Ahmet Qeriqi: Në orën 20.00 aeroplanë bombardues të Aleancës Ushtarake Veriatlantike kanë filluar intervenimin nga ajri kundër Jugosllavisë. Në Kosovë dhe përgjithësisht në botë po hapet një kapitull i ri i historisë. (24 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në orën 20.00 aeroplanë bombardues të Aleancës Ushtarake Veriatlantike kanë filluar intervenimin nga ajri kundër Jugosllavisë. Në Kosovë dhe përgjithësisht në botë po hapet një kapitull i ri i historisë. (24 mars, 1999)

Pas publikimit të lajmit se NATO-ja do të intervenojë kundër Jugosllavisë, duket sikur të gjithë shqiptarët kanë marrë frymë lirshëm. Është hera e parë në historinë tonë, që na përkrah forca më e madhe ushtarake botërore. Lufta e deritanishme e UÇK-së tanimë është legjitimuar edhe pse kjo nuk thuhet. Mbase do të na prijë fati edhe pse fare lehtë mund të gjendemi para një sulmi frontal të kriminelëve serbë, të cilët në shenjë hakmarrjeje kundër intervenimit, mund të na vërsulen nga të gjitha anët.

Sot dhuna serbe ka filluar të përshkallëzohet. Ofensiva shkatërrimtare tanimë ka përfshirë tërë territorin e Kosovës. Janë të shumta fshatrat të cilave ua kanë dhënë zjarrin pasi paraprakisht i kanë granatuar e plaçkitur. Serbët po godasin me raketa tokë-tokë dhe kaqushë në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Luftime të ashpra po zhvillohen kudo në Rezallë e Likoc, në Malishevë e në Istog, në Llap e në Marec, në Rugovë e Kaçanik. Shumë shpejt pritet shpërthimi i ofensivës edhe drejt pozicioneve tona në Caralevë, Blinajë, Llapushnik, Arllat e pika të tjera të luftës.

Rreth mesditës nga të gjitha vendluftimet kanë ardhur informacione të përshkallëzimit të ofensivës serbe.

Jemi në pritje të intervenimit por ende nuk po ndodh asgjë.

Kemi përgatitur emisionin për transmetim, të cilin si zakonisht e kemi transmetuar me kohë.

Në orën 20.00 kemi dëgjuar disa detonime jashtëzakonisht të fuqishme. Të gjithë kemi dalë në oborr për të parë se ç’po ngjet.

NATO-ja më në fund filloi intervenimin ushtarak kundër caqeve serbe. Me shpejtësi rrufeje u sulmuan baza dhe pikë-pozicione të forcave armike. Detonime të fuqishme dëgjohen edhe brenda kufirit të Serbisë. Një zjarr e më pastaj krisma e fuqishme është dëgjuar edhe në bazën ushtarake serbe në Sllatinë, te Aeroporti. Një aeroplan i armikut është goditur diku mbi fshatrat Llazicë, Carrallukë të Malishevës. Flaka e madhe ndriçuese ka përshkuar tërë Rrafshnaltën. Një flakë e madhe zjarri po digjet në vendin e quajtur, Te Smonicat.

Të gjithë kemi dalë afër selisë në vendin e quajtur Te lisat, unë Martini, Neziri, Nusreti, Isa, Berati, Besniku, Komandanti  i togës së Berishës Fadili, pastaj Riza, Meta, Milaimi  Valdeti, Qemali dhe disa banorë të lagjes. Sulmi i NATO-s na ka dhënë zemër. Vërehet një dozë e papërmbajtur e lehtësimit shpirtëror. Edhe pse jemi të vetëdijshëm se ç pasoja dhe sulme të egra të barbarisë serbe na presin në ditët në vijim, ndihemi tejmase të gëzuar me faktin se po ndodh historia, po legjitimohet lufta jonë e drejtë kundër barbarisë pushtuese. NATO-ja në pesëdhjetëvjetorin e saj të themelimit nuk mund pa të mos vihej në mbrojtje të vlerave universale qytetëruese. Këtë e tha mbrëmë me zë burrërie e humanizmi presidenti amerikan, Bill Klinton.

Goditja e NATO-s, do ta satanizojë për gjithmonë Jugosllavinë si fajtore për të gjitha krimet e kryera sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit kundër popujve të Ballkanit.

Gjatë tërë kohës sa kanë zgjatur sulmet kemi qëndruar jashtë, duke vështruar e duke komentuar se si do të manifestohet kjo ngjarje e rëndësishme e historisë sonë më të re. Me rastin e fillimit të bombardimeve  në tërë Kosovën është ndërprerë rryma. Ndër ne mbretëron një gjendje e ekzaltuar e ngazëllimit. Për veten time jam paksa më i rezervuar, sepse sikur e parandiej se bisha e goditur, bëhet shumëfish më e rrezikshme. Në rast të tillë ajo përlanë çdo gjë që gjen përpara. Deri në orën tre të mëngjesit nuk kemi rënë për të pushuar.

Mirë sot, po a di kush se çka do të bëhet nesër?

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …