Ahmet Qeriqi: Ndihmat, sado modeste vazhdojnë të na vijnë nga të autorizuarit e logjistikës (E shtunë 12 shtator 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndihmat, sado modeste vazhdojnë të na vijnë nga të autorizuarit e logjistikës (E shtunë 12 shtator 1998)

Moti ka gjasa të përmirësohet. Ndodh që stina e vjeshtës të jetë me diell, mirëpo lagështira në Grykë nuk ka të ndalur. Atë e vë në lëvizje sasia e ujit të lumit.

Mbrëmë kanë ardhur Naim Imeri dhe Vehbi Zeqiri. Ata si zakonisht kanë sjellë ndihma  me  një traktoristin, i cili i shoqëron vazhdimisht. Naimi ka sjellë 1100 Dm për nevojat e Shtabit, një pako të madhe të duhanit në vlerë 400 Dm, 60 litra vaj, bateri për tranzistorët dhe gazeta të shumta, për të cilat kemi harruar se ende po botohen.

Po sot kanë arritur nga Shqipëria edhe 13 ushtarë që kanë vajtur atje për armatim dhe municion. Kanë kaluar pa probleme gjatë rrugëtimit.

Në orët e mesditës janë dëgjuar breshëri të shtënash automatike në drejtim të Bretencit, ku është pozicionuar një njësit tankist serb. Edhe pse ushtarët tanë kanë urdhër të mos sulmojnë të parët, si duket janë ndodhur në pozitë ku ka qenë dashtë të luftojnë. Nuk kemi të dhëna të sakta se ç ka ndodhur, por përderisa serbët nuk kanë filluar të godasin me armë të rënda, e dimë se nuk ka pasur të vrarë. Në rastet kur iu vritet ndonjë ushtar serbë për dy orë rresht granatojnë me armë të rënda e sidomos me minahedhës.

Në mbrëmje jemi takuar me shumicën e eprorëve dhe kemi biseduar lidhur me shumë sfida që na presin. Luani, Halili, Elezi, Syla, Jeta, Naimi, Milaimi, Heseti, Shabani, Hamiti, Dritoni, Selatini, Dalipi, Naimi, tanimë janë bërë kuadro të pazëvendësueshme për krejt rajonin tonë në këtë pjesë të Drenicës. Ata i kanë konsoliduar radhët dhe tani për tani nuk ka kurrfarë rreziku të befasimit nga armiku.

Çdo pikë e dyshimtë është nën kontroll dhe vëzhgim. Ushtarët tanë tinës depërtojnë deri në kampet armike dhe shpeshherë ndodh që iu vjedhin edhe municion apo artikuj ushqimorë. Ky është shenjë se ata e kanë mësuar edhe taktikën e komitëve dhe nuk iu frikësohen armëve të rënda të armikut. Përparësia është në moralin luftarak dhe në njohjen e terrenit.

Janë të çuditshme rrëfimet kur ata tregojnë se si ata i kanë plaçkitur ushtarët serbë dhe ata pastaj janë zënë në mes veti duke e akuzuar njëri tjetrin për bracni…

Rrëfimet e luftës janë romane në vete.

Ndodhin çudira, ndodhin befasi të pabesueshme, por  të vërteta.

Naim Imeri dhe Vehbi Zeqiri të vetmit dhe më të përkushtuarit asnjëherë nuk na kanë munguar dhe sa herë që kanë ardhur në kohë ofensivash kanë marrë pjesë në luftime kundër armikut. Ata tanimë po jetojnë ilegalisht dhe lëvizjet i bëjnë të akorduara dhe shumë të sigurta.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …