Ahmet Qeriqi: Mund të na godasë kriza e urisë, nëse vazhdon lufta edhe më tej. (E diel 30 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Mund të na godasë kriza e urisë, nëse vazhdon lufta edhe më tej. (E diel 30 maj, 1999)

Kemi kaluar një ditë relativisht të qetë edhe pse ndodhemi në rrethim të hekurt të armikut. Këtu jemi dhe këtu do të qëndrojmë deri në fund. Jemi bërë një me malet dhe këto lugina ku gjallojnë dhjetëra mijëra frymë njerëzish tanë, të cilët kanë pranuar më mirë të vdesin në këto male e shkrepa, se sa të bien në dorë të serbit gjakatar.

Kam frikë vetëm urinë. Vetëm uria është ajo që mund ta detyrojë ndokënd  për ta ngritur flamurin e dorëzimit, por kjo ende nuk ka ndodhur. Nuk ka shenja alarmuese për mungesë buke. Bukën më të zezë se dheu na sjellin nga kuzhina ushtarake. Në fillim menduam se nuk e përtypim dot, por me kohë u mësuam. Megjithatë Riza nuk na harron. Edhe pse mund të rrezikohet seriozisht, ai përveç gjellës që na sjellë, na sjellë edhe bukë të bardhë.

Askujt nuk i shkon në mendje se çka do të bëhet nesër dhe a do të ketë bukë për nesër. Këtu jetohet sot për sot. Këtu askush nuk gëzohet se po vjen edhe një ditë tjetër e bardhë, por secili gëzohet që shpëtuam edhe një ditë, me brengë e frikë për ditën në vijim.

Shpeshherë kanë shprehur dyshimet e mia edhe pse askujt nuk ia kam thënë. I kam besuar dhe i besoj fitores vendimtare, por e kam tepër vështirë të besoj se nuk do të ndodh ndonjë hata e madhe.

Këtu jemi të rrethuar. Në grykat e kësaj pjese të Drenicës me siguri se aktualisht gjallojnë rreth 100 mijë shpirtra. Duhen të paktën 30 mijë kilogramë miell për një ditë, për të mbijetuar, për të mos vdekur urie. Në mullinjtë klasikë bluhen afër 10 deri në 12 mijë, por një sasi e miellit depërton edhe në disa zona të tjera të rrezikuara. Nuk kam njohuri sa rezerva të drithit kemi.

Uria më frikëson më së tepërmi. Deri tani nuk është shënuar asnjë sëmundje e rrezikshme. Në këtë pjesë të rajonit të Drenicës organizimi shëndetësor ka qenë më i mirë se në çdo zonë tjetër. Asnjë sëmundje ngjitëse nuk është shënuar, madje as zgjeba, as kroma. Këto gryka malesh janë përplot barëra natyralë dhe ujë të pastër dhe ajër të shëndetshëm.

Emisionin e kemi përgatitur dhe transmetuar me kohë. Edhe pse nuk kemi sa duhet të dhëna nga terreni megjithatë arrijmë të sajojmë një ditar të lakmueshëm informativ…

Aeroplanët e NATO-s kanë bombarduar edhe bazat emetuese të radiostacioneve të regjimit të Milosheviqit. Radio Prishtina në gjuhën serbe emeton nga një shtëpi, në valët FM. Tërë emisioni është i mbushur me urrejtje për sikur thuhet  banditët dhe fashistët e NATO-s. Nuk ka kurrë farë informatash mobilizuese për sukseset e armatës jugosllave, por emetohen lajme për bombardimet e NATO-s sidomos në caqet civile.

Në orët e mbrëmjes ka pasur fluturime të aeroplanëve të NATO-s, por nuk kemi të dhëna se ku kanë goditur.

Në orët e natës ushtrojmë roje, meqë ka qarkullim të personave të panjohur dhe nuk i dihet. Shkau besë nuk ka.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Zëdhënësi Jakup Krasniqi vendoset në Krojmir (E diel 4 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Zëdhënësi Jakup Krasniqi vendoset në Krojmir (E diel 4 tetor, 1998)

Në orët e para ditës me Beratin kemi biseduar gjerë e gjatë lidhur me luftimet …