Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga partitë politike që të ulen bashkë për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të ri, në kohën kur sipas tij kanë mbetur edhe gjashtë ditë për të shmangur një skenar të ri zgjedhor. Duke folur në fillim të mbledhjes së Qeverisë, Kurti iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin tha se ka përcaktuar një normë të re sa i përket rrjedhës së afateve për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një marrëveshje me LDK-në, por pretendoi se ajo është shkelur dhe braktisur nga gjashtë deputetë të kësaj partie, pavarësisht se, sipas tij, marrëveshja kishte pasur mbështetjen e kryesisë së LDK-së. “Para nesh, po sot, kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re”, tha Kurti, duke u bërë thirrje subjekteve të tjera politike që të zhvillojnë bisedime. “Le të ulemi bashkë”, u shpreh ai. Kurti paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. Sipas tij, një proces i tillë nuk do ta zgjidhte domosdoshmërisht çështjen e Presidentit dhe do të sillte paqartësi të reja institucionale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
