Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” II-III

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës – 29 maj 1998-24 qershor 1999” II-III

(E premte 2 prill, 1999) Ndërpresim përkohësisht programin e Radios. Martin Çuni ka caktuar vendin ku do të rregullohet bunkeri për transmetim.

Para dite, me Nezirin dhe Ali Mullinin nisemi nga Krojmiri për në Berishë.

Arrijmë te varrezat dhe takojmë Ismet Sopin, i  cili na tregon se forcat serbe kanë granatuar drejt shtëpisë së  Riza Berishës dhe vend emetimit në Bajrak. Serbët kanë sulmuar me raketa me qëllim që ta rrafshojnë vendin e selisë.

Banorët e Berishës, të fshatit të Ri dhe dhe të Terpezës tanimë ndodhen nëpër tenda në grykat e Kizharekës dhe  të Nekocit.

Ismet Sopi po ashtu na tregon se Martin Çuni, Nusret Pllana, Fatmir Dugolli, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha kanë depërtuar në maje të Pallanikut për të filluar hapjen dhe rregullimin e bunkerit për transmetim.

Pas pak me Nezir Myrtajn nisemi për në Pallanik. Atje takohemi me të gjithë. Martini këmbëngulë që sa më parë të rregullohet bunkeri dhe të rifillojmë transmetimin. Unë shfaq mendimin se kjo pikë mund ta rrezikojë popullatën në të dyja lugjet në Berishë dhe në Nekoc. Megjithatë pajtohem që të bëjmë përpjekje dhe të mos rrimë kot. Këtu vendi është shumë i përthyer. Vetëm me kuaj mund të mbartet materiali. Duhen dhjetëra traj bungu dhe shumë  thasë zalli. Pastaj vendi për të gropuar është krejtësisht gurinor. Të gjithë pajtohemi se Maja e Pallanikut është një pikë strategjike, e cila nuk do të mund të goditej, veçse me aeroplanë.

Në orët e vona të pas ditës së bashku me Nezirin lëshohemi teposhtë kodrës së Pallanikut dhe depërtojmë në Grykë të Kizharekës.

Mësojmë po ashtu se aeroplanët ushtarakë të armikut kanë sulmuar në Shalë të Bajgorës, në një vendqëndrim të popullatës dhe të UÇK-së. Ka të vrarë dhe shumë të plagosur. Duket sikur janë po ata aeroplanë që  kanë bombarduar në Kleçkë, në Berishë, por edhe në Gllogjan e në Likoc.

Kemi pritur pak kohë derisa ka ardhur Ali Mullini dhe pastaj jemi nisur për në Krojmir

 

Fillon sulmi serb kundër fshatrave Kizharekë, Nekoc, Baicë, Shalë e Krojmir. Makineria armike ka filluar depërtimin në tri drejtime

E shtunë 3 prill, 1999

 

Heret në mëngjes filloi ofensiva serbe në Luginën e Drenicës. Forcat e motorizuara serbe kanë filluar granatimin nga pikëpozicionet e tyre në Komaran dhe te Çukat. Armata serbe po sulmon në dy drejtime. Njëra palë e motorizuar është nisur rrugës së Komaranit në drejtim të Fushticës, Mirenës dhe të Risinovcit, ndërsa ekspedita tjetër nga Gryka e Llapushnikut në drejtim të Kizharekës e të Nekocit. Forcat ushtarake kanë depërtuar me shpejtësi deri në udhëkryqin Shalë Risinovc. Ushtarët tanë tanë kanë zënë pozicione në hyrje të grykave. Sulmi është shumë i furishëm. Forcat serbe po përparojnë në terren duke goditur fshatrat nga distanca me armë të rënda dhe raketa tokë tokë.

Popullata ka filluar të dyndet drejt Grykave. Janë me mijëra banorë në Krojmir, të cilët kanë mësyrë Grykën. Janë edhe mijëra të tjerë që kanë ardhur këtu nga zona të ndryshme. Nuk ka leje për të ikur në drejtim të Zborcit. Kësaj radhe, meqë serbët kanë filluar të masakrojnë deri ku arrijnë, nuk ka as përpjekje për të  ikur drejt fshatrave të Rrafshit.

Në orën 14 Epiri, Arbana, Rrezja, Zamiri, Zymrytja, Labja, së bashku me Altinin, Qëndresën, Gresën dhe Sevdien bashkëshorten e Jakup Krasniqit nisen në drejtim të Grykës. Po ashtu janë nisur edhe fëmijët e Hasanit. Epiri paraprakisht e ka rregulluar tendën dhe ndërkohë atje i ka vendosur edhe rrobat e nevojshme. Në orën 15,00 ka filluar granatimi mbi Krojmirin dhe Pjetërshticën. Mijëra banorë po bëjnë përpjekje për të hyrë në Grykë, Rrugët jam mbushur përplot me kamionë dhe traktorë. Janë me mijëra veta që dynden. Disa traktorë kanë mbetur defekt, nëpër rrugë, e cila  është e ngushtë dhe përthyer. Fillimisht ushtarët tanë me ndihmën e popullatës i kanë mbatrur 84 të plagosurit të cilët janë vendosur në tendën e madhe të Spitalit, e cila është ngritur ditë më parë në qendër të Grykës. Në Grykën e Shpëtimit është krijuar  rrëmujë por nuk ka rrezik nga arma armike sepse anën Veriore e mbron Grapi gjigand. Në dy anët e grapit janë të barrikaduar ushtarët tanë të cilët me gulinovë e ruajnë hyrjen.

Zhvendosja e popullatës drejt Grykës së Shpëtimit, i tejkalon përfytyrimet tona lidhur me zhvendosjen biblike. Janë afër shtatë mijë e ndoshta edhe më shumë veta që kanë depërtuar ose janë duke depërtuar në Grykë. Një punë të palodhshme në këtë drejtim bëjnë anëtarë e Shtabir civil, Ramadan Rizani, Shyqri Iballi, Heset Hamdiu, Bajram Rizani, Vehbi Qeriqi dhe dhjetëra të tjerë të cilët janë përkujdesur për të plagosurit, për barërat, për grurin, miellin dhe krejt çka kemi këtu. Ushtarët tanë kanë zënë pozicionet dhe presin derisa të afrohet këmbësoria armike.

Në orën 16.00 të fundit nga lagja jemi larguar unë dhe Nezir Myrtaj. Kemi depërtuar nga rruga e Kronit dhe tutje kah Rizanët kemi hyrë në Grykë. Neziri ka marrë me vete një kompjuter Lop-top dhe një çantë. Duke kaluar mbi “Gurrën e Gatë” e hetoj një zgavër të madhe të lisit të ahut, ku e vendosim Lop-topin, meqë është i rëndë për ta bartur  dhe aktualisht nuk na hyn në punë. E shikoj mirë vendin dhe jam i sigurt se kurdo të kthehemi e gjej pa vështirësi.

Pasi ka dëgjuar për ofensivën, nga Shtimja është nisur edhe baba im, Ali Emin Miftari. Ai ka rrugëtuar këmbë disa orë dhe më në fund ka arritur në grykë. Familja e Isufit dhe nëna janë në Rashincë, te nipi, Ismajl Haxhiu.

Duke qenë se nuk arrijmë të depërtojmë nëpër rrugë, meqë rrugët janë ding të mbushura nga të gjitha anët me traktorë, rimorkio kamionë e qerre kuajsh, së bashku me Nezirin depërtojmë nga ana e malit.

Në mbrëmje arrijmë në tendë. Pak më vonë kanë ardhur edhe Martin Çuni dhe Nusret Pllana. Ata na bëjnë me dije se Berati me të tjerët ka ndaluar në një shtëpi në Karaçicë dhe mendon që sonte natën të ikë në drejtim të Zonës së Neredimës.

Duke qenë se nuk kemi ku ta fusim kokën për ta kaluar natën, unë, Neziri, Martini dhe Nusreti depërtojmë në shtëpinë tonë në Krojmir, ku mendojmë të pushojmë deri në agim dhe pastaj pa u zbardhur sërish do të kthejmë në Grykën e Shpëtimit.

Hyrja në fshat është e siguruar nga ushtarët tanë. Trupat serbe kanë depërtuar deri në hyrje të Shalës, Nesër në mëngjes ata do të provojnë të nisen drejt nesh.

Sapo kemi arritur në shtëpi të gjithë kemi rënë të këputur nga lodhja.

Më vonë ka ardhur edhe Epiri së bashku me Agronin e Elez Durmishit për t`i tërhequr edhe disa rrobe dhe ushqime, të cilat i kanë ngarkuar në qerre.

Të gjithë kanë fjetur ndërsa unë edhe pse i lodhur nuk kam gjumë. Duhet të kujdestaroj meqë fare lehtë mund të ndodhin befasira.

Ndërkohë vjen Elez Durmishi dhe më tregon i gjithë plani i tërheqjes së popullatës është realizuar sipas parashikimit. Në fshat kanë mbetur vetëm dhjetëra ushtarë. Të tjerët kanë zënë pozicionet në anën e epërme të rrugës në drejtim të Shalës, nga ku pritet këmbësoria armike. Një njësi sulmuese me gulinov dhe një minahedhës është vendosur mbi Lagjen e karpuzëve, në hyrje të Krojmirit. Situata në Blinajë është e qetë, ndërsa në Caralevë nuk ka përpjekje të forcave armike për të na sulmuar. Elezi të gjitha këto raportime i bën duke e ditur se unë i shënoj të gjitha në kronikë. Ai thotë se ka tri ditë që nuk ka fjetur as edhe një minutë, por mbahet për mrekulli.

Taktika ushtarake që kanë përdorur Elezi, Naim Ismajli, Sylë Qeriqi, Sejdi Elezi e eprorë të tjerë të Batalionit tonë, ka bërë që deri tani të korrim sa e sa suksese, duke i ikur konfrontimit ballë për ballë me forcat armike, por duke e sulmuar  atje ku ata nuk e presin.

Depërtimi i suksesshëm i popullatës në Grykë dhe përforcimi i pikave drejt grykës, janë detyrat më të suksesshme që janë kryer gjatë tri ditëve të fundit. Kjo është meritë e disiplinës, solidarësisë dhe kompaktësisë që ekziston në radhët tona.

O zot, a thua a do t`ia dalim edhe kësaj radhe?

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet dukshëm. Edhe gjelbërimi sa vjen e pi i vishet tërë …