leoni

Ahmet Qeriqi: Me Ramë Bujën te Jakup Krasniqi në Negroc (E premte 10 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Me Ramë Bujën te Jakup Krasniqi në Negroc (E premte 10 korrik, 1998)

Ashtu sikur jemi marrë vesh ditë më parë me Shukri Bujën, sot, në mëngjes u nisëm në drejtim të Kleçkës. Shukriu me xhipin e tij na ka përcjellë deri në Shtab. Aty kemi pushuar një kohë të gjatë derisa Agron Krasniqi, djali i vëllait të Jakupit, ka ardhur për të na marrë dhe në orët e pas ditës kemi depërtuar në Negroc.

Pozicionet e Ushtrisë tonë çlirimtare janë vendosur edhe në hyrje të fshatit, afër shtëpisë dhe pronave të Jakup Krasniqit dhe të vëllezërve të tij.

Jakupin e gjejmë në odë. Kohë më parë i ka dhënë një intervistë gazetarit Ismail Syla, ish i burgosur politik, vëllai i Gani Sylës nga Kizhareka.

Oda e përbashkët e vëllezërve Krasniqi të Negrocit, është odë tradicionale shqiptare. Aty edhe para  fillimit të luftës vajtje ardhjet nuk kanë ndaluar asnjë ditë. Të gjithë të afërmit e tij  janë në shërbim të ushtrisë, madje edhe kushërinjtë. Aty, tanimë është një qendër ndërlidhëse në mes të Likocit dhe të Kleçkës.

Jakup Krasniqi është një kuadër i dëshmuar dhe atdhetar i vendosur. Emërimi i tij zëdhënës ka qenë vendim i qëlluar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  meqë Jakupi ka aftësi dhe mundësi për t’i përballuar sfidat.

Kohëve të fundit duket tejmase i lodhur, meqë flen pas ose aspak. Gama e angazhimeve të tij është e papërballueshme, mirëpo ai nuk jepet.

Edhe pse unë me Ramën kemi shkuar për një bisedë konkrete, duke qenë se oda është e mbushur përplot, ne me shumë vonesë kemi filluar disku timin lidhur me Drejtorinë për Marrëdhënie me Publikun dhe për Administrim Civil.

Ndërkohë ka ardhur Shaban Shala me të vëllanë e tij, ushtar. Pastaj kanë ardhur edhe Sokol Bashota, Ferat Shala e disa ushtarë të tjerë, të cilët venë e vijnë pandërprerë. Oda e mbushur përplot. Bisedat ndër më të ndryshmet. Dominojnë ngjarjet nga terreni. Aty mësoj se  qindra ushtarë tanë e mbajnë të rrethuar postbllokun dhe bunkerët serbë në pikat strategjike të fshatit Kijevë. Për ta mbajtur nën rrethim policinë serbe janë  angazhuar qindra luftëtarë të UÇK-së. Regjimi gjakatar i Milosheviqit ka paralajmëruar se do të marrë ofensivë për t`iu shkuar  në ndihmë 200 forcave të policisë në Kijevë, të cilët janë të armatosur me armët më moderne, por nuk kanë guxim të lëvizin në asnjë drejtim.

Disa nga ushtarakët shfaqin mendime se është më mirë të sulmohet e të eleminohet sa më parë baza serbe në Kijevë, në mënyrë që të lirohen qindra ushtarë tanë, me të cilët do të sulmohej postblloku serb në Komoran.

Janë të shumta idetë dhe mendimet, ndërsa Jakupi Krasniqi si gjithherë me maturi, jep shpjegime të caktuara për zhvillimet, duke qenë i sigurt se aksioni për marrjen e Kijevës do të kushtonte shumë jetë ushtarësh.

Dihet saktësisht armatimi të cilin e disponon armiku. Në raste të tilla, forcave serbe do t`iu shkonin në ndihmë helikopterë  dhe avionë luftarakë të armatës jugosllave.

Kemi biseduar edhe për problemet  e informimit, problemet e riorganizimit të strukturave ushtarake e civile dhe për tema të tjera të pashtershme.

Sokol Bashota dhe Ferat Shala, rrëfenjë për aksionet të cilat i kanë kryer para fillimit të luftës, në zonën e Kaçanikut.

Jakupi ankohet me të drejtë  në disa shokë, ish të burgosur politikë, të cilët jo vetëm që nuk e kanë vizituar, por po tregohen indiferentë edhe tani kur më shumë se gjysmën e territorit të Kosovës e ka nën kontroll UÇK-ja. Gjatë po thuajse tërë natës kemi biseduar për të gjitha e për asgjë, meqë në kushte të tilla nuk kemi arritur të bisedojmë për problemet e organizimit të informimit dhe të administratës civile.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Të gjitha rrugët çojnë në Krojmir (E diel 5 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Të gjitha rrugët çojnë në Krojmir (E diel 5 korrik, 1998)

Krojmiri tanimë është kthyer në një pikë kalimtare, për ku vijnë e shkojnë jo vetëm …