Maskara në Reçak ka tronditur forcat përparimtare në mbarë botën. Ambasadori William Walker e dënon këtë krim të shëmtuar, të cilin e ka quajtur krim kundër njerëzimit, 17 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Maskara në Reçak ka tronditur forcat përparimtare në mbarë botën. Ambasadori William Walker e dënon këtë krim të shëmtuar, të cilin e ka quajtur krim kundër njerëzimit, 17 janar, 1999

Nga Gryka e Kizharekës deri ku më ka përcjellë, Ali Mullini, jam nisur drejt maleve të Berishës. Jam i lodhur dhe i shqetësuar tejmase. Mezi kam arritur të ngjitem përpjetë. Lodhja dhe dhembja më kanë stepur. Sapo kam hyrë në seli, Nusret Pllana më lajmëron se është duke më pritur gazetari i RTSH-së Nuhi Bytyqi, i cili po përgatitë një emision me rastin e fillimit të punës në Radio dhe në Agjenci. Nuhiu dhe kameramani Abaz Zeka, kanë përgatitur një pjesë të emisionit me intervista të Berat Luzhës, Nusret Pllanës dhe Martin Çunit. Nuhiu insiston me çdo kusht që edhe unë të rrëfej diçka rreth fillimit të punës. Isha tepër i lodhur sa nuk mund të rrija me një vend, as për disa sekonda. Më mungonte frymëmarrje e duhur për të folur,  por ata insistojnë, meqë duhet të nisen sa më parë. Mezi kam qëndruar para kamerës dhe nuk jam në gjendje të shënoj se ç’ kam folur. E di se Nuhiu njëherë më ka ndërprerë meqë pata një konfuzion të palidhur fjalësh, dhe më në fund i kam përmbledhur të gjitha forcat për ta mbaruar fjalën.

Ku ia gjeten pikërisht sot kur jam lodhur e dërrmuar dhe tejmase i shqetësuar për masakrën në Reçak?

Ç të bësh edhe kjo është pjesë e punës.

I tërë emisioni i sotëm ka të bëjë me Masakrën e Reçakut.

Shefi i zyrës së OSBE-së në Kosovë, ambasadori amerikan, Viliam Voker, krimin serb në Reçak e ka kualifikuar si masakër të rëndë kundër civilëve. Ai, iu ka bërë thirrje forcave përparimtare në botë që të ndërpriten krime të tilla, sepse në Reçak janë vrarë civilë të pa armatosur gra e burra, fshatarë të varfër. Këto fjalë  me siguri se mund të kenë pak peshë në diplomacinë e rëndë ndërkombëtare.

Edhe pse i lodhur dhe i dërrmuar e kam shkruar një shënim të shkurtë për Masakrën në Reçak.

Përveç informatave të shumta për Reçakun, në fund të programit të sotëm kemi transmetuar edhe tri këngë korale.

Në mbrëmje në selinë tonë ka ardhur një vajzë nga Fshati i Ri. Ajo është Ajete Zogaj, absolvente apo profesoreshë e gjuhës shqipe dhe ka shfaqur interesim të punojë së bashku me ne. Pas provave të diksionit dhe leximit, edhe pse ajo kishte shqetësime të zakonshme para mikrofonit, jemi pajtuar që Ajetes t`i mundësojmë të punojë, por pa i caktuar ndonjë detyrë të veçantë. Mendoj se pas një kohe ajo do ta marrë veten dhe do të mund të na ndihmojë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime …