Ali Ahmeti iu drejtohet maqedonasve: Shqiptarët janë për një Maqedoni unitare, të përbashkët dhe të barabartë

Me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshje Paqësore të Ohrit, me të cilin filluam të ndërtojmë së bashku një Maqedoni unitare dhe të barabartë, vendosa t’i drejtohem popullit maqedonas.
Në vitet e gjimnazit, kërkojw të drejta për popullin tim dhe u persekutova, duke u detyruar të largohem nga vendlindja dhe për mbi 20 vjet të veproj jashtë vendit.
Mua dhe bashkatdhetarëve të mi na cënoheshte gjuha shqipe, flamuri kombëtar, e drejta për barazi, e drejta për të ekzistuar nga doktrina “Maqedonia e maqedonasve”.
As atëherë e as sot nuk kam asnjë shtet rezervë. Nuk kam atdhe tjetër. Stërgjyshi dhe gjyshi im, babai dhe nëna ime prehen në Zajaz të Kërçovës.
Përkundër të gjitha sulmeve, gjithë propagandës në 24 vitet e fundit me të cilat jeni përballur, dua të bëj një deklaratë pa ekuivoke dhe të qartë se unë dhe shqiptarët, dje, sot dhe nesër, angazhohemi për një Maqedoni unitare, të përbashkët dhe të barabartë, as timen përsëri, as tuajën përsëri, por gjithmonë Maqedoninë tonë.
Pavarësisht se këtë e dinë Cërvenkovski dhe Gruevski, Zaev dhe Mickovski, e dinin edhe paraardhësit e tyre, në vitet tona të rinisë, të gjithë ne që guxuam të flisnim dhe punonim për barazi, u persekutuam për separatizëm, nacionalizëm, shovinizëm dhe sot e njëjta qasje përsëritet në mënyrë të sofistikuar me persekutim dhe shpifje për krime të supozuara nga të njëjtit që qytetarët i shohin si qytetarë të rendit të parë, të dytë, të tretë dhe besojnë se shteti u përket vetëm atyre.
Frika e rreme u mboll qëllimisht dhe rrejshëm dhe vazhdon t’u imponohet qytetarëve maqedonas për armiq inekzistent tek shqiptarët nga elitat politike me qëllim për të qeverisur duke abuzuar me frikën e imponuar dhe jo duke avokuar për një të ardhme të përbashkët.
Me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ne shtrënguam duart, i dhamë fjalën dhe Besën njëri-tjetrit, se do të ndërtojmë një atdhe të përbashkët, të barabartë dhe euroatlantik.
Nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë, ka pasur rezistencë, refuzim, më së tepërmi nga një botëkuptim i imponuar gabimisht se dikush fiton, e dikush tjetër humb. Ky imponim bëhet nga disa elita politike që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, jo për gjeneratat e ardhshme.
Unë i përkas atyre që punojnë për brezat e ardhshëm.
Kryeministra dhe akademikë më ofruan ndarjen e Maqedonisë, nuk pranova.
Kanë shpifur vazhdumisht ndaj meje, se jam gjoja bashkëpunëtor i shërbimeve serbe me dosje të falsifikuara, deri në akuza për korrupsion, por qytetarët gjithmonë kanë vendosur të na përkrahin.
Unë dhe kolegët e mi gjatë 24 viteve të fundit kemi punuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, për të integruar vendin në NATO dhe BE, për të ndërtuar autostrada, universitete, spitale, kopshte, shkolla, institucione, për të marrë përgjegjësinë për shtetin e përbashkët dhe për të treguar se përfitimet më të mëdha nga barazia janë për qytetarët dhe vendin.
Është dëshmuar se kur shteti është besnik ndaj qytetarëve të tij, edhe qytetarët janë besnikë ndaj shtetit të tyre.
Jam i vetëdijshëm që këto politika nuk janë populiste, por janë shtetformuese. Këto angazhime mund të mos sjellin një fitore të garantuar në zgjedhje, por sigurojnë një të ardhme për të gjithë.
Të rrallë janë liderët në shoqërinë tonë që i rezistojnë tundimit për të kapur valën e nacionalizmit dhe populizmit për një fitore afatshkurtër të Pirros me pasoja të mëdha negative për shtetin dhe shoqërinë.
Fatkeqësisht, ne jemi dëshmitarë se mund të shkojmë mbrapa. Jemi dëshmitarë se është e mundur të harrojmë të kaluarën dhe të përsërisim gabimet në të tashmen që do të na kushtojnë në të ardhmen, të gjitha për shkak të motiveve sipërfaqësore.
Në këtë 24-vjetor, përballë fushatave të përsëritura shpifëse dhe prezentimit qëllimisht negativ dhe tendencioz para popullit maqedonas, vendosa t’i drejtohem drejtpërdrejt, sinqerisht dhe t’i shtrij dorën popullit maqedonas, për bashkim, në mbrojtje të gjuhës maqedonase dhe shqipe, në mbrojtje të identitetit, të veçorive tona, të njëri-tjetrit, së bashku për Maqedoninë evropiane.
Shqiptari asnjëherë nuk e ka kontestuar gjuhën dhe identitetin maqedonas, historinë dhe kulturën, fenë dhe shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kërkoj dhe pres që populli maqedonas të respektojë veçoritë e popullit tim dhe përfundimisht dhe pa paragjykime të kuptojë se nga barazia nuk humbet asgjë, përkundrazi fiton shumë.
Ata thoshin se Marrëveshja e Ohrit do ta shkatërrojë Maqedoninë, se të drejtat e shqiptarëve do të federalizojnë vendin, se maqedonasit që nuk flasin shqip do të ndëshkohen, se dygjuhësia është fundi i vendit, se me një kryeministër apo kryetar shqiptar, Maqedonia do të zhduket, se korridori 8 po ndërton një Shqipëri të madhe, se maqedonasit janë pakicë në qeveri.
Sot, 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, është e qartë se e gjithë propaganda e mësipërme është mposhtur, Maqedonia ekziston, është anëtare e NATO-s dhe është e destinuar për një të ardhme evropiane për të cilën duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku.
Prandaj, të nderuar bashkëqytetarë, vetëm së bashku, me respekt të ndërsjellë, pa paragjykime dhe me përkushtim të sinqertë ndaj njëri-tjetrit, mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, që do të mbrojë vlerat evropiane në një vend dhe rajon të integruar evropian.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …