Ali Ahmeti

Ali Ahmeti, shqiptari më fanatik i mbrojtjes së Maqedonisë, madje më fanatik se vetë VMRO-DPMNE

Në kuadër të fushatës për Referendum, Bashkimi Demokratik për Integrim ka realizuar dhe po realizon takime të shumta me anëtarë të partisë dhe qytetarë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të Dollnenit u shpreh se nëse ka një moment që i bashkon të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë duhet të jetë 30 shtatori kur do të vendoset për  ardhmërinë. “Shqiptarë, maqedonas, turq, boshnjakë, romë, serbë, të gjithë bashkë duhet të jemi në këtë proces, sepse  më 30 shtator dhe të votojmë PËR  Maqedoninë Evropiane. Ky është vetëm një fragment nga fjalimet patetike të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, i cili me vrull e zell iu ka përkushtuar dhe po i përkushtohet ruajtjes së Maqedonisë. Më shumë se vetë sllavo-maqedonasit.

Qëndrimi i lakueshëm  i Ali Ahmetit nuk ka si të mos na kujtojë shembuj të tillë nga e kaluara pacifiste shqiptare.  Të fillojmë nga stigmatizimi që Noli i Madh,  i bën Faik Konicës lidhur me Zogun:

Dhe Feridi faqe ndërron,

Dje shante, sot lëvdon

Fryn bulçitë e trumbeton,

Që Katrani zbardhëllon.

 

A nuk ishte ky, Ali Ahmeti që nisi luftën kundër forcave sllavomaqedone në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për të nënshkruar më pas  një marrëveshje të dëmshme, pikërisht në kohën kur forcat tona çlirimtare po përgatiteshin për ta marrë Shkupin, dhe kur komandanti i NATO-s, në verë të vitit 2001, kishte bindur Qeverinë e Shkupit të pranonte marrëveshjen, duke iu bërë me dije se kurrë nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve.

Ai Ahmeti, prej kohës kur nënshkroi Marrëveshjen e Ohrit, në gusht të vitit 2001 e deri tani është, përkujdesur në radhë të parë për Maqedoninë, për ta ruajtur atë shtet të bashkim vëllazërimit, ku shqiptarët trajtohen vetëm si minoritet, krahas atyre të tjerëve që ai  i përmend,  turq, boshnjakë, romë e serbë. Natyrisht se shqiptarët që përbëjnë 30 për qind të popullatës, janë në vendin e parë të minoriteteve, dhe ky përfaqësim e kjo pozitë duket se e ngazëllen për së tepërmi , Ali Ahmetin, besnikun e shtetit artificial të AVNOJ-it, nostalgjikun e bashkim-vëllazërimit, të cilin e kishte luftuar dikur, jo vetëm deklarativisht.

“Nostalgjia” e tij nuk ka si të mos na kujtojë edhe shqiptarët e kohës së Sulltan Hamidit, të cilin turqit e kishin rrëzuar nga froni, por jo pak shqiptarë ishin nisur këmbë për në Selanik, me qëllim që të shkonin të Stamboll dhe ta rivendosnin Sulltanin sërish në  post.

Ai Ahmetit më shumë i intereson ruajtja e Maqedonisë sesa bashkimi i shqiptarëve me një Shtet, më shumë sesa i intereson Kosova dhe Shqipëria bashkë.

Ku e ka hallin Ali Ahmeti?

Pse të jetë dashuruar Ali Ahmeti aq shumë në një shtet që ua ka punuar shqiptarëve të gjitha të ligat e të zezat, të cilat i di çdokush, i di edhe ky vetë. Përse tregohet kaq entuziast për Maqedoninë  artificiale, të cilën nuk e ruan dot nga shpërbërja emri i ri Maqedonia  e Veriut. E di mirë Ali Ahmeti se kjo krijesë artificiale, në thelb bullgare është themeluar duke  i rrudhur dy vilajete historike  shqiptare, të Manastirit dhe të Kosovës.

Pse po tregohet kaq i zellshëm për ta ruajtur Maqedoninë, ky tani politikan  që kishte luftuar kundër po kësaj Maqedonie, shtet i krijuar dhunshëm mbi tokat shqiptare e bullgare?

Të paktën pse po deklarohet kaq entuziast?

A e di mirë Ali Ahmeti se sa qindra mijëra shqiptarë  i ka  shpërngulur  për në Turqi, pikërisht Maqedonia, në të cilën aq shumë është dashuruar ky politikan që është në gjendje të sakrifikojë gjithçka, por në asnjë mënyrë postin e tij dhe fjalët e mëdha patriotike politike.

Fushata, që ai ka zhvilluar dhe po zhvillon për Referendumin lidhur me emrin e ri të Maqedonisë, është anakronike, sepse kurrfarë fitimi nuk i sjellë kombit as çështjes shqiptare përgjithësisht, përveç se politikisht “legjitimon” kufijtë e një shteti me përqindjen më të madhe sllave,  mbi trevat historike dhe etnike shqiptare.

Zelli i tepruar i Ali Ahmetit për ta ruajtur me çdo kusht Maqedoninë, tregon miopinë e tij politike, sepse në zgjedhjet e ardhshme, në këtë shtet artificial sllav, fare lehtë mund të fitojnë forcat nacionaliste të VMRO-së dhe Ali Ahmetit e ithtarëve do të tij do t i “rrudhet” edhe gjuha shqipe e lërë më favoret e tjera, pavarësisht se do të bëjë koalicion me ato forca sikur ka bërë,  jo vetëm njëherë.

Pretendimet e tij për t’u treguar politikan largpamës,  i moderuar dhe i evropianizuar, duke konsideruar BE-në si kulmin e botës, janë pretendime të një euforie që tregon papjekuri të skajshme politike, sepse asnjëherë deri tani BE-ja nuk ka dhënë shembuj konkret se ka qasje të drejtë ndaj shqiptarëve, ndërsa ka dëshmuar dhe e thotë hapur se kufijtë janë të paprekur dhe pakicat si ajo shqiptare në Maqedoni duhet t’i i gëzojë të drejtat sipas kushtetutës.

 Çka ka të re, këtu, në Evropë sa i përket çështjes shqiptare?

Realisht nuk ka asgjë të re dhe këtë e di po kaq mirë edhe Ali Ahmeti.

Duket se Ali Ahmeti ka një hall tjetër. Më këtë përkushtim të tij për Maqedoninë evropiane, ai mundohet ta përforcojë filozofinë e tij politike se e vetmja rrugë e drejtë paska qenë dhe qenka ajo rruga e tij dhe jo e kundërshtarëve, jo e atyre që mendojnë ndryshe. Duke mbështetur fuqishëm  këtë filozofi, Ali Ahmeti  po përpiqet të mbyll disa veprime të  papëlqyeshme që kanë ndodhur në të kaluarën e tij, në raport edhe me shokët e tij të luftës, dhe me të gjithë ata që mendojnë se primare për çdo shqiptar atdhetar, është bashkimi i tyre në një shtet të vetëm, pavarësisht se po u dëmtuaka Maqedonia, Serbia, Mali i Zi apo Greqia.

Kam prirje të besoj se kjo dalldi e tepruar e Ali Ahmetit po ia ndjellë të ligën Maqedonisë, e cila në Kushtetutën e saj njeh popullin artificial maqedonas si shtet-formues dhe jo shqiptarët e ngazëlluar e të dalldisur si Ali Ahmeti e shumë pacifistë të tjerë që kanë përfituar favore nga lufta dhe janë në gjendje të bëjnë e të nënshkruajë gjithçka për  t’i ruajtur ato.

 

Është rast i mirë dhe mjaf domethënës  për të lexuar në fund poezinë e Nolit të madh, i cili satirizon politikanët shqiptarë të kohës së tij, idealistët e shpifur që ndërrojnë sipas motit, ndërsa zellin e dalldisjen për pushtet i kanë alfën dhe omegën e tyre. Poezia nuk i referohet vetëm Ali Ahmetit, por gjithë politikanëve tanë aktualë në Shkup Tiranë dhe në Prishtinë. (Ahmet Qeriqi)

 

Fan Noli: Kënga e Salep Sulltanit

 

Një mexhlis të math na çeli

Pandeli Jano Vangjeli

Me Sulltan-llokum na veli

Si kofini pas të vjeli.

 

Fyt’ i Floqit po pëllet

Top’ i Krosit po kërcet:

Ç’është ky sheqer-kësmet?

Hallvaxhin’ e pamë mbret!

 

Dhe rakia vete-vjen

Xhafer Ypi na mbërthen

Dhe për lot na mallëngjen

Rreth konopit me legjen.

 

Koço Kotta, mjek hanxhari,

Nis një valle palikari,

Se me një ferman kusari

Sadrazem u-bë firari.

 

Dhe Feridi faqe ndron,

Die shante, sot lëvdon

Fryn bulçit’ e trumbeton,

Që Katrani zbardhëllon.

 

Dhe sarhosh Iljas Vrioni

Dehet, siç e do zakoni,

Bërtet: “Rroftë Napoloni!

Kështu tha dhe Ksenofoni!”

 

Se ç’ u-çporr xhumhurieti,

Se ç’u-rahatos mileti,

Se Sulltanin prap’ e gjeti,

Se, që kur e humbi, s’fjeti!

 

Ç’ka sepse i vjetri qe

Madhështor sa një deve

Dhe ky s’bën as për meze!

Rroftë sa jep ylefe.

 

Se ç’ na u-gëzua xhani,

Se ç’na preu Ramazani,

Se ç’ na piu Italjani,

Rroftë pra Salep-Sulltani!

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …