Ahmet Qeriqi: Përse Lulëkuqja simbol i gjenocidit?

Ahmet Qeriqi: Përse Lulëkuqja simbol i gjenocidit?

Fushata për promovimin e Lules së kuqe me katër petale, si “simbol” i së keqes, po vazhdon nga Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”,  por pa dhënë një sqarim paraprak, përse u zgjodh një lule ndër më të bukurat që nxjerrë në sipërfaqe natyra, jo vetëm ndër ne po kudo në botë,  lule,  për ta shënuar gjenocidin.(!)

Nuk besoj që kjo të jetë bërë me eufemizëm, por thjeshtë  nga një ide e momentit, pa ndonjë konsultim të gjerë, sepse nuk ka shembuj në botë ku tmerri, gjenocidi, etnocidi, masakrat, holokausti të përjetësohen me simbole të një luleje, në këtë rast me dy ngjyrat e Flamurit kombëtar, kuqezi.

Katër petalet e kuqe kanë në mes fara të lules, të cilat mund të jenë menduar si grimca baroti, që mbase dikush mund ta ketë menduar si farë që minon lulen, por kjo nuk mund të nënkuptohet nga shikuesi i saj, i ri as plak.

E keqja ka paraqitjet  e veta të njohura në të gjitha qytetërimet, si djalli, përbindëshi, kuçedra, shtriga, Ora e Ligë, oktopodi, gjarpri, hiena, ferri, ujku, që do t’ i përshtatej  më së shumti “vuçeve” të Serbisë, dhe që është patronimi më i përhapur i asaj që quhet,  botë serbe.

Është krejtësisht e pakuptueshme për se bëhet krejt kjo fushatë për këtë promovim, kur ajo ka mundur të bëhet fare thjesht, sepse një qendër e tillë nuk ka nevojë për të marrë verdiktin nga populli, sepse nuk kërkohet “Referendum” për afishim të një simboli, cilido qoftë ai.

Por krejt kjo bëhet për ta promovuar një qendër, e cila edhe ashtu ekziston, është e regjistruar dhe funksionon.

Përpjekja për ta bindur botën për gjenocidin serb në Kosovë, është e kotë, sepse askush deri sot nuk e ka akuzuar zyrtarisht Serbinë për gjenocid, e cila nuk e pranon se ka kryer gjenocid në Srebrenicë e në Bosnje-Hercegovinë e lerë më në Kosovë.

Po humbin shumë kohë për t i treguar botës për një gjendje krimi  të cilën ajo nuk e beson, qoftë me lule apo me thera e driza.

Përpjekja, për ta bindur opinionin se pavarësia e Kosovës është rezultat i gjenocidit serb, është antihistorike dhe antikombëtare

Krejt këtë e bënë lëvizja durimtare pacifiste, e cila sikur e përjashton rezistencën, rënien me armë në dorë, shpirtin idealist të sakrificës, sikur kanë bërë, Adem Jashari, Jasharët e Prekazit dhe dëshmorët e UÇK-së e shumë shembuj të tjerë në histori.

Historia jonë kombëtare është simbol i qëndresës, i luftërave dhe kryengritjeve të pandërprera ndër shekuj e jo simbol i nënshtrimit i skllavërisë, edhe pse të tillë ka pasur dhe ka me shumicë, por ajo shumë njerëzish,  kurrë nuk e ka bërë historinë, edhe pse po mundohet ta shkruajë atë për veten e vetë,  me vellon e durimit e pacifizmit.

Edhe kryengritja për Republikën e Kosovës, është emërtuar “Pranverë kosovare ‘81”, sepse krerët e pretenduar të saj bënë “revolucion” me grushte, derisa dikush tjetër kishte rrëmbyer armët me moton, “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.

Përpjekja për ta bindur opinionin se pavarësia e Kosovës është rezultat i gjenocidit serb, është riafishuar nga kryetarja, Vjosa Osmani, qysh në fushatën e saj elektorale, por kjo përpjekje në radhë të parë është antihistorike, është antikombëtare, është antinjerëzore, sepse mohon në radhë të parë gjakun e derdhur për liri të çlirimtarëve, por edhe të gjithë të tjerëve, sepse në kohën e Ibrahim Rugovës, në vitet 1990-1997 nuk pati gjenocid, por pati skllavëri, durim, nënshtrim, por pati  dhunë policore dhe idiotësi politike. Pati edhe një “revolucion” kur anëtarët e LKJ-së, shqitarë të bashkim vëllazërimit  i hodhën triskat e partisë,  dhe,  këtë e quajtën akt trimëror,  historik.

 …

Përpjekjet për të rishkruar histori politike partiake, duke lënë anash gjakun e derdhur për liri  janë përpjekje idiote dhe kurrë nuk mund të kalojnë.

Përpjekja e historianëve  të kohës së Titos e të Rankoviqit, e bijve  dhe bijave të tyre për ta deformuar të vërtetën historike, është e rrezikshme, është e dënueshme dhe si e tillë e papranueshme, e ligë dhe zezë, ashtu sikur janë jo pak zezona, që na kanë ndodhur gjatë historisë.

Këto përpjekje i shkojnë për shtati edhe Serbisë dhe qarqeve antishqiptare, sepse mohohet UÇK-ja si organizatë çlirimtare, ndërsa krerët e saj,  dënohen nga Gjykata Speciale  sepse gjatë kohës së luftës, së cilës ata i thonë konflikt, disa krerë paskan krijuara  një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, pasi injorohet  fakti se lufta e solli  çlirimin e fitoren,  edhe  me ndihmën nga ajri të avionëve bombardues  të NATO-s.

Nuk ka nevojë që me decenie të tëra të ankohemi se na kanë vrarë e na kanë masakruar serbët, sepse edhe ne kemi vrarë ushtarë e policë serbë, por jo civilë, të cilët kemi mundur t’ i vrasim me mijëra, nuk kemi vrarë as edhe një fëmijë serb gjatë luftës, nuk kemi dhunuar as edhe një femër serbe gjatë luftës, nuk kemi shkatërruar  as edhe një shtëpi banimi  apo kishë serbe.

Këtë duhet t ia bëjmë me dije botës me gjuhën e fakteve, sepse është një e vërtetë që dëshmohet e argumentohet me të dhëna faktike.

Asnjë dobi nuk na vjen nga ankimi, edhe pse e kemi promovuar dhe po e promovojmë qe 23 vjet, por mendësia e skllavit dhe e robit, mbështet logjikën e vet, andaj nuk është për t u habitur pse ndodhin këto “kukulelet” edhe te shqiptarët,   përjetë të jetëve pacifistë  e durimtarë, të denjë për  t’ u radhitur në Librin e Ginisit.

Nuk bëhet ara me urata, por me shata e lopata.

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …