Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva serbe për të thyer rezistencën në Rrafshnaltë. (E mërkurë 2 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva serbe për të thyer rezistencën në Rrafshnaltë. (E mërkurë 2 qershor, 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme, kundër pozicioneve të Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova dhe luftëtarëve të Brigadës 122, Imer Krasniqi. Në pozicionet tona të fortifikuara kanë arritur edhe qindra ushtarë të Brigadave 113 dhe 114 të Zonës Operative të Drenicës. Ato udhëhiqen nga eprori, Agim Vrellaku, pastaj  Besim Mala, dhe eprorë të tjerë të mirënjohur të UÇK-së. Në vendluftime ushtarët i ka vizituar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Agim Çeku, pastaj inspektori i përgjithshëm i Shtabit, Rexhep Selimi dhe  komandantë të tjerë.

Rrafshnalta ndodhet para sfidës përfundimtare, ndodhet në çastet më vendimtare. Përforcimet ushtarake që kanë ndodhur në fushëveprimin e Brigadës 121, kanë për qëllim ruajtjen me çdo kusht të kompakëtsisë organizative ushtarake dhe civile, sepse pikërisht në Rrafshnaltë ndodhet Shtabi i Përgjithshëm, njësitë speciale elite, pallati i Qeverisë së Përkohshme, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve Kosovapres. Mbi të gjitha nën rrethim të hekurt ndodhen rreth 100.000 të zhvendosur të cilët ende gjallojnë nëpër tendat e tyre në Grykën e Kizharekës dhe te Mrizet e Berishës, në Grykën e Gashit dhe grykën e Thatë të Nekocit, Në malet e Baicës, në Grykën e Shalës deri te Mrizet e Kleçkës dhe në Grykën e Shpëtimit  në Krojmir deri në Lezhë e Javur.

Edhe sot kanë vazhduar përpjekjet e forcave armike në drejtim të Shkëmbit të Gradinës. Ata, fillimisht kanë granatuar me të gjitha armët e rënda dhe pas një kohe kanë bërë përpjekje të depërtojnë me këmbësori, por si duket këto bedene gjigante janë bërë tmerr i papërshkrueshëm për ta. Edhe sot Shkëmbi i Gradinës është goditur dhjetëra herë me raketa, ndërsa predhat e topave dhe të artilerisë së rëndë nuk kanë pushuar gjatë tërë ditës.

Ushtarët tanë po qëndrojnë me trimëri dhe vetëmohim. Ata tanimë kanë mposhtur sfidat më të rrezikshme të armikut.

Rreth orës 14.00 te Shkëmbi i Gradinës dëgjohen të shtëna armësh nga luftëtarët tanë. Si duket këmbësoria serbe është afruar në pozicione, meqë ka pushuar granatimi nga distanca. Pas pak çastesh ndërpriten luftimet. Gjithnjë duke përcjellë me dylbi vendin i kam vërejtur lëvizjet e ushtarëve tanë në pozicione. Kjo më jep zemër dhe e kuptoj se forcat e këmbësorisë serbe sërish i kanë mbledhur kërmat dhe janë kthyer prapa. Gradina është bërë Termopile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Te Shkëmbi luftëtarët tanë po e vendosin fatin e luftës dhe të fitores.

Par transmetimit të emisionet kemi ngrënë bukë. Riza qoftë edhe nën breshërinë e granatave  rrezikon dhe nuk na lë pa bukë.

Rreth orës 17.00 derisa kishte filluar një zymtësi dhe monotoni e rëndë papritmas ajrin e thyejnë aeroplanët bombardues të NATO-s. Të gjithë sikur disponohemi në çast dhe kuptojmë se NATO-ja megjithatë nuk na ka harruar. Aeroplanët e Aleancës Veriatlantike kanë goditur në anën jugperëndimore të Rrafshnaltës, në pozicionet serbe në Bllacë, Bajë, Senik, Lladroc, Smonicë dhe Arllat. Një bombë ka rënë mu në mesin e të zhvendosurve tanë në Kleçkë afër Shtabit. Nga vendi ku i kemi përcjellë zhvillimet kemi konstatuar se bomba mund të ketë rënë gabimisht. Nuk kemi prirje të besojmë se në mesin e aeroplanëve të NATO-s, ka edhe të atillë që qëllimisht godasin popullatën civile edhe pse kjo ka ndodhur disa herë deri tani.

Më vonë mësojmë se nga shpërthimi i bombës  që ka goditur afër Shtabit në Kleçkë, janë vrarë pesë civilë shqiptarë, ndërsa janë plagosur tre të tjerë.

Për herë të parë qysh prej fillimit të bombardimeve në intervale të caktuara, aeroplanë të NATO-s gjatë natës lansojnë balona ndriçues të cilën natën e bëjnë ditë. Si duket kjo bëhet me qëllim të vëzhgimit të lëvizjeve serbe në orët e natës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Bisedën e filluar në Negroc e vazhdojmë në Kleçkë (E shtunë 11 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Bisedën e filluar në Negroc e vazhdojmë në Kleçkë (E shtunë 11 korrik, 1998)

Po thuajse tërë natën nuk kemi fjetur. Ndihemi të lodhur e të dërrmuar. Pasi kemi …