Ahmet Qeriqi: Rusia sulmoi kryengritësit, popullatën e Sirisë, jo forcat e Shtetit Islamik

Po bëhen katër  vjet qysh kur ka filluar kryengritja e sirianëve liridashës kundër regjimit diktatorial të Bashar Assadit në Siri, regjimit më kriminal të botës së sotme.


Kryengritja  në Siri kundër regjimi të diktatorit,  Bashar Al Assad, në fillim u përkrah nga shumë shtete, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për afër një vit kërcënuan regjimin e monstrumit Assad,  madje edhe me intervenimin e NATO-s. Mirëpo duke u ballafaquar me një  Jo, (një “Njet”),  të fortë të Kremlinit, Amerika dhe shtetet perëndimore u tërhoqën përfundimisht nga ideja për intervenim edhe për faktin se myslimanët po luftonin kundër myslimanëve dhe një luftë e tillë, i leverdis, jo vetëm Amerikës por edhe   Evropës së krishterë,  e cila është e njohur për fushatën e gjatë dhe të pandërprerë antisemite dhe për rrezikun që pretendon se i kanoset nga dyndjet e myslimanëve nëpër shtete e Evropës, ku aktualisht jetojnë rreth 40 milionë syresh.


Tani katër vjet pas fillimit të luftës, disa milionë sirianë janë larguar nga vendi. Shumica syresh janë vendosur në Turqi dhe në vendet e rajonit, por një pjesë syresh, ka mësyrë shtetet e Evropës. Dyndjet siriane, për nga përmasat i tejkalojnë ato që ne i njohim si dyndje biblike, apo dëbimi masiv i shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999, që ishin sulmuar nga ushtria dhe policia kriminele e Serbisë.


 


Sot kundër popullit të Sirisë luftojnë shumë forca të mëdha të botës në krye me Amerikën, e cila ka  koalicionin e vet ushtarak me Anglinë dhe Francën dhe po godet Sirinë e Irakun, me qëllim, sikur thuhet  për ta mposhtur ISIS-in, shpeshherë të padukshëm dhe virtual.  Rusia tashmë ka filluar intervenimin ushtarak në Siri në përpjekje për ta mbrojtur  aleatin e vet, kriminelin më bastard të botës arabe, Bashar Asad. Irani lufton për ta ruajtur pakicën shite alavite, pakicë fetare e cila ka pjellë monstrumin e saj në këtë shtet me tradita të tolerancës fetare. Turqia zyrtarisht është përfshirë në luftë kundër Sirisë dhe regjimit të Bashar Asadit, por në pretekstin e luftës kundër ISIS-it ajo godet forcat kryengritëse kurde në territorin e vet, por edhe  në Irak dhe në Siri. Të gjithë këto shtete, Amerika, Franca, Anglia, Rusia, Iraku e Turqia  pretendojnë se po e luftojnë ISIS-in, por realisht atje po pëson popullata civile siriane e irakiane.


Prej fillimit të luftës janë vrarë më shumë se 400.000 sirianë, 90 për qind popullatë civile, ndërsa janë detyruar të largohen nga trojet e tyre  rreth 5 milionë qytetarë të këtij Shteti, të cilin në vitin 1830, e kishte formuar si shtet Ibrahim Pasha, djali Mehmet Ali Pashës së Misirit, pasi kishte përzënë nga Siria e Egjipti forcat e Napoleon Bonapartës dhe ato të Perandorisë osmane. “Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe ai  njësoj si paraardhësi i tij, Ibrahim Pasha, e nxiti fort idenë e krijimit të një shteti arab”.


 


Intervenimi i Rusisë në Siri me qëllim për ta mbrojtur bastardin, Assad, duke sulmuar madje pikërisht forcat që i ka financuar dhe i ka stërvitur Amerika, sulmi fashist kundër popullatës civile, në Hums dhe Hamma, duke vrarë edhe fëmijë, tregon më së miri fytyrën e vërtetë fashiste të Kremlinit. Putini, nuk po i frikësohet Aleancës Perëndimore në krye me Amerikën, meqë ka mbështetje të fortë nga Irani. Për më tepër Moska zyrtare shpalli se iu ka bashkuar Koalicionit botëror kundër Shtetit Islamik.


Amerika, Franca, Anglia, Rusia, Iraku e Turqia janë përfshirë në një luftë, fundi i së cilës është i paparashikueshëm, sepse tashmë nuk dihet se kush kundër kujt po lufton. Dihet vetëm se po pëson popullata civile, burrat, gratë e fëmijët e pafajshëm, të cilët kanë marrë botën në sy dhe një pjesë e madhe e tyre po mbytet në dete, apo në shtetet ku po zbarkojnë, si në Greqi, Maqedoni, Serbi, Itali e gjetkë. Shtetet e Evropës si Hungaria tashmë kanë ndërtuar edhe mure “kineze” për të mos lejuar hyrjen në to të refugjatëve nga Siria dhe përgjithësisht nga vendet e lindjes, si dhe nga Kosova e Shqipëria.


 


Për shkak se në Siria kanë luftuar dhe po luftojnë kundër kriminelit Asad, ( mbase edhe në radhët e ISIS-it herë real, herë virtual) disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, – Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk po i pranojnë refugjatët nga Siria, nga frika se mos po ua sheh për të madhe Amerika. Për “mikpritjen” e njohur shqiptare dhe mos dorëzimin e hebrenjve te gjermanët e Hitlerit, kemi kukurisur në mbarë botën, por me mospranimin madje edhe  dëbimin e refugjatëve sirianëve me origjinë shqiptare, nga Kosova dhe Shqipëria, politika në Tiranë dhe në Prishtinë ka treguar, pafytyrësi dhe një poshtërsi të llojit të vet.   


 


Kohë më parë, qytetari i Sirisë, Mensur  Arnauti, shqiptar me origjinë nga Gërmova e Vitisë thotë: Më vjen keq të them, por shteti i Serbisë kujdeset shumë më tepër për refugjatët sirianë sesa shteti i Kosovës. Na shikojnë më sy të keq, pavarësisht se jemi vëllezërit e tyre të gjakut. Po edhe nëse je sirian nuk është diçka e keqe. Sirianët po largohen prej vendit – jo prej dëshirës, po prej frikës. Nuk është e drejtë kjo, sepse populli sirian, njerëzit e thjeshtë i duan shqiptarët dhe çdo herë na kanë respektuar”, ka shtuar ai.


Ai tregon se prindërit e tij ende ndodhen në Siri, duke shtuar se nuk kërkon asgjë nga institucionet e Kosovës, vetëm se t’ i lëshojnë vizat për shqiptarët që kërkojnë të vijnë në Kosovë. “Asnjë para nuk na duhet prej tyre. Të gjitha vet do t’i bëjmë, por së paku vizat le t’i lëshojnë. Deri më tani kam harxhuar shumë para dhe nuk më dhimbsen aspak, vetëm dëshiroj që njerëzit të kalojnë pa problem dhe të largohen nga lufta”, ka theksuar ai.


 


A thua a ka trokitur në ndërgjegjen e ndonjë politikani të Kosovës apo Shqipërisë zëri i këtij shqiptari. Me siguri se ata që kanë ndërgjegje, dhembje  e solidarësi njerëzore, (të mos flasim për atë kombëtare) e përjetojnë rëndë këtë fragment të dramës së madhe të popullit sirian, dramë të cilën më së miri do të duhej ta kuptonin shqiptarët, të cilët kurrë  nuk i ka kursyer fatkeqësia. 


 


Fillimin e kryengritjes në Siri e kanë përkrahur edhe qarqe të larta politike të Kosovës, edhe pse sot e mohojnë dhe mundohen ta fshehin përkrahjen dhe ta minimizojnë rolin e pjesëmarrësve në këtë luftë. E ka përkrahur gati krejt haptas edhe Bashkësia Islame e Kosovës, edhe Partia e Drejtësisë dhe përgjithësisht shqiptarët islamë, të cilët kanë shfaqur sentiment vëllazëror, por edhe fetar për ta përkrahur kryengritjen në Siri kundër diktatorit Asad, i cili përfaqëson një pakicë fetare alavite, përderisa në këtë vend arab dominon me më shumë se 70 për qind,  shumica fetare, suite, siriane.


 


Sot politikanëve të korruptuar, medieve e  gazetave të mbushura me  urrejtja kundër shqiptarëve që luftojnë në Siri kundër regjimit të Asadit, duhet të iu përkujtojmë se fillimin e kryengritjes në Siri e kanë përkrahur dhe e kanë mbështetur edhe qarqe të larta politike të Kosovës, madje kanë ndihmuar edhe në stërvitjen e disave prej tyre. Ata tani e  mohojnë dhe mundohen ta fshehin përkrahjen dhe ta minimizojnë rolin e pjesëmarrësve në këtë luftë. Luftën në Siri kundër Asadit e  ka përkrahur gati krejt haptas edhe Bashkësia Islame e Kosovës, edhe Partia e Drejtësisë dhe përgjithësisht shqiptarët islamë, të cilët kanë shfaqur sentiment vëllazëror, por edhe fetar për ta përkrahur kryengritjen në Siri kundër diktatorit Asad, i cili përfaqëson një pakicë fetare alavite, përderisa në këtë vend arab dominon me më shumë se 70 për qind,  shumica fetare, suite, siriane. Sot për faqen e zezë të turpit, Tirana, Prishtinë e Shkupi as kujtohen fare për fatin e sirianëve, madje as të atyre me origjinë shqiptare.


 


Fushatës kundër luftës çlirimtare në Siri i kanë dhënë dhe po i japin zjarr e helm mediet e vendit, të cilat drejtohen nga bijtë e inspektorëve të dikurshëm e të sotëm të UDB-së.


 


Ja vetëm një shembull. Gazetari i njohur i kohës së bashkim vëllazërimit, Nehat Islami, dikur korrespondent në Lindjen e Afërme, gazetar me mirënjohje të AVNOJ-it,  tre vjet më parë thoshte se prania e luftëtarëve nga Kosova, në Siri , po i sjell vetëm dëme kauzës së popullit sirian. ( Asokohe në Siri luftonin 30 shqiptarë nga Kosova, të cilët i kishin sjellë aq dëm të madh kauzës siriane(!).  Ai parashihte përfundimin e shpejtë të kësaj lufte dhe ndërtimin e një qeverie kalimtare, e cila do ta vlerësonte kontributin e shqiptarëve të Sirisë për liri. Islami kërkonte që shteti të merret me ata  shqiptarë të Kosovës  kur të kthehen nga Siria dhe t’i trajtojë njësoj siç do t’i trajtonte gjithë Evropa shtetasit e vet – duke i ndjekur penalisht.


Ky gazetar nuk akuzon kriminelin dhe diktatorin Bashar Al Assad, i cili deri athet kishte  vrarë më shumë se 120 mijë banorë të Sirisë, tani numri i të vrarëve ka arritur në 400 mijë,  ka shkatërruar gjysmën e vendbanimeve dhe pushtetin despotik e ushtron me ndihmën e  Rusisë. Gazetari,  Islami nuk fliste  për faktin se në Siri, tre vjet më parë luftonin më shumë se 12.000 luftëtarë nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, por mendonte se prania e 30 luftëtarëve shqiptarë po i shkaktonte dëm të madh Sirisë, ku sundon vrastari i popullit të vet, diktatori,  Bashar Al Assad.


 


Siria vazhdon të përgjaket, ndërsa armatat antagoniste të “Boshtit të ri” që janë përfshirë në luftë kundër sirianëve dhe kundër Shtetit Islamik rrezikojnë paqen botërore. Forcat militante arabe e islame nuk do të arrijnë të fitojnë luftën kundër këtyre gjashtë shteteve të botës. Ata do të arrijnë të kurdisin bomba apo të aktivizojnë trotil dhe të vetëvriten, duke marrë me vete qindra të pafajshëm  në Ankara, në Moskë, në Paris, në Londër, në Madrid, në Nju Jork e Uashington dhe kudo të shtetet e botës. Kjo metodë e luftës së tyre pritet të shkallëzohet, sepse mijëra militantë, të cilët do të ikin nga vendi do  shpërndahen nëpër botë. Ata paraqesin rrezikun potencial të dhunës e terrorit në çdo cep të botës. Terrori luftohet me terror,  po nuk ka ndonjë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.


 


 


2. Një fragment i historisë për Sirinë dhe shqiptarët, që e formuan dhe e qeverisën shumë vjet këtë shtet


 


Me qëllim për të zbardhur disa segmente me rëndësi të historisë  së Sirisë dhe kontributi që i kanë dhënë shqiptarët këtij shteti,  duhet të shpalosin disa fragmente të  historisë së gjatë shqiptare-osmane e cila sjellë fakte e dëshmi të shumta, qp hedhin dritë mbi të kaluarën e përbashkët mbi fatin e rëndë të popujve nën robëri dhe mbi lidhjet jo vetëm fetare e kulturore të shqiptarëve me sirianët dhe arabët e tjerë. Me qëllim që ky vështrim të jetë një kontribut më shumë rreth lidhjeve historike  shqiptare siriane, po iu sjellim një vështrim të shkurtër për shqiptarët në Siri, shkruar dhe botuar nga analisti, Fatos Baxhaku, botuar në  Gazeta shqip, më 10 maj 2012, atëherë kur ende nuk ishte deformuar ideja e domosdosë së luftës çlirimtare kundër diktaturës. Në këtë shkrim, analisti Baxhaku ka segmentuar pjesë nga historia siriane0shqiptare.


 


Në vitin 1521, Sulltan Sulejman Ligjvënësi i nënshtroi përfundimisht prijësit mamlukë. Që prej asaj kohe e deri në 1916 shqiptarë e arabë sirianë jetuan nën të njëjtën çadër të madhe, nën Perandorinë Osmane. Shqiptarët e parë që u dukën këtyre anëve ishin sundues ushtarakë. Më i pari prej tyre rezulton të jetë Mehmet Pashë Dukagjini, i cili në 1550 ishte vali i Halepit. Ky ka mbetur i njohur për disa ndërtime të rëndësishme që la pas. Në mes dhe në fund të shekullit XVI, valinj të Damaskut ishin Lala Mustafa Pasha dhe Sinan Pasha, që të dy shqiptarë. Më 1590 të njëjtin vend e zunë me radhë Mustafa Pasha dhe Mehmet Pasha edhe këta nga gjaku ynë.


Rreth 1600 në krye të vilajetit të Halepit ishte shqiptari i rreptë  Nasuh Pasha. Ky ka mbetur i njohur në historinë e Sirisë si njeriu që arriti të nënshtrojë jeniçerët që bënin zullume mes popullsisë së thjeshtë. Në 1608 në krye të Damaskut ishte prizrenasi Kuçuk Sinan Pasha. Në 1645 në të njëjtin post erdhi Mehmet Pashë Qypryliu i famshëm, origjina e të cilit ishte nga Roshniku në afërsi të Beratit. Mehmet Qypryliu u bë më pas Vezir i Madh (ekuivalenti i sotëm i Kryeministrit) dhe vendin e tij në Damask e zuri i biri, Ahmet Pasha. Ky e shpëtoi qytetin nga anarkia dhe uria. Edhe ky, njësoj si i ati u bë më pas Vezir i Madh në Stamboll.


 


Por nuk ishin vetëm valinjtë shqiptarë ata që lanë gjurmë në historinë e Sirisë. Në shekujt XVII-XVIII duket se këtu ishin ngulitur shumë shqiptarë, më së shumti si ushtarë. Në ditarin e një berberi nga Damasku shkruhet se kur Valiu i Damaskut u nis për ekspeditë ndëshkimore në Palestinë ai kishte me vete 500 shqiptarë. Në 1757 në disa luftime rreth Damaskut marrin pjesë edhe njëzet bajraktarë shqiptarë. Në fund të shekullit XVIII truprojat e valinjve ishin të gjithë shqiptarë. Një vali boshnjak ua detyron jetën këtyre, sepse ishin pikërisht shqiptarët që e shpëtuan nga një komplot vrasës që ishte organizuar prej vetë ushtarëve të tij boshnjakë.


 


Pa asnjë dyshim shqiptari më i njohur në Siri është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ky vuri nën administrimin e tij gati të pavarur gjithë Sirinë e sotme dhe një pjesë të madhe të Palestinës. I lindur shqiptar, por i rritur si arab, ky ëndërronte një shtet të madh e të pavarur arab. Ishte i pari ndër politikanët e kohës që zgjoi vetëdijen arabe. U njoh për reformat e thella mes të cilave edhe lirinë e fesë. Vetëm nën sundimin e tij të krishterët mund të hipnin në kalë dhe të mos vishnin rrobat detyruese që i diferenconin ata nga shumica myslimane. Një nga të krishterët më të njohur të vendit, Hana Bahkri, ishte i pari ndër ta që jo vetëm u bë ministër i Financave, por edhe mori titullin bej. Gjë e padëgjuar deri më atëherë në Sirinë e kohës. Ibrahim Pasha reformoi shkollat dhe ngriti shtypshkronja në të gjithë Sirinë. Sundimi i tij zgjati në periudhën 1832-1840. Pas kësaj, vetë Fuqitë e Mëdha perëndimore kthyen në vend autoritetin e sulltanit. Në fakt, në hije ishte vetë Anglia ajo që nisi të luante telat në Lindjen e Mesme. Pikërisht në këtë kohë nisi tinëzisht një periudhë e gjatë kolonizimi pasojat e së cilës ndihen ende edhe sot e kësaj dite.


 


Në periudhën e sundimit të Ibrahim Pashës kemi shtimin më të madh të pranisë shqiptare. Në 1832 numërohen rreth 15 mijë shqiptarë në ushtrinë e Ibrahim Pashës. Ironia e fatit deshi që në Siri të luftonin më shumë shqiptarë me shqiptarë sesa osmanë kundër arabëve. Shqiptarët ishin të shumtë edhe në krahun e ushtrive të Sulltanit. Gjatë një beteje që u zhvillua në dhjetor të 1832 afro 12 mijë shqiptarë, që ishin ushtarë të sulltanit dezertuan dhe u bashkuan me bashkëpatriotët e tyre të krahut të Ibrahim Pashës. Shumica e tyre mbeti në Siri, Palestinë, Liban. Pashai ua njohu nderin duke i shpërblyer me toka. Në 1834, banorët e Damaskut panë me kërshëri me qindra fishekzjarrë që ngriheshin drejt qiellit. Pastaj dëgjuan një turmë njerëzish që brohorisnin pareshtur “Krishti u ngjall, Krishti u ngjall!”. Këta ishin afër 7 mijë shqiptarë që nën drejtimin e Mustafa Pashës erdhën nga Kreta në Damask ku u vunë nën mbrojtjen e Ibrahim Pashës. Thjesht po festonin Pashkët. Shumica e tyre mbeti përgjithnjë në Siri.


 


Ardhja e shqiptarëve në këto anë vazhdoi edhe pas rikthimit të pushtetit osman. Shqiptarët vinin këtu më së shumti si ushtarë. Në 1844 duket se ata ishin aq shumë saqë një kryengritje kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak që ndodhi në 1844 është quajtur si “kryengritja e shqiptarëve”.


 


Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë sonë. Ismail Qemali ndenji vetëm pak kohë në këtë post, por njësoj si paraardhësi i tij, Ibrahim Pasha, edhe ky e nxiti fort idenë e krijimit të një shteti arab.


 


Shqiptarët, me kalimin e kohës, u bënë një komunitet shumë i fortë në Damask. Ata madje kishin edhe lagjen e tyre që quhej Suk Saraxha. Zakonisht mbanin mbiemrin Arnauti (emërtimi osman për shqiptarët). Një nga familjet shqiptare, Mardam Bek, në fillim të shekullit XX ishte një ndër më të njohurat e më të pasurat e parisë siriane të kohës. Pjesëtarët e saj e kishin origjinën nga Lala Mustafa Pasha. Shumë valë shqiptarësh mbërritën këtu gjatë luftërave në Ballkan 1876-1878 dhe Luftërave Ballkanike 1912-1914. Nga komuniteti “arnaut” shqiptar kanë dalë shumë njerëz të njohur të arteve dhe politikës, ndonëse më së shumti ata mbetën zanatçinjtë e vegjël të rrugëve të vjetra të Damaskut, pasardhës të kohëve kur shqiptarët ishin më së shumti ushtarë në shërbim të të tjerëve. Kush e di se ç’po ndodh këto ditë me njerëzit e gjakut tonë në vendin e përzhitur nga urrejtja civile.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …