Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ua ka dërguar deputetëve të zgjedhur ftesat për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të enjten, më 6 gusht, duke filluar nga ora 10:00. Bashkë me ftesën është përcjellë edhe rendi i ditës i seancës së parë të legjislaturës së re. Sipas rendit të ditës, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve, ndërsa më pas do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pika e fundit e seancës është zgjedhja e pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Thirrja e seancës është bërë në përputhje me nenin 66, paragrafi 3, të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se ushtruesi i detyrës së presidentit thërret seancën e parë të Kuvendit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Seanca konstituive do të drejtohet nga deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri i legjislaturës. Sipas Kushtetutës, kandidatin për kryetar të Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, ndërsa ai zgjidhet me të paktën 61 vota të deputetëve. Më pas, Kuvendi duhet të zgjedhë edhe pesë nënkryetarë, tre prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
