Albin Kurti

Albin Kurti para situatës më të rëndë, prej kohës kur me shumë entuziazëm filloi qeverisjen

Tani kur ka kaluar një vit e gjysmë qeverisje, kryeministri Albin Kurti ndodhet në një situatë pa rrugëdalje, në një gjendje së cilës i ka kontribuar vetë me të vetët, por e cila është edhe pasojë e mungesës së stabilitetit politik të vendit, pasi kemi “dreqin kojshi” dhe nuk bëjmë dot ashtu si duam dhe ashtu sikur do të duhej të bënim, të gjithë tok.

Qeveria Kurti ndodhet në një situatë pa rrugëdalje, pasi nga keqqeverisja, nga lufta që u ka shpallur të gjithëve, duke i thirrur në numrin 51 e duke injoruar 49-shin, duke bërë përpjekje të realizojë të paktën ndonjërin nga premtimet, sidomos ato në dialog me Serbinë, i gjendur edhe në rrethana të pavolitshme ekonomike për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të pasojave  të luftës në Ukrainë, që sollën krizën ekonomike dhe energjetike, Qeveria Kurti, nuk do të mund t’ ia dalë, jo sidomos duke injoruar dhe duke lënë jashtë, dhe duke stigmatizuar  49 përqindëshin e popullatës e cila nuk e ka votuar as i beson.

Situata në Veri është një “krizë e ngrirë”, prej pas mbarimit të luftës në Kosovë,  në qershor të vitit 1999 dhe sa herë që forcat politike apo institucionet e vendit kanë provuar “ta shkrijnë” janë lagur keq e më keq,  sepse në veriun e vendit,  prej 16 qershorit të vitit 1999 kur kanë zbarkuar forcat franceze të NATO-KFOR-it, nuk ka pasur administrim nga Kosova.

Veriu  i Kosovës, më saktësisht katër komunat me shumicë serbe,  janë “Vilajeti i errët i Serbisë”, të cilin e ka lejuar të funksionojë si të  tillë administrata ndërkombëtare në Kosovë, fillimisht KFOR-i, pastaj UNMIK-u e më vonë EULEXI. Të tri këto formacione të sigurisë janë të pranishme në Veri dhe do të jenë krejt derisa të definohet qartë statusi politik i kësaj pjese të Kosovës, me shumicë serbe.

Sa herë kanë prekur në veri përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë kthyer me humbje dhe kanë filluar  ta akuzojnë  për dështim, jo Serbinë,  por njëri tjetrin.

Veriu  i Kosovës për 24 vjet ka ndërtuar një identitet  të ri politik, ka gëzuar dhe gëzon një autonomi të plotë administrative, ka pastruar gati në tërësi  popullatën shqiptare, ka grumbulluar serbët e ikur nga Kosova dhe ka krijuar një shtet të pashpallur brenda Kosovës,  dhe,  nga viti në vit është lidhur fuqishëm me Beogradin zyrtar.

Ky është realiteti që nuk iu pëlqen krerëve të Kosovës, realiteti të cilin nuk e pranojnë, zotohen se kurrë nuk do ta pranojnë, por ai ekziston, funksionon, ka mbështetje si nga Beogradi ashtu edhe nga Brukseli, pse jo edhe nga të gjithë të tjerët.

Andaj përpjekja e Albin Kurtit për ta kthyer qeverisjen në Veri të cilën nuk e ka pasur askush deri tani, është  përpjekje e kotë, sepse  prej Urës së Ibrit  e tutje nuk është vetëm Beogradi, por në radhë të parë është e pranishme Moska, sidomos tani në këtë kohë përditë e më të pasigurt.

Kryeministri, Albin Kurti,  pas takimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar në Prishtinë, ka thënë se vendimet, të cilat i ka  marrë Qeveria e Kosovës për targat dhe dokumentet për hyrje-dalje do të fillojnë zbatimin nga 1 shtatori dhe se s’do të ketë më shtyrje. Në një intervistë për Al-Xhazira Kurti ka sqaruar se është takuar me gjeneralin e KFOR-it, Ferenc Kajari, po ashtu edhe me policinë dhe EULEX-in. Barrikadat nuk janë zgjidhje. Ka një mekanizëm shtetëror që do të reagojë, nuk është vetëm policia, por edhe forcat speciale të policisë dhe askush nuk mund ta ndalojë policinë speciale që të vijë në veri. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, ndodhet në Kosovë dhe nuk ka pasur kurrë më shumë sundim të ligjit në veri të Kosovës sesa tani”, tha Kurti.

Këto deklarata  të forta të Kurtit, janë krejt të pamatura, por Kurti tashmë ka mësuar se deklarata politike vlen për një moment, derisa të publikohet ajo e radhës. Se ku mbështet Albin Kurti kur bën këso deklarata ai e di vetë, por realiteti në terren është krejt tjetërfare.

Albin Kurti dhe stafi i tij tani e tutje do të ballafaqohen edhe me probleme, të cilat do ta rrënojnë nga brenda, edhe pse do të bëjë përpjekje për t’i shpërqendruar, duke u thirrur me rrezikun e luftës nga Serbia.

Grevat sindikale që aktualisht kanë filluar, rritja e pakënaqësisë sociale, inflacioni, rritja enorme e çmimeve pa kontroll, kriza energjetike me reduktime maksimale  kur tani jemi në verë, thellimi përditë e më tej i krizave, janë realiteti me të cilin do të merret Qeveria Kurti, e cila në vend të dialogut dhe marrëveshjes ka filluar kërcënimet e arrogancën, krejt kjo tregon se Qeveria tashmë e ka humbur davanë dhe ndodhet para kolapsit.

Kurti dhe askush në Qeverinë e tij, nuk duket se  ka një plan real të daljes nga kriza, sepse është vetë Qeveria që ka prodhuar krizën, është vetë Qeveria e cila nxjerrë në sipërfaqe probleme me të cilat nuk ka fuqi të ballafaqohet, është Qeveria që sundon me arrogancë, me mungesë mirëkuptimi, duke injoruar popullatën që nuk e ka votuar, duke rrahur gjoks për qeverisje të mirë, për luftë kundër korrupsionet me zyrtarë të vetë të korruptuar deri në fyt.

Kurti dhe kabineti i tij qeveritar nuk do ta ketë të gjatë, edhe pse opozita në Kosovë nuk është unike dhe nuk mund të ballafaqohet me ndërrimin e pushtetit, pasi nuk ka as synime, as siguri në vetvete. Në një situatë të tillë kriza dhe kaosi do të thellohen, përçarjet dhe lufta e brendshme do t i  shkojnë për shtati Serbisë dhe ne do të vendnumërojmë si gjithnjë,  duke akuzuar e duke fajësuar njëri tjetrin.

 

Ahmet Qeriqi

Krojmir

26.8.2022

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …