Edi Rama promovon mjetet ushtarake “Made in Albania”: Gati për ushtrinë shqiptare dhe eksport në 30 shtete

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka promovuar prodhimin e parë të mjeteve ushtarake “Made in Albania”, duke e cilësuar atë një arritje të rëndësishme për industrinë shqiptare të mbrojtjes dhe modernizimin e Forcave të Armatosura. Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook më 1 gusht, Rama bëri të ditur se mjetet ushtarake janë prodhuar sipas standardeve të NATO-s dhe se kompania TIMAK Defence do të mbulojë nevojat e ushtrisë shqiptare brenda 30 muajve. Ai njoftoi gjithashtu se kompania ka lidhur marrëveshje për eksportimin e këtyre mjeteve në 30 vende të botës. “Me krenarinë e prodhimit të parë të ‘Made in Albania’, të mjeteve ushtarake sipas standardeve të NATO-s… kompania TIMAK Defence do të plotësojë nevojat e të gjithë ushtrisë shqiptare brenda 30 muajsh dhe ka lidhur marrëveshje me 30 vende për eksportin e tyre”, u shpreh Rama. Një ditë më parë, më 31 korrik, Shqipëria dorëzoi 40 mjetet e para taktike të prodhuara në vend për Forcat e Armatosura, në një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi këtë një ditë krenarie për industrinë shqiptare të mbrojtjes, duke theksuar se mjetet janë të teknologjisë së fundit dhe përmbushin standardet më të larta të NATO-s. Sipas tij, deri në fund të këtij viti pritet të prodhohen edhe 50 mjete të tjera, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve prodhuese do të vijojë gjatë vitit 2027.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së kundërshton çdo iniciativë për procese të reja në Hagë ndaj UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj çdo përpjekjeje për hapjen …