Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Pjesë nga Kronika e Luftës: Vazhdojnë ngushëllimet për Jetë Hasanin. Sot kudo ka pasur lëvizje të forcave serbe. E hënë 20 tetor, 1998 V

Ka  dyshime, por jo të dhëna  faktike, për vrasjen me paramendim të Jetë Hasanit. Ka edhe mendime se vrasja është kryer me pahir.

Sot në mëngjes në vendqëndrimin tonë në Krojmir, kanë ardhur vëllezërit Hyzer dhe Besim Gashi si kushëriri i tyre Idriz Gashi. Ai jeton në Ferizaj. Me të nuk jam parë  ka disa muaj. Ai si duket ka rrezikuar dhe ka ardhur për të na parë se si i kemi punët dhe si po gjallojmë në këto anë.

Besim Gashin e kemi angazhuar në përkujdesjen civile për fshatin Pjetërshticë. Ai, ka filluar kontaktet e tij tregtare dhe  në vazhdimësi i ka ndihmuar ata që janë të nevojshëm për ndihma.

Jakup Krasniqi edhe sot është nisur në drejtim të maleve të Berishës.

Ne, si zakonisht kemi shtegtuar pikave tanimë të njohura te Oda e sylës ku ende po mbahen ditët e ngushëllimit për dëshmorin Jetë Hasani, pastaj në ambulancë, në Kuzhinën ushtarake e kështu me radhë.

Në mesin e shokëve të ngushtë të Jetë Hasanit vërehet jo vetëm dhembja por edhe dyshimi se dikush nga radhët e UÇK-së po mbanë lidhje me organet serbe të policisë. Ditë e më tepër gishti i dyshimit po drejtohet te drejt një personi…pjesë e koduar…

Në mesin e informacioneve që përfliten, pas fillimit të luftës   (NN) është parë në mesin e forcave ushtarake serbe në Sllatinë. Është fakt se  ai nuk erdhi për ngushëllime, ndërsa babai i Shemsiut, i cili e ka vrarë Jetën ka kërkuar të lejohet për të ardhur në ngushëllime, duke u betuar se ai nuk ka gisht as ka ditur gjë për këto që kanë ndodhur. Shumica e ushtarëve me të cilët kam pasur rast të bisedoj e përjashtojnë mundësinë që Shemsiu ta ketë vrarë Jetën me paramendim. Është i përgjithshëm mendimi i këtyre luftëtarëve se Shemsiu iu ka frikësuar Jetës dhe gjatë kohës sa është menduar se si t`i tregoj për rastin ai pahiri e ka shkrehur gabimisht armën e cila e ka pasur plumbin në gyp. Ata shtojnë edhe një fakt tjetër. Shemsiu e ka pasur kallashin mbushur meqë ai ka goditur në drejtim të veturës së policisë.

Ai po ashtu ka bërë përpjekje për ta vrarë vetën në ato momente kritike por është penguar nga bashkëluftëtarët. Sido që të jetë kjo histori e dhembshme na ka kushtuar shtrenjtë sidomos me faktin se e kemi humbur luftëtarin veteran të UÇK-së, njërin ndër prijatarët e luftës çlirimtare në anën tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Edhe pse dje u duk se do të përmirësohet moti, gjatë natës ndodhi një shtrëngatë …