Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Përpjekjet e disa klaneve e individëve për t’ u veshur me merita, para, gjatë dhe pas luftës, zbehin edhe të vërtetat e tyre… I

Hallakama e përgjithshme për të rrahur gjoks patriotizmi, për tu veshur me “petkun e lirisë”, për të cilin  është derdhur gjak, ndërsa dikujt nuk i ka munguar as një qime floku gjatë luftës  së UÇK-së, të  cilën e  kanë bërë në vendet e Evropës, të përbashkuar rreth fondeve,  për luftën “tejet të rëndë dhe të rrezikshme”  nëpër  hotelet e Tiranës e gjetkë,  përpjekjet për të na bindur se akëcili grup apo klan ia paska kthyer dinjitetin kombit, duke mos përmendur dinjitarët e vërtetë, Adem Jasharin me dëshmorët e dëshmoret e UÇK-së, përpjekjet për të qëndruar në radhët e para pas luftës, ndërsa gjatë luftës fshiheshin nga një vend në tjetrin, përpjekje të tjera për ta zhvlerësuar SHP të UÇK-së, për të vënë në dyshim se kush e ka themeluar atë, për të përhapur gënjeshtra se Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë qenë të instruktuar nga shërbimi francez i inteligjencies,  duke vënë në dyshim edhe përkatësinë e tyre kombëtare, përpjekjet për ta deformuar luftën e UÇK-së, për ta paraqitur Adem Jasharin  si kryetar fisi, përpjekjet për ta paraqitur luftën e UÇK-së luftë për mbrojtjen e pragut të derës apo të “fisit të jasharëve”, nuk janë vetëm përpjekje të çoroditura e të marrëzishme, por ato bëhen me qëllim për të goditur bazamentin e së vërtetës për luftën e UÇK-së, nga disa ndoshta jo me qëllim të keq, por të verbuar nga megalomania  dhe euforia që po zgjat dhe  nga disa të tjerë, me qëllim për ta diskredituar atë…

Ata që aq fort i mëshojnë sot telit të LPK-së, madje duke e njëjtësuar si LPK-UÇK, thjesht për qëllime karrieriste politike, për t’ i treguar krahut të tyre në Vetëvendosje, se ata e paskëshin pasur më herët një Lëvizje, tani të bashkuar me Vetëvendosjen dhe se qenkan  protagonistët kryesorë të binomit LPK-VV, ose të vijës së pretenduar të Republikës së Tretë  LPK-UÇK-VV, kanë pretendime të caktuara politike, por nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, me proceset e zhvillimet realiste,  të cilat dëshmohen me gjuhën e fakteve dhe argumenteve….

Këtë luftë sistematike, pa ndërprerë e kanë bërë dhe e bëjnë disa “mendje…” nga brenda UÇK-së e disa nga jashtë.

1.

Sot,  të gjithë po tregohen trima, por më trima po tregohen  ata që gjatë luftës nuk kanë qenë fare në zonat e luftimeve, por kanë kryer detyra “super të përgjegjshme” pa të cilët, sipas tyre  nuk ishte bërë lufta, sepse  gjatë luftës,  “truri” i kombit paska qenë jashtë, në Tiranë,  dhe në disa qytete të vendeve të Evropës.

Po aq të zëshëm e të zhurmshëm tregohen disa veprimtarë për mbledhjet e tubimet që i kanë mbajtur në vitet 90, kur 90 për qind e tyre ishin brenda LDK-së pacifiste, ( thonë se  aty paskan  qenë sa për sy e faqe, apo për ta marrë kalanë nga brenda, por në fund i përzuri nga partia vetë kryetari i saj, Ibrahim Rugova, pak para se të shpërthente lufta).

Edhe më trima tregohen disa qyqarë e mjeranë, të cilët familjet i kishin siguruar në Tiranë e gjetkë dhe vetë shëtisnin me armë e me uniformat e UÇK-së nga një zonë në tjetrën, por kurrë dhe asnjëherë në vijat e frontit të luftës.

Dihet fare mirë kush dhe ku ka vepruar në mërgatë, kush ka qenë i pazëvendësueshëm atje, kush ka hyrë në Kosovë  gjatë luftës dhe është larguar në nivel detyre e angazhimi, por dihet si kanë vepruar disa të tjerë, sidomos në kohën e ofensivave. Ne, që kemi qëndruar prej ditës së parë të luftës në frontet e saj, e shumë më herët në organizimin e saj,  secili sipas detyrave e angazhimeve, i dimë të gjitha, shumica nesh edhe i kemi shënuar dhe dëshmojmë për të gjitha veprimet e mosveprimet, që kanë ndodhur gjatë luftës, po thuajse në të gjitha zonat.

Në kontestin historik, psiko-social, kjo mund të shpjegohet si pasojë e robërisë shekullore, e njerëzve që iu kanë nënshtruar çdo regjimi dhe kanë përfituar për veten e familjet e tyre, duke mos e çarë fare kokën për ata të tjerët, që kacafyteshin me regjimet e huaja shtypëse e shfarosëse. Dhe, mjerisht kjo ka qenë shumica, gjatë tërë historisë shqiptare, sado që rrahin gjoks se janë trimat e dheut, se të gjithë shqiptarët janë,  “Mic Sokolë e Adem Jasharë”.

Struktura mendore e veprimeve të skllavit, është mashtruese, hipokrite, goditje pas shpine, përsëritje e gënjeshtrave, etiketime ndër më të neveritshmet për kundërshtarin, përpjekje për të ndërtuar kauzë me gënjeshtra e mashtrime e trillime sipas momenti, thjesht, strukturë mediokrish të rrezikshëm për mbarëvajtjen e shoqërisë.

Të tillët propagandojnë se janë të parët, se kanë qenë në burgje,  disa edhe kanë qenë, por kush sa herë ka qenë dhe sa herë është dënuar,  edhe kjo dihet.

Të tillët pretendojnë  se janë themeltarë të LPK-së,  se UÇK-ja qenka pjellë e LPK-së, se  tri luftërat çlirimtare  i ka bërë LPK-ja dhe një varg konstatimesh që nuk i qëndrojnë realitetit faktik, as historik.

Askush nuk e mohon rolin opozitar të LPK-së, opozitë  e fshehtë e LKJ-së së në vitet  80-të dhe deri diku edhe opozitë e LDK-së në vitet 90-të.

Por kur konstatohet kështu, duhet parë pak më gjerë historinë e Lëvizjeve tona të rezistencës.

 Shumë kohë para LPRK-LPK-së, kanë vepruar organizatat më të njohura të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, sikur ka qenë Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare: Imer Berisha, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri etj, e cila veproi politikisht e ushtarakisht  prej vitit 1943-1944 deri në vitin  1963, kur u themelua, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Trojeve me Shqipërinë, (shkurt LRBSH), në krye të së cilës ishte më meritori dhe më i madhi i Lëvizjes kombëtare, Adem Demaçi.  Pastaj në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, prej vitit 1968 e deri në vitin 1981 kanë vepruar dhjetëra organizata kombëtare, shumica dërrmuese e të cilave iu kanë përmbajtur programit politik, kombëtar të LRBSH-së, pavarësisht emërtimeve.

Në vitet 70-të e 80-të ka qenë mjaft e përhapur në nivel të Kosovës e më gjerë Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ)

Në vitet 70-të, 80-të organizatat më masive, kanë qenë ato me program majtist, organizata e parti marksiste leniniste, por me platformë të çlirimit dhe bashkimit të Kosovës e viseve të tjera me Shqipërinë.

Të gjitha këto organizata, pas kërkesave plebishitare të vitit 1981, përkrahen idenë e krijimit të Republikës së Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë, madje njëra nga to ( PKMLSHJ) kërkonte edhe krijimin e një Republike të të gjithë shqiptarëve brenda Federatës Jugosllave.

Asokohe, një pjesë e veprimtarëve politikë të vendit formoi edhe Lëvizjen Për Republikën e Kosovës (LPRK), në akord me kërkesat plebishitare të kohës.

Me themelimin dhe regjistrimin në Beograd të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vitin 1989 krerët më të njohur  të Lëvizjes Atdhetare (Lëvizjes ilegale) u inkuadruan në LDK dhe vepruan me besnikëri në platformën e saj, bashkë me ish strukturat e Lidhjes Komuniste Jugosllave, të cilët në shenj pakënaqësie për shërbimin 45 vjeçar që i kishin bërë Jugosllavisë,  në momentin historik kur e panë se  ishin përzënë, ata të  hidhëruar e të zhgënjyer,  i kishin dorëzuar triskat e partisë, veprim të cilin e kishin quajtur “revolucionar”.

Kjo ishte koha kur shumica dërrmuese e ish të burgosurve politikë ishin pranuar në radhët e LDK-së, ndërsa një pjesë tjetër brenda dhe jashtë vendit, kishte mbetur e hutuar, por me kohë ishte aktivizuar rreth Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Ata që aq fort i mëshojnë sot telit të LPK-së, madje duke e njëjtësuar si LPK-UÇK, thjesht për qëllime karrieriste politike, për t’ i treguar krahut të tyre në Vetëvendosje, se ata e paskëshin pasur më herët një Lëvizje, tani të bashkuar me Vetëvendosjen dhe se qenkan  protagonistët kryesorë të binomit LPK-VV, ose të vijës së pretenduar të Republikës së Tretë  LPK-UÇK-VV, kanë pretendime të caktuara politike, por nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, me proceset e zhvillimet realiste,  të cilat dëshmohen me gjuhën e fakteve dhe argumenteve.

Ky projeksion, këto pretendime megallomane, kanë qëllime të caktuara politike, për të lënë anash të gjitha përpjekjet e Lëvizjet e tjera, duke bërë  katapultime të paqëndrueshme, por që kanë një qëllim të caktuar politik, me shpresë për ta marrë nga brenda Vetëvendosjen, ashtu sikur  dikur, të njëjtit kishin bërë përpjekje për ta marrë nga brenda LDK-në, në kohën e Ibrahim Rugovës. Se cili është sot elektorati i Vetëvendosjes dhe sa u beson ai elektorat veprimtarëve të rezistencës, flet një fakt i njohur. Të gjithë të burgosurit politikë në Vetëvendosjes nuk kanë marrë vota  as sa një, Mimozë Kusari.

Ata që po përpiqen të lidhin fijet e tyre të së kaluarës me të sotmen, kanë shkuar aq larg sa në Dyzet-vjetorin e demonstratave e protestave të Marsit-Prillit-Majit të vitit 1981, (“ të pranveres’81”)  ndërruan kryefjalën “Republikë”, të cilën e zëvendësuan me “Vetëvendosje”, duke  manifestuar fitoren historike të “ Lëvizjes Vetëvendosjes”. !?

Këto pretendime janë shkizmatike dhe  si të tilla kanë shkaktuar jo vetëm huti e përçarje,  por edhe deformime të papranueshme për realitetin faktik dhe historik  të së kaluarës.

Këta megalomanë, vepra dhe aktiviteti i të cilëve është i njohur botërisht, këta të vetëquajtur protagonistë  të historisë, që e paskan bërë dhe po e bëkan historinë, duket  se janë ekzaltuar dhe entusiasmuar para kohe, si atëherë kur kanë qenë në LDK, pas luftës në PDK, e në parti të tjera e tani në VV.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …