Ahmet Qeriqi: Pjesë nga Kronika e luftës së UÇK-së: Vazhdojnë ardhjet e pandërprera në ngushëllime për Jetë Hasanin. E diel 18 tetor, 1998 III

Ahmet Qeriqi: Pjesë nga Kronika e luftës së UÇK-së: Vazhdojnë ardhjet e pandërprera në ngushëllime për Jetë Hasanin. E diel 18 tetor, 1998 III

Zgjohem i lodhur dhe i dërrmuar nga përjetimet dhe rravgimet e ditës paraprake. Ndihem tmerrësisht i shqetësuar. Kam do parandjenja të liga nga të cilat frikësohem, sepse zakonisht në raste të tilla ndodhin befasi. Mirëpo duhet përballuar, meqë i kemi hyrë kësaj pune të madhe, nëse e lëmë në gjysmë nuk do të na falin brezat.

Edhe Berati ndihet i lodhur dhe i pikëlluar  për Jetën. E ka dashur fort.

Në mëngjes shkojmë në odë te Sylë Qeriqi, ku pandërprerë vijnë ushtarë për ta ngushëlluar familjen e dëshmorit Jetë Hasani dhe të gjithë ne bashkëluftëtarëve.

Babai i Jetës,  xha Azizi, po qëndron i fortë edhe pse dikush i ka bërë të ditur rrethanat e vrasjes së Jetës. I shpjegoj atij se Jeta ka rënë në krye të detyrës ushtarake, dhe në krye të detyrës bihet jo vetëm nga plumbi i armikut por edhe në rrethana të tjera. I them që të ketë kurojo sepse çështja do të zbardhet nga Shtabi, vendimet e të cilit të gjithë  i respektojmë.

Xha Azizi është  burrë i besës dhe i zakonit. Ai ka perceptimin dhe mendimin e tij, por sapo e përmenda Shtabin e Ushtrisë, në fytyrën e tij pashë një shprehje të thellë aprovimi, që përnjëherë i fjeti në shpirtin e tij të trazuar e të pikëlluar, të cilin nuk e shprehu me një qetësi shpirtërore.

Në orët e paditës kam biseduar me Naim Imerin dhe Vehbi Zeqirin të cilët po bëjnë përpjekje që sasinë e rezervuar të artikujve ushqimorë ta sjellin në zonën tonë,  sapo të krijohen kushtet. Më vonë kanë ardhur edhe Nazmi Iballi i cili ka treguar për rrethanat e arrestimit. Nazmiu thotë se para policëve ka pranuar që ka qenë në Pjetërshticë për t iu dhënë rrogat arsimtarëve meqë formalisht ai punon edhe në Këshillin e Financimit.

Nazmiun, policët e Shtimes në fillim e kanë  arrestuar së bashku me bashkëshorten e tij. Ai thotë se policët e kanë kërcënuar përse ai është larguar nga radhët e LDK-së. Ata i kanë bërë me dije se do të jetë nën kontroll. Nazmiu ka dorëzuar edhe 5000 DM për nevojat e shtabit, ndërsa ka shpjeguar se dega e LDK-së në Shtime nga fondi i Bukoshit në emër të luftës ka marrë 100 mijë DM. Nazmiu thotë se ka mundësi që një të treten e të hollave nga një anëtar i degës së LDK-së ta tërheqë për ne.

I tregoj se për çështje të tilla duhet të pyeten përgjegjësit për furnizim në Shtab.

Nazmiu prej fillimit të luftës në vazhdimësi ka ndihmuar me të holla dhe mjete materiale. Është me rëndësi edhe fakti se mbanë shënime të cilat për shkaqe sigurie i lë këtu, ndërsa kohë pas kohe i merr dhe i shënon hyrjet e daljet. Nazmiu e ka zgjeruar rrethin e donatorëve deri në Pozharan dhe në Gjilan.

Ai ndër të tjera tregon edhe për propagandën që po zhvillohet nga kreu i LDK-së sidomos kundër meje. Përmend emrin e një njeriu  i cili ka trilluar se gjoja unë takohem me policinë serbe, në Zborc. Një tjetër ka thënë se daja Ahmet ka ikë për në Shqipëri dhe krejt familjen i ka lënë në Grykën e Krojmirit.

E marr me mend se kush dhe për ç` arsye i fabrikon të gjitha këto, ndërsa nga Nazmiu kërkoj që të mos brengoset as të mos përfolë fjalë të tilla. Për Ali Sadriun i them se  është kuadër besnik i LDK-së, por ai as familja e tij nuk kanë bashkëpunuar as bashkëpunojnë me regjimin  e Serbisë(….Dy fjali të koduara….) Po shihet se serbët e kanë riaktivizuar rrjetin e spiunazhit sidomos te ato familje të cilat kanë dhënë dëshmi për lojalitet qysh nga koha e pushtimit serb në Kosovë.

Pas mesnate ka ardhur edhe Jakup Krasniqi së bashku me një ushtarak.

Ai na tregon për një koncentrim të madh të forcave serbe në relacion Komaran-Llapushë. Ka gjasa që mund të jemi qysh nesër në shënjestër të këtyre bandave, në shenjë hakmarrje për humbjet që kanë pësuar ditë më parë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe vazhdojnë të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. (E hënë 26 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe vazhdojnë të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. (E hënë 26 prill, 1999)

Shiu nuk po pushon. Mjegulla po na futet thellë në mushkëri. Serbët po lëvizin. Aeroplanët …