Ahmet Qeriqi: Zgjerohet stafi i Radios (15 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Zgjerohet stafi i Radios (15 shkurt, 1999)

Pas bisedës paraprake me Ali Mullinin sot ka ardhur me ne edhe Fatmir Dugolli nga Pjetërshtica. Fatmiri është elektricist dhe ka përvojë pune sidomos në evitimin e defekteve të ndryshme të pajisjeve teknike. Aliu na lë në vendin e caktuar dhe së bashku me Fatmirin marrim rrugën përpjetë drejt maleve të Berishës. Ai është i ri dhe plot energji. As e heton se është duke ecur, ndërsa unë më tepër më duket se po e zvarris këmbët se sa po hapëroj. Megjithatë kam fituar kondicion në krahasim me ditët e para. Edhe pse po bëj përpjekje të ngadalësoj hapin nuk po arrij. Nuk e shpjegoj dot këtë ritëm të çuditshëm.

Rrugës na ka shoqëruar një mësues nga Divjaka. Pas një bisede me te hetoj se është një i afërm i Nezir Zogajt nga Divjaka aktualisht i burgosur, i dënuar me një grup atdhetarësh së bashku me Nait Hasanin.

Pasi arrijmë në selinë tonë, Berishë  Fatmir Dugollin e njoftoj me anëtarët e stafit e veçmas me Valdet Hotin me të cilin do të punojë tani e tutje derisa të mësohet dhe të pavarësohet. Ka qenë ideja e kahmotshme e Martin Çunit që të sigurohen dy teknikë për çdo rast sepse jemi në luftë dhe mund të ndodhin të papritura.

Pas dite ka ardhur edhe Besnik Berisha nga Ferizaj, një kushëri i Rizës, i cili një muaj më parë ka qenë së bashku me Agim Berishën. Nuk kam ide se kush e ka angazhuar Besnikun, edhe pse ky duket i interesuar dhe deri diku e njeh edhe natyrën e punës. Është fare e mundshme ta ketë ftuar Nusreti apo Berati, natyrisht pa u konsultuar me askënd.

Programin skematik ditor e kemi përgatitur me kohë.

Tani për tani nuk po arrijmë të lirohemi nga kjo skemë tanimë konvencionale, e cila edhe kështu si është po mirëpritet nga ushtarët dhe nga popullata e kësaj ane. Nga intervistat dhe anketat që kanë bërë Ismet Sopi, Habib Zogaj, Martin Çuni, përfundoj se Radioja dhe Agjencia janë mirëpritur në tërë Kosovën. Një anketë ilegalisht është zhvilluar edhe në Prishtinë në mesin e studentëve. Edhe atje mirëpritet dhe dëgjohet Radioja edhe pse qytetarët kanë frikë nga policia, meqë kjo radio konsiderohet e jashtëligjshme dhe është në shënjestër të forcave të okupatorit.

Punën më të efektshme dhe më të përgatitur profesionalisht e kryen Nezir Myrtaj. Përveç komenteve që janë krijimet e tij të specializuara ai ka qasje mjaft origjinale edhe në sajimin e informatave. Shkruan pa gabime, rrjedhshëm, kuptueshëm ,me qasje origjinale gjithnjë origjinale. Në redaktimin e teksteve dhe të informatave që i marrim nga agjencitë është shumë ekspeditiv e deri diku edhe i pamëshirshëm. Neza nuk e duron rutinën, as përsëritjen dhe fjalamaninë. Duke qenë i ballafaquar me tërë një konglomerat stilesh e shprehjesh konfuze ai herë herë edhe nervozohet. Mirëpo kurdoherë është i gatshëm ta arsyetojë intervenimin në rast të mospëlqimeve të caktuara. Neziri ka krijuar tanimë qasjen e tij autentike shkrimore dhe në këtë drejtim ka aftësi dhe zgjuarësi të theksuar profesionale. Përveç kësaj  ai është edhe veprimtar i dëshmuar dhe tejet konsekuent i çështjes kombëtare. Neziri me sa di unë i ka redaktuar edhe numrat e parë të gazetës ilegale Liria, në fillim të viteve të tetëdhjeta.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …