leoni

Ahmet Qeriqi: Një ditë e rëndë dhe e zymtë. Serbët kanë kryer edhe një masakër tjetër çmeritës, në Burgun e Dubravës duke akuzuar NATO-n edhe për këtë mizori të tyre (E hënë 24 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e rëndë dhe e zymtë. Serbët kanë kryer edhe një masakër tjetër çmeritës, në Burgun e Dubravës duke akuzuar NATO-n edhe për këtë mizori të tyre (E hënë 24 maj, 1999)

Gjatë tërë natës forcat serbe të pozicionuara në hyrje të Shalës kanë granatuar në drejtim të Grykës dhe të pozicioneve të luftëtarëve tanë. Si duket serbët kanë frikë nga  sulmet tinëzare të ushtarëve tanë, të cilat disa herë i kanë befasuar  afër vendqëndrimit të tyre. Ata me siguri se kanë dijeni për ngritjen në erë të bunkerit në Magurë, nga ana e forcave tona dhe tani kanë frikë nga ndonjë sulm tjetër i papritur.

Edhe pse duhej të nisesha qysh në mëngjes në drejtim të Berishës, kam pushuar deri në mesditë meqë  ka rënë shi.

Në orët e pas ditës,  sapo ndaloi shiu jam nisur në drejtim të Lezhës e prej andej në rrugë për në Berishë. Rrugës takoj kalimtarë të shumtë të cilët depërtojnë nga një vend në tjetrin. Shumica syresh janë nga Drenica Qendrore, të cilët nuk dinë asgjë për fatin e familjeve të tyre. Ata kanë depërtuar në këto anë dhe mundohen të gjejnë të afërm, apo miq, për të marrë vesh për më të dashurit e tyre.

Gjatë rrugës për në Berishë jam ndier shumë i lodhur. Moti i lig po na  vështirëson tejmase qëndrimin nëpër tenda. Edhe disa aeroplanë të NATO-s që kanë defiluar mbi territorin e Kosovës, më dukeshin të lodhur. Edhe forcat serbe sot duken si të hutuara. Ndoshta edhe ata janë lodhur nga rrethimi dhe koha e ligë. Shiu, mjegulla, tymi i puseve të bazenave të karburanteve që po digjen ka krijuar një atmosferë të rëndë vdekjeje, një atmosferë tejet të zymtë.

Në tendë kam takuar Nezir Myrtajn dhe Valdet Hotin. Të tjerët kanë dalë për të vëzhguar terrenin apo kanë shkuar te ndonjë i njohur i tyre.

Edhe në tendë mbretëron atmosferë e zymtë.

Lajmi për bormbardimet e NATO-s në kompleksin e Burgut të Dubravës, në Istog, është konfirmuar. Serbët akuzojnë NATO-n, ashtu sikurse edhe në rastet e tjera kur ata qëllimisht kanë kurdisur skena të tilla djallëzore.

Burimet tona nga terreni bëjnë të ditur se serbët kanë marrë vetëm pretekst goditjen e NATO-s dhe më pastaj me armë të ndryshme kanë vrarë dhe masakruar qindra shqiptarë të burgosur.

Nuk dihet numri i saktë i atyre që kanë pësuar, por flitet se në burg kanë mundur të ndodhin rreth 1000 të burgosur shqiptarë, por nuk dihet numri i të vrarëve.

Të gjithë jemi dobësuar fizikisht. Dukemi të lodhur, të tretur dhe të sfilitur nga pagjumësia dhe jeta të në kushte shumë të rënda.

Megjithatë gjallojmë dhe shpresojmë.

Luftës po i vjen fundi. Forcat serbe nuk po arrijnë të konsolidohen as të ndërmarrin ndonjë sulm të akorduar. Disponimi në radhët e tyre nuk është më ai i kohës së fillimi të luftimeve, por egërsia dhe barbaria kanë ngelur po ato…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Serbët janë detyruar ta nënshkruajnë kapitullimin. Marrëveshja parasheh largimin e të gjitha forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova. (E enjte 10 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Serbët janë detyruar ta nënshkruajnë kapitullimin. Marrëveshja parasheh largimin e të gjitha forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova. (E enjte 10 qershor, 1999)

Nga lajmet e hershme të mëngjesit bëhet e ditur se është nënshkruar marrëveshja teknike në …