Brickos

Albert Z. ZHOLI: Flet piktori vlonjat, Agim Haxhiraj: Mësuesi imi parë i vizatimit për fat, ka qenë “Piktori i popullit”, Nestor Jonuzi.

Albert Z. ZHOLI: Flet piktori vlonjat, Agim Haxhiraj: Mësuesi imi parë i vizatimit për fat, ka qenë “Piktori i popullit”, Nestor Jonuzi.

Mundohesha  të mësoja të reja nga programet e Rai-t, Italian që shihnim  fshehurazi në Vlorë

– Në atë kohë admiroja S. Kamberin me veprën “Kthimi i nëndetëseve në bazë” dhe “Aksionistja” të N.Jonuzit

– Në socializëm ka patur piktorë që e kanë paguar me jetën burgimin nga spiunimi  i  kolegëve si E. Gjergo, autori i tablosë “Epika e yjeve të Mëngjesit”

– Në Milano kam qenë dhe tek studio e I. Kodrës, piktorit nga Ishmi

-Në ekspozitë kam parë nga afër I. Kadarenë dhe D. Agollin dhe më bëri përshtypje  diskutimi i   I.Kadaresë për At Gjergj Fishtën, duke theksuar  pro italianizmin e tij

– Kisha shokë klase “Artistin e merituar”, B. Asqeriu  dhe  Izraelitin  J.Negrini,  i  cili tani jeton në Greqi

– Veprat “Betimi  i  Vrana Kontit” dhe “Buka e duarve tona” të S. Kamberit dhe “ Kalaja e Krujës ” e “Gëzimi  i  Fitores” të N. Jonuzit,  janë në fondin e Artë të  pikturës Shqiptare

Piktura një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si lindi dëshira për pikturë dhe kush e zbuloi talentin tuaj ?

Piktura  ime e parë ka qenë si çdo fëmijë, Skënderbeu në kalë nga skulptura e J, Paços, në shkollën fillore “Teli Ndini” në Vlorë dhe pastaj në klasën e 6-të  fillova të frekuentojë kurset në Shtëpinë  e Pionierëve Vlorë , që ishte asokohe pranë shkollës “Q. Gorishova”. Unë kam lindur në një lagje të vjetër të Vlorës “Karabash”,  Turqisht –Kryezi (sot “15 Tetori”) , në një rrugicë me emrin “Piso Ruka”  gr. Pas Perdes) , një lagje e veçantë e qytetit ku njerëzit njiheshin dhe bënin shumë  për njëri tjetrin në raste festash dhe vdekjeve, ku kish lindur shprehja e famshme: “Karabash mëhallë e re, 7 veta , 8 qoshe:,” sepse donin ballin e vendit të gjithë. Këtë e përshkruan shumë bukur gazetari Fatos Baxhaku ne reportazhin  “Vlora tjetër”. Një rrugë na ndante nga lagjja e Re, ose  “Partizani”, ku ka lindur  “Piktori  i popullit” S. Kamberi,  me një vëlla të të cilit isha në shkollën  fillore.

  1. Cila ishte piktura juaj e parë dhe kush e vlerësoi?

 4 klasë të  8 -vjeçares i kam bërë në shkollën “4 Heronjtë”,  ku mësuesi  imi  parë i vizatimit për fat ka qenë  “Piktori i popullit” Nestor Jonuzi. Meqenëse aktivizohesha me pionierët, në shkollë kish një dhomë të  udhëheqëses së pionierëve, Sh.Matuka,  e cila ma linte çelësin mua meqë kisha shkrimin e bukur dhe bëja parullat me guash dhe bojë “Kine”. Aty kam parë për herë “Ermitazhin “ nga librat Rusisht  që kish Nestori. Me vonë në klasën e 6-të kam bërë akuarelin e parë “Shkëmbi i  Doktorit” në “Ujin e Ftohtë Vlorë”.

  1. Në shkollë kush ishte mësuesi juaj që ju mbështeti për këtë rrugëtim. Cilat ishin mësimet e tij për ju ?

Në këtë kohë kisha shokë klase “Artistin e merituar”,  B.Asqeriu  dhe  Izraelitin J.Negrini,  i  cili tani jeton në  Greqi dhe djali  i  tij  është  Rabin  i  gjithë  Greqisë në Athinë, me  të cilët  kisha shoqëri të mirë. Admiroja  portretet në akuarel të bëra nga Nestori  të  “4 Heronjve” të Tophanasë, emrin e të cilëve kish shkolla ku mësoja.

  1. Kur dhe si konkurruat për pikturë, çfarë ju dhanë për të pikturuar dhe kush ishte në komision?Cili ishte vlerësimi?

Pas mbarimit të 8 -vjeçares, bashkë me shokun tim Xh.Bajrami,  morëm pjesë në konkursin për në Lice Artistik në Tiranë,  ku na  dhanë për të vizatuar me laps një 3 fletësh në allçi. Me sa me kujtohet në komision ishte Dh. Gogollari. Meqenëse  dëftesa ime ishte  me mesatare 10, prindërit e mi  insistonin të bëja gjimnazin e sugjeruar edhe nga Nestori, pasi pikturën mund ta bëja si hobi.

  1. Kur e keni hapur ekspozitën e parë dhe ku? Sa piktura kishit dhe çfarë gjinie ishin pikturat?

Në shkollën 12 -vjeçare “ Halim Xhelo”, u lidha me mësuesin e letërsisë  D.Shtino,  i cili ishte me origjinë  nga Gjirokastra dhe kish shumë  kulturë dhe ishte disenjator. Ai  rridhte nga një familje e pasur dhe flitej që i kish dorëzuar shtetit  2 qypa me florinj në këmbim të  2 të drejtave të studimit dhe  2 shtëpive.  Babai i tij tregtar, jetonte në Itali,  ku kish mbetur pas luftës. Aty me epidioskop ne vizatonim portretet e shkrimtarëve, të shkencëtarëve, të biologjisë, të vizatimit teknik, të matematikës, të Rusishtes etj. Në atë shkollë kish mësues të përgatitur dhe pasionantë si  M.Skendaj, N.Borshi, N,Qirko, A.Nelaj etj. Këto i bënim në fibër me guash dhe përdornim për të bardhë oksid zingu që e bënim vetë. Për herë të parë  në vitin e 2 -të  në gjimnaz kam kopjuar ne vaj ne  telajo “Dallgene 9-të” të Ajvazovskit, dhenë nga D.Shtino  dhe Vlorën pas Tunelit me fiqtë e Detit. Ndërkohë  vazhdoja pikturën ne kurset e Shtëpisë së  Kulturës, tek ish shtëpia e Eqerem Bej Vlorës dhe kursin për skulpturë me skulptorin  S.Loli, në  ish repartin e Qeramikës në Lagjen “Lirim”. Në shtëpinë e Kulturës kisha udhëheqës N.Jonuzin dhe  me vonë me piktorin R.Shabani,   i cili ishte afirmuar ne teknikën e Akuarelit, edhe pse kish mbaruar liceun për skulpturë  dhe përfundoi  Akademinë për pikturë vite më vonë. Në dy vitet e fundit të gjimnazit kam vazhduar kursin e pikturës me piktorët  H.Bani dhe  S.Milori.  Aso kohe këto kurse i frekuentonin edhe  aspirantët për piktorë  A. Sulaj,  Z. Veshi,  P. Stefani, R. Danaj, M. Lamaj, etj. Me përfundimin e shkollës së mesme, ne na zuri stazhi  i  detyruar  ku na çuan për 1 vit në kantierin e ndërtimit  të HEC- të Smokthinës. Mua më doli e drejta e studimit  për Inxhinieri Ndërtimi  në të cilën u diplomova ne vitin 1981. Në vitin 1973 se bashku me shokun tim R.Danaj, hapëm të parën Ekspozitë personale në shtëpinë e Eqerem Bej Vlorës me akuarele. Me kujtohen 2 akuarele  “Mimozat” dhe “ Lulëzimi i bajameve në pranverë”.  Së bashku me Prof.B. Gaçen dhe një grup artistësh morëm pjesë në “Takimin e talenteve të reja” që u mbajt në Korçë në 1973. Në këtë periudhë nga Ekspozitat e pikturës admironim  S.Kamberin me veprën “Kthimi i nëndetëseve në bazë” dhe “Aksionistja” të N. Jonuzit. Për herë të parë aty kam parë nga afër I. Kadarenë dhe D. Agollin dhe më bëri përshtypje  diskutimi i I. Kadaresë për At Gjergj Fishtën, duke theksuar  pro italianizmin e tij.

  1. A janë pedagogët e shkollës së pikturës  shqiptare të nivelit Europian? A kishte prirje për të parë piktorët e huaj me famë?

Në kohën e shkollës së Lartë unë kam frekuentuar Bibliotekat e  Institutit të Lartë të Arteve dhe Bibliotekën Shkencore të U.T. Në atë kohë kisha miqësi me piktorin nga Vlora që ishte student  në ILA N.Shtëmbari,  i cili ishte jashtëzakonisht  i  talentuar dhe ishte kundër rregullave “Zhdanoviane” të Realizmit Socialist dhe u përjashtua nga Instituti,   për ndikime moderniste dhe vdiq në rrethana tragjike. Ai  ishte shumë   i guximshëm,  sa kur e pyeti një sekretar Partie  “-se kur do e mbarosh këtë mozaikun që po bënte tek Bar Bufe në Kuz- Baba ?” -iu përgjigj  –“kur të më dojë Tr…i  mua”. Ai më këshillonte të bëja peizazhe nga liqeni i Tiranës dhe kam njohur nga ai Van Goghun dhe Pikason, Matisin dhe Gogenin në vitet e fundit të viteve 70- të. Në Bibliotekën  Shkencore shfletoja revista të fondit për Arkitekturën Çeke dhe Bullgare. Po, pedagogët shqiptarë  janë të nivelit Europian. Gjatë kohës së shkollës fillova të mësoja gjuhët e huaja përveç Italishtes dhe Rusishtes që i  dija, këtë të fundit e kam bërë  në shkollë 12 -vjet dhe më ndihmoi që me metodën e Nina Potapovës,  të mësoja Anglishten dhe Frëngjishten vetë,  të cilat bashkë me Gjermanishten që do ta mësoja në vitet e ‘90-ta nga metodat e Gjermanisë Lindore “Uir lernen Deutch”. Këto gjuhë  do të ishin dritaret që do njihnim botën bashkë me programet e Rai –t, Italian që shihnim  fshehurazi në Vlorë. Në këtë kohë  njihja mirë pikturën Ruse me Surikovin, Serovin, Levitanin, Rjepinin, Brjullovin, Ajvazovskin,  origjinalet e të cilëve do t’i shihja në vitet 2000, në vizitat  në Sant Pjeterburg  në “ Ermitazh” etj. Programi  mësimor i Institutit të Lartë të Arteve aso kohe ishte me shumë ujëra, me lëndë politike dhe po  të shtosh punën prodhuese dhe zborin ushtarak, katandisej profesionalisht  si   Institut 2 –vjeçar, ku piktura bashkëkohore kalohej përciptazi kryesisht si kritike  e “Izmave”dhe shfaqjeve të huaja dekadente.

  1. Thuhet se piktorët Shqiptarë janë shumë konkurrues në Europë, a është e vërtetë dhe cilët janë piktorët me në zë Shqiptarë? Ju keni mbaruar inxhinieri dhe pse zemra rrihte për pikturë, në cilat vepra socialiste keni qenë si inxhinier?

Pas diplomës si inxhinier kam punuar në shume vepra ku kam bërë edhe  Drejtuesin. Nga Hekurudha  Milot –Rrëshen – Klos,  deri në Rrugën e HEC-it te Banjës në Gramsh, dhe ndërtimit të Ujësjellsave të fshatrave të Vlorës, gjë që më dha shumë eksperiencë në ndërtim. Pas ndryshimeve  Demokratike  në vitin 1992,  shkova në Emigracion të organizuar nga shteti në Frankfurt, Am  Majn në Gjermani dhe pastaj në  Milano, Itali. Në kohën e lirë jam marrë shumë më Art, ku në kurse serale kam perfeksionuar dizajnin në “ Kunst Akademi ” në Frankfurt dhe në Akademinë  “Brera” të Milanos. Në Frankfurt rashë në kontakt  me artin Gjerman si piktorët Dyrer, F. Mark, P. Kle, austriakët Klimt, E. Shiele, O. Kokoshka. Në Milano kam qenë dhe tek studio e I. Kodrës piktorit nga Ishmi. Në  kohën e lirë kam bërë afreske nga Naviljet – Lum  në Milano. Në Restorantin  “La Fortuna ”  janë  6 –të  punë të mijat  me  bojëra  akrilike në  murale  dhe  teknikën e Glasit  në  xham. Disa  punë  të mijat  në  teknikën  vaj  në telajo,  janë sot në Turqi, Greqi, Itali, Brazil, Gjermani etj.Në vitin 1995 u ktheva në Vlorë dhe hapa studion time të projektimit bashkë me bashkëshorten që është gjithashtu inxhiniere, “Albatros ”dhe këto vite kemi kontribuar në ndërtimin ë shume objekteve në Vlorë dhe rrethinat, në arkitekturë dhe konstruksion. Ka piktorë  nga Vlora që jetojnë nëpër Botë  të cilët kanë çarë me punën e tyre si Agim Sulaj me famë në fushën e Karikaturës  ne Itali,  me çmime ndërkombëtare në këtë fushë dhe piktorë të talentuar, Z.Veshi, J.Kote  në  USA , e tjerë në Greqi, Holandë  e gjetiu.  Me mundësitë që jep ekonomia e tregut, kam parë shumë Pinakoteka në botë në Madrid, Barcelonë, Berlin, Amsterdam, Paris, Sankt Petërsburg, Vjenë, etj. Aty kam parë idhujt e mi  Rembrandt dhe El Greko. Sukses kanë patur edhe A,Shabani në Itali dhe F.Velaj në Austri.

  1. A është bërë kulturë mbajtja e një pikture origjinale në shtëpitë shqiptare? Apo vazhdohet me piktura te kopjuara seriale ?

Tek ne ka pak koleksionistë  të Artit. Unë njoh p.sh M.Mitrojorgjin, B, Leskaj, avokat F.Braken, avokat A. Salatin,  biznesmenin  E. Mezuraj, gazetarin Th. Nika, etj. Galeria e Arteve në Tiranë  ka vite që nuk blen  vepra Arti të piktorëve bashkëkohore. Ligjet në këtë fushe janë kaotike dhe nuk janë përshtatur ekonomisë së Tregut. Ministria e Kulturës pak ndihmon në këtë drejtim dhe piktorët  janë lënë  të pa mbështetur.  Me përjashtim  të kontributit  të ndonjë  Ekspozite kolektive si “Onufri” vite më parë. Funksionojnë 2-3 galeri private në Tiranë, por janë shumë pak. Akoma tek ne  nuk është rrënjosur blerja e veprave të artit si pronë  intelektuale dhe dominojnë veprat e industrializuara dhe kopjimet,  me përjashtime të rralla nga të huajt që vijnë për Turizëm,  ose  punonjës  të  Ambasadave  në  Tiranë.

  1. Si do ta cilësoni pikturën e realizmit socialist pasi sot ka kritika të ashpra ndaj saj…

Në kohën e  monizmit ka patur piktorë që i  kanë shërbyer Regjimit me apo pa koshiencë. Ky ishte “haraçi”që paguhesh, qoftë me glorifikimin e udhëheqësve, ose me temat për luftën Nac.-Çlirimtare ,ose me grafikat për parullat ideologjike. Ka patur piktorë që e kanë paguar me jetën e tyre, ose me burg nga spiunimi  i  kolegëve. Rasti me flagrant  i   E. Gjergos, autorit te tablosë “Epika e yjeve të Mëngjesit” që  vdiq  në  burg. Ka patur piktor që kanë bëre Art realist si Buza, Kaceli, Mio, etj. dhe kishin formim perëndimor. Edhe  nga piktorë të tjerë që kishin bërë shkolla të lindjes  si S. Shijaku. V. Kilica, D. Jukniu, G. Madhi etj, në veprat e tyre kish tendenca moderne larg skematizmit dhe  shabllonizmit .

  1. Shkolla vlonjate e pikturës është e veçantë. Nga ajo kanë dalë piktorë me shumë emër si Skënder Kamberi ,Vasil Talo, Nestor Jonuzi etj. Çfarë kanë sjellë për pikturën të veçantë vlonjatet?

Vlora ka traditë në pikturë duke filluar me  David Selenicën, Mikel Ortodoksin nga Narta,  me vepra në Itali,  bashkëkohës i  Mikelanxhelos etj.. Historia e pikturës Vlonjate zyrtare, fillon me V. Talon piktor minoritar nga Gjirokastra. Kulmin e arritën  piktorët e Popullit  S. Kamberi, N.Jonuzi dhe të tjerë si  I.Bani, I, A.Dine, S.Milori, P.Ceno, O. Rrapi , S.Xhaferri, R.Shabani,Skulptori  Z.Alizoti , Qeramisti S.Loli etj.. Kritika e Tiranës i dha emrin “Shkolla e Vlorës” e cila për mua nuk mund të quhet shkollë, sepse shkolla ka pedagogji dhe arsimim dhe në atë kohë asnjëri prej tyre nuk jepte mësim në shkollë arti. Piktura Shqiptare është një, pavarësisht  formimit  dhe   studimeve në Perëndim ose Lindje të autorëve, ajo ka karakter Kombëtar dhe s`mund të parcelizohet si shkollë e Tiranës,Vlorës, Korçës, Shkodrës, etj,. Vetëm ata që krijonin jashtë shtetit,  bënin  pikturë “tjetër”. Ne jemi shumë pak për të parcelizuar me shkolla provincash dhe emërtime ziliqare të kohës. Ata dhe shumica e  këtyre  piktorëve vlonjatë vetëm sollën temperamentin e qytetit dhe koloritin që ta falë natyra. “Impastua “e tyre  me spatul  kishte ngjashmëri edhe pse ishte e ndryshme nga piktura zyrtare e kohës. Veprat “Betimi  i  Vrana Kontit” dhe “Buka e duarve tona” të S. Kamberit dhe “ Kalaja e Krujës ” e “Gëzimi  i  Fitores” të N.Jonuzit, janë në fondin e Artë të  pikturës Shqiptare .Në botë,në atë kohë eksperimentoheshin Rryma të ndryshme arti.                    Dhe impresionizmi ishte diçka e tejkaluar për kohën e artit Kubist, abstrakt, hiperrealist, dadaist, futurist dhe ekspresionist,  deri tek instalacionet. Censura e kohës i  la në bodrum veprat e S. Kamberit  “Demonstrata e bukës” ,“Në Paris u mblodh UNO-JA”, “Ndihma e shokut”,etj. Në Shqipëri ka pak kritik Arti dhe ata merren me histori arti si  F.Hudhri, S.Varvarica, A.Janina, etj..

  1. Sa ekspozita ke hapur deri më sot ?

Në vitin 2003 kam hapur Ekspozitën e parë  në Qendrën Tregtare  “Riviera”  në Skelë,  me titull “Midis Artit dhe Inxhinierisë”  me 60 punime nga natyra e Vlorës, në teknikën e vajit në telajo, që u prit mirë nga publiku artdashës vlonjate,  pasi shumë nuk e dinin që pikturoja dhe ishte surprizë e këndshme. Në vitin 2006,  në Teatrin “ P. Marko” në Vlorë, hapa Ekspozitën e dytë me titull  “50  Riprodhime të mjeshtrave  Botërorë të pikturës”, ku kisha riprodhime të mjeshtrave më në zë në teknikën e Vajit në telajo me autorë  italianë, rusë, holandezë, spanjollë, meksikanë, francezë, gjermanë, austriakë. Nga 50 punë, 45 u shitën dhe 5 janë në studion time.

Në vitin 2019,  hapa ekspozitën “Trashëgimia” në Galerinë e Vlorës në Skelë,  me 120 punë në teknikën miks grafike dhe akuarel ku kisha 12 riprodhime (nga E.Lir piktor Anglez) nga Vlora dhe bregdeti jonian dhe punë nga Trashëgimia e Jugut të Shqipërisë të Monumenteve të Kulturës, të religjionit dhe Parqeve arkeologjike  si  dhe të kalave në këtë Trevë. Ajo u realizua me mbështetjen e OJQ-ve lokale “Auleda”,të cilën gjej rastin ta falënderoj për  përkrahjen. Gjatë kohës së pandemisë  kam bërë gati 200 Akuarele për një Ekspozitë në këtë gjini pasi këtë teknikë e njoh mirë pasi kam 50 vjet që e ushtroj. Në Vlorë  përveç meje ka edhe kolegë të tjerë që merren me art si Ark. A. Meksi me karikaturë,  fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe Ark.P. Stefa  me grafikë. (Kroki). Ndihmë jep dhe Galeria Private “Promenade” e A. Shabanit  për promovimin e talenteve te reja në pikturë që nuk mungojnë në Vlorë. Në Qershor të këtij viti mora pjese në Ekspozitën që u hap në Muzeun Historik Kombëtar  në “Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit,  të kuruar nga mjeshtri   i  kësaj teknike tek ne, piktori  H.Haliti  me punën time në akuarel “Valbona”,  që u prit mirë. Edhe nga gjenerata më të reja në Vlorë ka piktorë të talentuar në fushën e “Plein erit”  si A.Jakupi, E,Kojani, R. Runa, F.Zyberi, E, Ceci, E. Dine, etj. Ndjek vazhdimisht pikturën botërore dhe  vlerësoj,  rusët, Gregorash, Razumov, Volegov, Zaitcev, çiftin Ukrainas Mikael dhe Inesa Garmash, italianin Pino Daeni, etj. Në Galeritë Botërore piktura e kohës së “Rahjut të Tretë”  dhe ajo e “Realizmit Socialist” në Lindje koleksinohet sepse është dëshmi historike siç janë rrymat në Arkitekturë, ndërtimet gotike, baroke, bauhauzi et. Njoh dhe pikturën Amerikane me  piktorët Xhekson Pollok, Andi Wanderhool, Rothko, O.Kife ,  etj..

  1. A mund te jetosh sot me pikture?

Janë te rrallë ata që jetojnë vetëm me artin në Shqipëri , kryesisht ata që kanë emër nga monizmi. Si, S. Kamberi, N.Jonuzi,  P. Pervathi, A Dine, B.Kaceli, K.Buza, etj. Në Shqipëri shumë piktore punojnë në Abstrakt  me sukses si kolegu Arkitekt A.Golemi, ose piktori A.Theodhosi, etj. Por kanë publik të limituar pasi duhet kohë të ndryshosh shijet e njerëzve në  Art, veçanërisht ne arredimet e shtëpive ku roli Arkitekteve ne mobilim është përcaktues. Me te lehte e kane shqiptaret e Kosoves, Maqedonisë se Veriut,Malit te Zi  e gjetiu , të cilët kanë qenë hapur shume kohe  para botës dhe kanë piktorë të afirmuar  ne këtë leme si J. Ferri,Mulliqi etj. Në  akuarel adhuroj një piktor Korean dhe 2 piktorë të  tjerë,  njeri Indian dhe tjetri Rus. Uroj që Galeria  Kombëtare e Artit në Tiranë, të ketë një status të përcaktuar mirë ose Galeri ose Muze i Arteve te Bukura,  ku të përfaqësohet Arti  i  këtyre 30 – vjetëve në vendin tonë dhe prurjet  me autorët më në zë, si  dhe tendencat nga Arti  i  Diasporës, që kërkon studime të thelluara nga ekspertë të fushës dhe nga Akademia e Arteve në Tiranë. Edhe pa  Akademi të mirëfilltë O.Paskali është në majën e Artit Shqiptar të Skulpturës.  Sipas K.Trebeshinës, s`ka  censurë që  e censuron talentin. Kjo është provuar me I. Kadarenë  etj.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …