Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka deklaruar se kriza aktuale institucionale nuk është rastësi, por pjesë e një skenari politik të planifikuar që, sipas tij, synon ta çojë vendin në zgjedhje të reja pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Abazi tha se shtyrja e seancës konstituive deri në ditën e fundit të afatit kushtetues dëshmon mungesën e seriozitetit për krijimin e institucioneve. Sipas tij, Kuvendi do të konstituohet vetëm formalisht, ndërsa më pas do të dështojë zgjedhja e presidentit, çka do ta fusë Kosovën në një krizë të re politike dhe do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Abazi akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po tenton t’ua bartë përgjegjësinë partive të tjera, ndonëse, sipas tij, barra për krijimin e institucioneve bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve. Ai i cilësoi si “lojë frazash” deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje se ka votat për formimin e qeverisë, por jo për zgjedhjen e presidentit, duke argumentuar se një qasje e tillë shërben vetëm për të nisur një fushatë të re elektorale dhe për të shmangur përgjegjësinë politike. Duke komentuar situatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Abazi tha se rizgjedhja e Lumir Abdixhiku nuk i ka zgjidhur përçarjet e brendshme të partisë. Sipas tij, ndarjet mes deputetëve e bëjnë të pamundur garantimin e votave për një marrëveshje eventuale me LVV-në. Ai shkoi edhe më tej, duke pretenduar se strategjia e Kurtit nuk është krijimi i institucioneve, por dobësimi politik i LDK-së deri në margjinalizimin e saj në skenën politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
