Në një intervistë ekskluzive për Radio Kosova e Lirë, motra e heroit Avni Elezaj dhe bija e veprimtarit e luftëtarit të UÇK-së, Smajl Elezaj, ka rrëfyer një histori të dhimbshme sakrifice, heroizmi dhe padrejtësie, duke rikujtuar aksionin e njohur të 8 prillit 1999, atentatet ndaj familjes së saj dhe mungesën e drejtësisë edhe pas më shumë se dy dekadash. Ajo kujton se më 8 prill 1999, në aksionin e zhvilluar në Novosellë, Avni Elezaj, bashkë me bashkëluftëtarët e tij, ndërmori një nga operacionet më të guximshme të luftës. Sipas saj, Avniu doli përballë kolonës së forcave serbe dhe me murtajë dore goditi konvojin ku ndodhej kryekrimineli serb Shalipuri, i njohur për krimet dhe masakrat ndaj popullatës civile shqiptare në Pejë me rrethinë. Eliminimi i tij, thotë ajo, u përhap shpejt si lajm dhe u prit me lehtësim nga popullata, pasi ai aksion shpëtoi qindra civilë nga një masakër e planifikuar. Megjithëse i mbijetoi luftës, Avni Elezaj nuk i mbijetoi paqes. Pas një atentati të dështuar ndaj tij në vitin 2001, më 12 tetor 2002 ai u vra në një pritë në qytetin e Pejës. Tragjedia e familjes Elezaj nuk përfundoi me kaq. Vetëm 17 muaj pas vrasjes së Avniut, më 17 mars 2004, u vra edhe babai i tij, Smajl Elezaj, veprimtar i çështjes kombëtare dhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Vetë fakti që kanë kaluar gati 24 vite nga vrasja e Avniut dhe gati 22 vite nga vrasja e babës, e nuk është gjetur kush i ka kryer këto vrasje dhe nuk është burgosur askush, është treguesi më i mirë se sa është bërë për drejtësinë”, shprehet ajo. Në fund të intervistës për Radio Kosova e Lirë, ajo apelon që sakrifica e Avniut, e Smajlit dhe e të gjithë dëshmorëve të mos harrohet kurrë, ndërsa kërkon që institucionet të zbardhin vrasjet dhe të përjetësojnë me dinjitet veprën e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
