Ahmet Qeriqi: Së bashku me Nezir Myrtajn vizitojmë selinë e Shtabit, në Divjakë (11 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Së bashku me Nezir Myrtajn vizitojmë selinë e Shtabit, në Divjakë (11 mars, 1999)

Rrugës për  në Berishë sot iu ka bashkuar edhe Nazmi Iballi. Ai është i interesuar të bisedojë gjerësisht me Ramë Bujën, lidhur me angazhimet që ka shfaqur për ta  marrë në sektorin e Ekonomisë dhe të Finacave. Nazmiu prej fillimi të luftës ka qenë në rrjedha dhe ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë me mjete dhe pajisje të ndryshme. Fillimisht ka qenë angazhuara në pikat ushtarake të Komandant Kumanovës, më vonë për shkaqe taktike dhe praktike ka kaluar në Zonën tonë. Nazmiu ka ndihmuar edhe zonën Operative të Neredimës. Ai ka vepruar me shumë kujdes. Një ndihmesë të pakrahasueshme në këtë drejtim ka dhënë edhe vëllai i Nazmiut Shyqa i cili prej fillimit të luftës është kyçur në shtabin e Logjistikës së Batalionit tonë. Po ashtu në transportimin e ndihmave ka punuar edhe vëllai tjetër i Nazmiut, Mehdi Iballi. E tërë familja është vënë në rrezik por nuk jepet.

Sot është 18-vjetori i demonstratave studentore të Marsit dhe të prillit të vitit 1981. Në shenjë përkujtimi për këtë ngjarje me rëndësi të historisë sonë kam hartuar një shënim tematik të cilin e ka lexuar Nusret Pllana. Po në të njëjtën temë por në kontest me kontinuitetin e lëvizjes së rezistencës edhe Nezir Myrtaj ka shkruar një koment për ngjarjet e pranverës së vitit 1981.

Derisa po e përgatitnim programin në seli kanë ardhur Idriz Hyseni, Hilmi Ramadani. Pas pak Nazmiu së bashku me ta ka shkuar në Divjakë për të biseduar me Ramë Bujën.

Pasi e kemi përgatitur programin për transmetim, teknikët Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli me ndihmë edhe të Rizah Berishës dhe të Nusret Pllanës e ngarkojnë teknikën transmetuese dhe pajisjet e nevojshme në xhip dhe nisen në drejtim të Kungullarit ku aktualisht po transmetojmë program.

Me qëllim që të bisedojmë shtruar dhe të japim edhe ne observimet tona rreth marrëveshjes së Rambujesë, me Nezirin kemi shkuar në Divjakë. Kemi biseduar me Jakup Krasniqin dhe Azem Sylën. Gjatë bisedimeve kam vërejtur se edhe ata janë të brengosur, meqë pesha e problemit shtrohet në dilemën: çka nëse shkruhet dhe çka nëse nuk nënshkruhet projekt-dokumenti. Nuk shihet finalja e asnjërit veprim, por pikërisht këtu edhe qëndron esenca e tërë kësaj. Prej dy të këqijave duhet bërë përpjekje për të zgjedhur rrugën që konsiderohet se është më pak e keqe. Unë konkretisht mendoj se Marrëveshja duhet të nënshkruhet, meqë sipas mendimit tim, për herë të parë fitojmë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe në njëfarë mënyre legjitimohet edhe rezistenca e deritanishme.

Ditët po kalojnë dhe vendimi duhet të merret sa më parë. Nuk është vendim i lehtë, por ndoshta është e vetmja rrugëdalje…

Natën vonë Idriz Hyseni mua Nezirin dhe Nazmi Iballin na ka kthyer me xhip, deri në Berishë.

Edhe sonte këtu në selinë tonë jemi grumbulluar 12 veta. Tani kemi më shumë shtrojë e mbulojë meqë Idriz Hyseni na ka siguruar disa krevatë lëvizës të metalit, të cilët janë praktikë për përdorim. Po ashtu Riza Berisha ka bërë edhe adaptimin e podrumit të odës ku zakonisht ushqehemi dhe në raste të veçanta edhe mund të flihet.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …