë, në mënyrë që të identifikohen vendet e minuara dhe të merren nën kontroll.

Epiri ka filluar të angazhohet në regjistrimin dhe kontrollimin e artikujve që po vijnë nga të autorizuarit tanë në logjistikë. Ai ka marrë këtë nisjative të cilën po e kryen me përpikmëri. Së bashku me Elhamiun e Sylës po kërkojnë që të armatosen ose të shkojnë në Shqipëri për armatim, mirëpo Elezi nuk po iu jep leje, meqë ende nuk i kanë mbushur 18 vjet. Ata janë këmbëngulës. Epiri iu ka lutur Fatmir Limës, duke i thënë se Elezi nuk po i merr parasysh kërkesat e tij. Fatmiri i ka premtuar se së shpejti do ta autorizojë me armë. E shoh se është disponuar tejmase.

Edhe pse nuk e kanë moshën e duhur ata së shpejti do të armatosen, sado që armët i kemi në mungesë.

Zymrytja, bashkëshortja ime  e ka marrë veten pas vdekjes së babait të saj, Vehbiut. Tani për tani nuk e dimë se ku ndodhet Labja. Si duket nga Tirana është kthyer në Prishtinë. ka gjasa se është duke ndejtur te dajat e mi,  në Prishtinë apo ndokund tjetër.

Arbana së bashku me Mirditën dhe me motrat e tjera medicinale kanë filluar të punojnë në ambulancën e fshatit, në shtëpinë e Xhezair Ollurit, ku është  vendosur tërë ekipi mjekësor.

Kuzhina po finalizohet.

Ka gjasa të fillojë edhe mësimi në shkollë edhe pse lokali është dëmtuar shumë.

Rizah Qeriqi, drejtor i shkollës këtu në fshat ka ardhur për të biseduar lidhur me fillimin e mësimit, edhe pse në kushte dhe rrethana lufte duhet të kemi kujdes nga ndonjë bombardim i mundshëm i forcave serbe. në obkektin e shkollës të cilin gjatë tërë verës e kemi shfrytëzuar për nevojat e luftës.

….

Agjencitë e lajmeve po bëjnë të ditur se ka filluar përçarja e faktorit ndërkombëtar lidhur me intervenimin e mundshëm të NATO-s kundër  regjimit barbar serb.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Sot ishte një ditë tipike e vjeshtës. Një ditë e zymtë, monotone dhe me shi. …