Parashikimet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ekonominë e Kosovës kanë ngritur alarmin për një stagnim të thellë ekonomik duke paralajmëruar se vendi edhe në vitin 2030 do të mbetet ndër më të varfrit në Evropë. Kryetari i Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, e ka cilësuar këtë projeksion si dëshmi të qartë të dështimit të politikave ekonomike ndër vite, duke theksuar se rritja e raportuar është më shumë statistikore sesa reale për qytetarët. Sipas tij, ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet e brishtë dhe e varur nga remitencat dhe konsumi, ndërkohë që mungojnë investimet serioze në prodhim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ai kritikon institucionet për mungesë vizioni dhe për politika që nuk e fuqizojnë sektorin privat. “Pa një kthesë të menjëhershme në politikat ekonomike, Kosova rrezikon të mbetet peng i varfërisë dhe i një modeli ekonomik të dështuar,” ka deklaruar Shahini, duke kërkuar rritje të investimeve kapitale, mbështetje konkrete për bizneset vendore dhe krijimin e një klime reale për investitorët. Ai shtoi se paralajmërimi i FMN-së nuk duhet parë si thjesht një analizë, por si një sinjal i fortë se vendi po humb kohë të çmuar dhe po mbetet prapa rajonit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
