Ahmet Qeriqi: Vizitë në familjen e dëshmorit, Gani Kastrati, në Nekovc (E martë 29 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vizitë në familjen e dëshmorit, Gani Kastrati, në Nekovc (E martë 29 shtator, 1998)

Vazhdojnë përçarjet dhe lufta e brendshme politike në Shqipëri. Bëhet e ditur se Nano ka ofruar dorëheqje. Zhvillimet e fundit atje janë  tepër të rrezikshme për kombin në përgjithësi, në veçanti për luftën tonë.

Për mendimin tim formula e daljes nga kriza është largimi nga skena politike të dy varrëmihësve të Shqipërisë, të Nanos dhe të Berishës. Po a thua a ndryshojnë në këtë drejtim pasuesit e tyre?

Sërish kemi probleme me ndihmat humanitare që po shkarkohen në Shalë. Dikush po bën manipulime të hatashme. Atje zbarkohen ndihmat për popullatën  e zhvendosur, ndërsa Shala është pothuajse e zbarzët nga popullata.

Sot, së bashku me Jetë Hasanin, Elez Durmishin, Sylë Qeriqin, Ajvaz Karpuzin, Ali Durmishin, kemi shkuar në familjen e dëshmorit të kombit. Gani Kastrati, për t`i ngushëlluar vëllezërit dhe familjen e tij. Ganiu ka qenë njëri ndër komandosët më të fortë të luftës çlirimtare në anën tonë. Ai ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në Llapushnik, në Blinajë, në Fushticë, në Zborc e në Carralevë. Më 25 gusht ka rënë në altarin e atdheut së bashku me Komandant Kumanovën dhe me tre dëshmorë të tjerë, duke luftuar kundër ushtrisë okupatore serbe.

Rruga prej Krojmirit në Nekoc është nën vëzhgim të njësiteve ushtarake serbe. Ka rrezik që të na marrin në shënjestër, por ne kemi shkuar atje dhe kemi qëndruar afër një orë. Ganiu ka lënë edhe dy vëllezër të rritur. Njëri prej tyre përngjet krejtësisht me të. Ai po ashtu është luftëtar i lirisë.

Pasi jemi kthyer nga Nekovci, me Elez Durmishin kemi shkuar te Besim Gashi në Pjetërshticë për të biseduar lidhur me shpërndarjen e ndihmave humanitare për familjet që janë të rrezikuara skajshmërisht. Besimi me vëllezër sërish ka filluar aktivitetin tregtar. Ai, ka rënë në kontakt me një organizatë humanitare gjermane të quajtur Capanamur. Ata kanë premtuar të sjellin lëndë dhe pajisje të tjera për shtëpitë e djegura, por tani për tani në kohë të ofensivave nuk lejohen të depërtojnë në zonën tonë.

Burimet  e huaja të lajmeve bëjnë të ditur se forcat serbe po vazhdojnë ofensivën e tyre në trekëndëshin e komunave Suharekë, Shtime Ferizaj. Dikush nga ushtarët ka marrë vesh se në luftime ka rënë dëshmorë luftëtari, Kemajl Hetemi i cili disa muaj ka qëndruar në Krojmir dhe dy vëllezër. Si duket është fjala për Bajram Sylejmanin dhe Gursel Sylejmanin, dy veprimtarë të përkushtuar të çështjes kombëtare, të burgosur politikë dhe luftëtarë të radhëve të para të UÇK-së.

Burimet e lajmeve bëjnë të ditur se nga Serbia  në drejtim të Kosovës janë nisur edhe 300 tanka të tjera, topa të kalibrave të mëdhenj, dhe armatim tjetër i rëndë. Kjo si duket është përgjigjja serbe ndaj kërcënimeve të OKB-së.

Edhe pse nuk ia kam thënë askujt, druaj se pas ofensivës serbe në Drenicën Qendrore dhe në Zonën Operative të Neredimës, forcat serbe të cilat po e mbajnë nën kontroll rrugën prej Qafës të Duhlës deri në Kleçkë dhe pjesën tjetër prej Qafës në drejtim të Budakovës, ka mundësi që të ndërmarrin një sulm të koordinuar në vendet ku është vendosur popullata civile.

Sulmi serb kundër popullatës civile bëhet me qëllime tejet perfide. Duke e dëmtuar sa më shumë popullatën bëhen përpjekje që ajo të kthehet kundër UÇK-së sikurse edhe ka ndodhur në disa vende të caktuara dhe aspekti tjetër po ashtu strategjik se duke e dëmtuar popullatën dëmtohet edhe baza logjistike e UÇK-së.

Serbët kanë vënë në përdorim edhe një metodë tjetër përçarëse, Në disa fshatra rreth Blinajës ata kanë vënë kontakte me ish kuadro të LKJ-së dhe të LDK-së duke kërkuar nga ata bashkëpunim me qëllim të diferencimit nga UÇK-ja. Në dy tri fshatra është arritur marrëveshja jo publike, e cila parasheh që asnjë prej banorëve të mos largohet nga fshati por as mos të lejohet asnjëri për t`iu bashkuar UÇK-së. Thuhet se një marrëveshje e tillë është lidhur në Davidovc, në Ribar të Madh dhe në Dobrajë. Këto burime i ka vërtetuar Jetë Hasani, i cili gjatë natës depërton në këto fshatra dhe ka vënë kontakte me elementin e pastër kombëtar. Në raste të tilla, ai ndëshkon shqipfolësit bashkëpunëtorë të masakruesve dhe kriminelëve serbë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …