Brickos

Albert Z. Zholi: Aktivitete kulturore në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Vath Koreshi

Albert Z. Zholi: Aktivitete kulturore në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Vath Koreshi

 Shoqata Atdhetare Kulturore “ VLAGA “  së bashku  me  Familjen, festoi me madhështi 80–vjetorin e lindjes së VATH   KORESHIT, birit të shquar të Lushnjes, Trevës së  Myzeqesë dhe  i  Kombit  Shqiptar. Në këtë përvjetor-jubile të lindjes së Vathit, që u zhvillua në Lokalin Bar-Kafe “ Ciack “ të administruar nga vajza dhe bashkëshorti i saj, Iliri, i cili ndodhet edhe në rrugën që mban emrin e të madhit Vath  Koreshi, u mblodhën antarë, miq e shokë të Vathit si dhe të ftuar, personalitete të fushës së artit dhe të kulturës  – Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Nasho Jorgaqi, Todi  Bozo, Luftar Pajo, Themie Thomai, Llaqi Nako. Një nder i veçantë në radhë të parë për Vathin, familjen dhe Degën e Shoqatës “Vlaga”, Tiranë ishte ardhja dhe marja pjesë në këtë takim festiv e ish Presidentit të Republikës, zotit Alfred Moisiu, mik i ngushtë i Vathit  dhe i Familjes. Në këtë përkujtimore folën të gjithë të pranishmit, por do të veçojmë ato të miqve dhe shokëve më të afërm.

Prof. Nasho Jorgaqi: Vathi, mbetet një personalitet i artit shqiptar

Kohët kur ai ishte sëmur kur nuk e dha veten. Në momentet e vështira unë asnjëherë nuk munda ta shikoj portretin e Vathit të plakur. Jo! Vathi jam i bindur se nqs do jetonte  edhe në moshën 80-vjeçare do të ishte po ai. Ai është skalitur në memorien time me një fytyrë të qeshur, të butë, i mbushur me dashuri me njerëzit, me atë  zë të butë, natyrë sociale për njerëzit, mbi të gjitha ai ishte një artist i klasit të parë. Kushdo që e ka  njohur di të thotë se ai ishte  njeri në radhë të parë, ishte një artist, personalitet shoqëror, personalitet i kulturës shqiptare, Vathi myzeqar i mirë,  janë shumë gjëra që formojnë personalitetin e tij të qëndrueshëm. Dua të përmend dy momente të jetës së Vathit të anës artistike që përbëjnë vlerat më të çmuara: Së  pari dua të nxjerrë vathin në ditët e fundit të jetës, ku ai si një personalitet dhe pse problemet e zemrës nuk ju ndanë dhe megjithatë ai kishte një  gjakftohtësi dhe një optimizëm që rrallë herë e ndesh në jetë. Kishte një urtësi por mbi të gjitha kishte një dëshirë, një vullnet dhe ai nuk shprehte  ankesa, mërzi, por ai me tone të buta paqësore tregonte realitetin pa asnjë alarm dhe po në këto momente ai shkroi veprat nga më të mirat e tija. Ai në këto ditë nuk shkroi poezi, por shkroi tregime, prozë. Proza është një artileri shumë e rëndë. Pikërisht në këtë kohë ai shkroi mijëra faqe. Çështë më e rëndësishme, në këtë kohë, ajo që ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, lexuesve, është se Vathi këtë kthesë historike që kaloi shoqëria shqiptare nga një sistem në tjetrin nga sistemi socialist në atë demokratik

( që ishte një provë për të gjithë shkrimtarët, sepse maten forcat dhe idetë ndryshe) ishte një gjë e madhe se këtë proces të vështirë të ndryshimit, Vathi me ndjeshmërinë e tij me përgjegjësinë e tij,  me njohjen e karaktereve të njerëzve, me njohjen reale të jetës së re, me njohjen e problemeve, me kurajën dhe zellin, e kaloi me sukses këtë ndryshim të madh në letërsi.  Ai nuk doli të thoshte unë u bëra demokrat, por me veprat ai thirri që unë u bëra shkrimtarë po aq i mirë dhe në këtë kohë. Jo vetëm i kësaj kohe. Ai në këtë  kohë shkroi disa kryevepra. Psh veçoj si : “Ujku dhe ulliri”  një nga kryeveprat  e letërsisë shqipe, pra ai në këtë kohë është në ballë të letërsisë shqipe të periudhës post komuniste. Kanë shkruar dhe të tjerë por jo se kisha mik Vathin, por me gjithë mend krijimtaria e tij në këtë periudhë tregon një nivel pjekurie për letërsinë shqipe. Vathi do krijonte romane, novela, tregime do ishte në ballë të mendimit për letërsinë e re. Mendimet e tij ishin praktike, të dobishme, për letërsinë e re shqipe. Në këto rrethana Vathi nuk e linte rehat sëmundja, zemra e rënduar, pasi nuk mund të shkruheshin ato vepra pa zemër. Ai i shkroi këto vepra thjesht, pa u mburrur, pa publicitet, dhe krijoi atë që e nderojnë jo vetëm Vathin, jo vetëm Myzeqenë por gjithë letërsinë kombëtare. Unë e quaj veten me fat dhe të lumtur, që kam qenë një nga miqtë e tij  dhe kemi shkëmbyer këshilla, opinione, kemi ndihmuar njeri-tjetrin dhe më vjen shumë mirë që ne e kujtuam në këtë 80-vjetor të lindjes. Ne duhet ti nderojmë figura të tilla. I përjetshëm kujtimi i tij!

 Alfred Moisiu: Në vitin 1991, Vathi  ishte ndër ministrat më të ndjeshëm

Vath Koreshi meriton çdo respekt.  Unë Vath Koreshin nuk e kam njohur shpejt, por e kisha dëgjuar si emër dhe kisha krijuar një respekt të veçantë në distancë. Unë e njoha nga afër në dhjetor të vitit 1991 si anëtar i qeverisë teknike, ku Vathi ishte anëtar i qeverisë teknike, unë isha ministër i Mbrojtjes, ai Ministër i Kulturës. Ne ishim ministra që shërbyem si kurban, pasi e dënim që do ishim veçse disa muaj.  Ishim një qeveri shumë e vështirë, për vetë kushtet e kohës . Pikërisht në atë kohë e kam njohur Vathin, në një pozicion shumë të vështirë të situatës politike në Shqipëri. Sa e njoha dhe u prezantova pashë se ishte një njeri gojëmbël, i arsyetueshëm dhe me vizion.  Në mbledhjet e qeverisë që vazhdonin deri në tre të natës, fjala e tij dëgjohej me vëmendje nga të gjithë kolegët përfshi edhe kryeministrin. Më kujtohet që kishim shumë problem, pasi u bënë shumë djegie të mëdha në Fushë Arrëz në Pogradec, Librazhd. Në këtë kohë na vjen një informacion se po digjej fabrika e bukës e Lushnjes. Ministri  Ushqimit që ishte në atë kohë tha se n.q.s digjet fabrika e bukës në Lushnje, gjysma e Shqipërisë mbetet pa bukë. U shqetësuam të gjithë. morëm masat  se si do vepronim. Ndamë detyrat. Vathi e njihte më mirë aty situatën dhe mori përsipër shumë zgjidhje. U tregua iniciator dhe tepër vëzhgues. Pra ai merej edhe me kulturën  por edhe me shqetësimet ekonomike. Ai dha mendime pasi e dinte se pa bukë do rriteshin problemet sociale dhe do agravonte situata.  Vetëm kështu ne dhamë zgjidhjet e duhura.  Një herë më qau një hall. Kishte problem me shërbimin ushtarak të djalit. E pashë shumë të shqetësuar. I thashë do ta gjejmë njeriun duke zbatuar ligjin.  Kur ishte i sëmurë nga zemra në reminacion e pashë për herë të fundit, ai mundohej të më buzëqeshte. Ashtu ishte ai i qeshur. Kur u nda nga jeta u ndjeva keq. Na iku një shok i mirë, një shkrimtar i talentuar, një prind i shkëlqyer. Ai mbi të gjitha ishte njeri dhe burrë patriot që e donte këtë vend jo për ta zhvatur por për ti dhënë çdo gjë që kishte mundësi.  Ai i shërbeu  me devotshmëri kombit, ku politikanë të tillë që e duan Shqipërinë si zor të gjesh sot. Shqipërisë i duhen politikanë si Vathi të urtë, të zgjuar dhe të sakrificës. Ai la pas veprën e mirë, kujtime të mira, njerëz që e nderojnë. Kur ke lënë të gjitha këto të do dhe Atdheu.

Todi Bozo-ish Drejtori i Kinostudios Shqipëria e Re: Vathin në kinostudio e donin të gjithë

Janë vite të gjata të miqësie dhe shoqërisë sime me Vathin. Janë vitet  kur ne ishim në lagjen tonë dhe loznim me topin me lecka dhe gjakosnin gishtërinjtë. Vitet ikën por kujtimet mbeten. Para disa ditësh takova një shofer që ka shoqëruar grupin artistik të Shqipërisë në Itali rreth një muaj. Shef të grupit kanë pasur Vathin. Ai ka mbetur i mahnitur nga sjellja e Vathit si Kryetar grupi. Kur i thashë se kemi një aktivitet për Vathin më tha: Mos, mos se doja të vija por do nisem me punë. Ato 20 ditë që ndenja mu dukën se e njoha 20 vjet. Pra natyra  e tij, thjeshtësia, karakteri, zgjuarsia. Unë me të kam punuar për shumë  vjet me të në Kinostudio dhe më pas në Akademinë e Arteve Marubi ku jepnim të dy mësim. Pra ne ishim shumë kohë bashkë. Për mendimin tim dhe shokëve  në Kinostudio të gjithë thoshim me një zë se Vathi është si Kadife. Me një shpirt të butë, që nuk di të fyej, që nuk di të ofendojë por të respektojë çdo njeri. Ai edhe kur ishte në poste drejtuese nuk u tregua kurrë prepotent, kurrë nuk ju shmang përgjegjësisë. Ai ishte njeri me personalitet që kurrë nuk ja uli vlerat vetes në çdo lloj marrëdhënie dhe komunikimi. Kam histori pafund me të. E kisha shok dhe mik por nuk dua ta zgjas me vlerësimet, pasi ai vlerësimet ja ka bërë vet vetes me punë, me vepra të cilat janë shumë të vyera. Njerëz të tillë nuk duhet të harrohen. Ai mbetet një  dritë ndriçimi në rrugën e gjatë të krijuesve shqiptarë, ai mbetet një krijues me vlera të veçanta.

Tinka Kurti: E kemi pranë me veprën e tij

Nuk e di por më duket se ai është çdo ditë me mua. Unë ja këtu vij dhe pi kafen, në dyqanin e vajzës së tij dhe më duket se do e gjej çdo ditë pikërisht këtu ku uleshim në gjallje të tij. Por edhe tani që s’është në këtë ambient ai ka fotot e tij, ka veprat e tij dhe duket sikur bisedoj me të. Unë para disa ditësh isha me shumë shoqe  në përkujtimin që ju bë Aleksandër Moisiut në Kavajë. Ato na dhanë nga një qyp që futen paret për të mbledhur (kursyer) . Unë dëshiroj që këtu në copa letre secili të hedhë kujtimet që ka për Vathin.  Krijimtaria e tij për mua ishte e veçantë dhe e lexoja me kënaqësi. Krijues te tillë të shoqëruar me vlera njerëzore të veçanta sot i ndesh rrallë.

Luftar Paja: Vathi për ne provinacialët ai ishte strehëz

Këtu ka shumë personalitete që folën për Vathin. Në këtë kohë që jetojmë sot, unë shtroj pyetjen, vallë ku mund të gjejmë njerëz si Vath Koreshi. Sot njerëzit janë mbledhur brenda vetes, mirën me thashetheme dhe jo me punë, kudo dëgjon vetëm fjalën korrupsion. Sot do të dëgjosh një fjalë të mirë për njeriun e punës, për njeriun e drejtë, për njeriun që vlerëson artin. Por çuditërisht njerëz të tillë si Vath Koreshi nuk i gjejmë dot. Vathi dhe kur ishte jo mirë fizikisht punonte dhe punonte me ndershmëri për të lënë gjurmë në letërsinë shqiptare dhe për të lënë pas një vepër të pavdekshme. Kur vija nga Fieri dhe e takoja në Tiranë ai edhe kur ishte në Kinostudio edhe kur ishte në Ministri. Ai më takonte me të njëjtën përzemërsi dhe më tregonte një grimcë humoristike që unë ja kisha thënë njëherë në momentin kur ai më kërkonte ta bëja të qeshte. Ja grimca humoristike > Shkon një burrë tek një kioskë për të blerë një  paqetë Partizani. Burrit i mekej goja dhe në momentin që shitësja i kthente kusurin një burri tjetër klienti i kishte qepur sytë në një pullë poste që i pëlqeu shumë. Shitësja duke i kthyer kusurin tjetrit e pyet çfarë doni ju shok:

-Një pa- pa- paqetë Partizani-i thotë burri që i merej goja. Në kohën që i kthente kusurin burrit tjetër ajo nuk e dëgjoi mirë dhe e pyet sërish çafrë donit: Burri që sytë i kishte tek pulla e postës i thotë: Një, pu- pu -pu pullë poste. Shitësja i jep paqetën. Burri i thotë joooo  dhe ju mor goja. Filloi me vete të thoshte jo, pu –pu- pullë poste por pa- pa- paqetë Partizani.  Pa- pa -pa-paqetë Partizani. E foli me vete 10 herë.  Filloi ta ushtroj këtë thënie jashtë kioskës që ti thoshte saktë shitëses. Kur u bind se do thoshte paqetë Partizani i afrohet sërish shitëses. Ajo si me bezdi e pyet serish, çfarë do shoku?  Ai prapë: Një pu-pu- pullë poste…”, sa herë e takoja këtë më thoshte dhe qeshte me lot. Pra ky ishte Vathi i qeshur kur duhej, serioz kur duhej. Kurrë nuk fyente por çdo gjë e bënte me përkushtim. Kur vinim nga rrethet në shumë raste na shihnin me sy tjetër, por ai dinte të na afronte dinte të na thoshte fjalën e mirë. Për ne ai ishte strehëz e përhershme.

Maragrita Xhepa: Pranë Vathit  mësoje gjithmonë diçka të re

Vathi ishte një njeri i mrekullueshëm. Ai rridhte nga një familje e mrekullueshme të Lushnjes. Qysh i vogël binte në sy zgjuarsia e tij, butësia e tij, mirësia e tij. Më vonë do të shihja Vathin si krijues dhe i lexoja me ëndje tregimet e tij. Koha ecte dhe sa herë e takoja shikoja se sytë e Vathit ishin dritare e mrekullueshme e mendimit, e emocionit. Ai ishte fisnik. Ne aktorët i jemi shumë mirënjohës jo vetëm për tregimet, romanet, dramat, por ai ishte kryeskenarist i Kinostudios. Ai kishte gjetje të veçanta. Të shikosh me radhë skenarët e tij kanë mendim brenda, ku të gjithë personazhet gërshetohen bukur. Aty ndërthuren dramaciteti, lirizmi, psikologjia. Ai mençurinë  e tij të thellë diti të na e sjellë ne pranë në formë personazhesh që na ka dhënë ndihmë të madhe. Të rrije me të ishte kënaqësi, sepse pranë tij mësoje gjithmonë diçka të re, diçka të bukur. Unë nga shumë shkrime që janë shkruar për të, dua të veçoj një poezi të regjisorit Fehmi Hoshafi. Në ato rreshta ai përcjell në mënyrë poetike gjithë jetën e vathit të madhe dhe dua të them se janë vargjet më të bukura që kam lexuar për të. Faleminderit Fehmi Hoshafi për këto vargje të bukura. Ne e kujtojmë sot, por vepra e tij do të kujtohet gjithmonë, pasi ajo mbetet një vepër e bukur e një artisti të madh.

Llaqi Nako, Artist, Baletmaestër

Vathi hynë tek ata njerëz  që mund të flasësh shumë, por edhe të matesh kur të flasësh.  Ai ka merituar shumë ndaj duhet të jesh i kujdesshëm kur flitet për të. Unë e kam njohur  në dy dimensione: I pari si artist me gjithë krijimtarinë e vet, në fushën e skenarëve ku çdo njeri, shikon shpirtin e tij me dritë, shpirtin njerëzor për ardhmëri dhe vizion.  Kam pasur rastin ta njoh Vathin dhe në një dimension tjetër në vitin 1989 kur mua më hoqën nga TKOB dhe më çuan në Ministrinë e Kulturës së asaj kohe.  Në atë kohë Vathi ishte Drejtor i Drejtorisë së Arteve. Më ka bërë përshtypje si njeri. Mua si natyrë gjatë gjithë kohës së punës dyert e zyrave më kanë ngjallur një lloj ngërçi. Kjo sepse kudo që shkoje pas dere në një tryezë shikoje një zyrtar me syze, i rëndë, me shkresa burokratike.  Në këta zyrtarë nuk zgjidhje kurrë hall, pasi ata nuk të dëgjonin por rrinin me kokën ulur. Që këtu ndjeheshe i pezmatuar. Ky ishte ndryshimi i madh i Vathit. Kur hyje në zyrën e tij ai të priste i qeshur, i dashur, plot mirësi.  Shpesh herë për punën ai të lindte të flisje, të diskutoje dhe nuk kishte atë hijen e një zyrtari të rëndë,. Pra në bisedë ai largohej nga funksioni dhe të linte të besoje se në bisedë pune jemi të barabartë.  Vathi ka qenë një njeri që e ka dashur shumë shahun. Kur ndërroi sistemi thuajse ngela në rrugë. Në atë kohë ngrita një grup artistik në përbërje të të cilit kisha dhe djalin që ishte në shkollën e baletit bashkë me shoqet e veta. Ishte koha kur ne bëmë disa eksperimente me lëvizjet e baletit, pasi ishte koha e ndryshimeve që duheshin krijuar dhe lëvizje, skema, të reja bashkëkohore.  Pikërisht tek shkolla ne takoheshim çdo ditë (shkolla e baletit) pasi aty ishte Drejtor Sulejman Dibra që Vathi e kishte shok. Sula dhe Vathi e kishin shumë qejf shahun dhe loznin aty çdo pasdite.  Kur më pa më pyeti po ti këtu? I thashë  që po punoj me fëmijët.  Ai pa disa nga provat tona dhe me shaka më thotë, po na ke futur rrokun more Llaqi, na more në qafë (me shaka).  Qeshnim të dy. Pra bëri një krahasim me skemat e artit të periudhës  së realizmit socialist kur ishim të detyruar të rrinim strikt,  kur luftonim shfaqjet e huaja, kur çdo lëvizje e tepërt shikohej me lupë dhe ishim shumë të ideologjizuar në krijimtari.  Shiko se po na fut shfaqjet e huaja më tha duke qeshur.  Disa herë e shikoja bashkë me të shoqen në kodrat e liqenit. Aty ai bënte shëtitje për ajrin e pastër dhe për frymëzim. Një ditë u ndodhëm përballë. Ishte koha kur shëndeti ishte përkeqësuar. Sa më pa ndaloi. Menjëherë në fytyrë shfaqi atë buzëqeshjen e tij të bukur.  U habita! Ku e gjente ai njeri këtë buzëqeshje pas kësaj gjendjeje shëndetësore? Më habiti. Me atë buzëqeshje ai të bënte për vete.  Në periudhën e sistemit monist ne shkonim shumë herë me shërbime. Kështu ishte puna. Njëherë më çoi me shërbim në Berat. Unë po kthehesha me veturën e tij të kuqe Fiat nga Berati. Isha me shoferin e vet. Diku nga Ura Vajgurore ne pamë në rrugë një grua të moshuar. I thashë shoferit të Vathit ta ndalonte dhe ta merrte gruan e moshuar. Ajo dhe vetë u habit. Nuk e priste kurrë të ndalonte një veturë që ajo se kishte parë as në ëndërr.  Shoferi filloi ta ngacmonte. Ajo pa u menduar gjatë na tha: Dy herë e kam ndjerë veten të privilegjuar, ditën e dasmës kur më hipën në një karrocë me duvak (dhe  pajën) dhe sot në këtë makinë që po më habit. Ajo do zbriste në Lushnje të kapte trenin për Tiranë.  Kur vij në Tiranë ja thashë Vathit ngjarjen. Ai më kapi nga krahu dhe me atë buzëqeshjen e tij më tha; Kujdes! Me atë buzëqeshje të bukur dhe me atë fjalë më la të kuptoja shumë. Ishte një mesazh i sofistikuar. Pasi mund të raportonin se kush ishte ajo, pse e more? Zyrtarët e lartë kontrollohen. Duhej kujdes se çdo gjë shikohej nga sigurimi. Dikush mund ta interpretonte keq. Pra në atë fjalë kujdes ishin të gjithë, mirësia, përkujdesja, të qenit korrekt dhe i korrnizuar se në ato kohë çdo gjë ishte e kufizuar dhe e survejuar. Një gjë e tillë edhe mund të përfundonte keq. Ky ishte një mësim i madh nga një njeri dashamirës dhe me kulturë. Buzëqeshjen dhe fjalën e butë ai e kishte kritikën më të bukur.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …