Anashkaohet përfundimisht “pakoja” e Ahtisarit ( Koment redaksional i RKL-së)

 


“Përfaqësuesi evropian në Treshen ndërmjetësuese për statusin e Kosovës, Volfgang Ishinger, përmes një interviste dhënë gazetës së njohur londineze “The Independent”, ka njoftuar se Treshja ndërkombëtare ka pranuar kërkesën e Beogradit, që plani i Ahtisarit të mos jetë bazë për procesin e negociatave shtesë ndërmjet dy palëve”.

Procesi, lidhur me përcaktimin e statusit politik të Kosovës po vazhdon, ashtu sikur po vazhdon edhe ndikimi gjithnjë e më i fortë i Rusisë në vendimmarrje lidhur me përcaktimin e këtij statusi. Rusia dhe Serbia kanë arritur të marrin përkrahje edhe nga një pjesë e vendeve anëtare të BE-së, sidomos nga Franca, Spanja, Holanda dhe Gjermania.
Aktualisht Kremlini, me qëndrimin tashmë të njohur kundër pavarësisë së Kosovës, ka arritur ta imponojë formën dhe përmbajtjen e bisedimeve, të imponuara për palën negociatore kosovare, ndërsa shumë të preferuara dhe më se të dëshiruara për palën serbe.
Lajmi, se Treshja ndërmjetësuese negociatore ka marrë qëndrim për ta përjashtuar përfundimisht pakon e Ahtisarit, qoftë edhe si zgjidhje rezervë, lë për të kuptuar shumë. Këtë formë të presionit të fortë diplomatik, në njëfarë mënyre po e aprovon edhe Amerika edhe pse në heshtje dhe gjithsesi në defensivë, për shkak të problemeve tejet të rënda të luftës në Irak.
Rusia, tashmë po imponohet sheshazi si faktor vendimmarrës, duke tërhequr prapa “trojkës” edhe disa shtete evropiane, të cilat në dimër të vitit 1999 patën kundërshtuar sulmin e NATO-s kundër makinerisë së krimit serb.
Kremlini po i “hakmerret” NATO-s për intervenimin kundër ish-Jugosllavisë. Kjo formë e hakmarrjes të përkujton kohën e “Luftës së ftohtë” mes Lindjes e Perëndimit, në kohën kur Bashkimi Sovjetik kishte shtrirë influencën dhe hegjemoninë kolonialiste në një pjesë të madhe të shteteve të botës dhe në Evropë.

Rikthimi i Rusisë në skenën ndërkombëtare, përmes Kosovës nuk është një rastësi, por një potez i luajtur me shumë mjeshtëri nga ana e Kremlinit, në kohën kur politika e përgjumur shqiptare, e mësuar me pritje, zvarritje, ndasi, përçarje e pse jo edhe çoroditje, tashmë ka humbur përfundimisht avantazhin, që e kishte dikur për ta zgjidhur statusin e Kosovës, qysh në vitin 1999.
Për këtë zvarritje afër nëntë-vjeçare nuk na ka faj Beogradi, as Moska, por fajin kryesor dhe të vetëm e ka i ashtuquajturi lidership i Kosovës dhe kreu i shqiptarëve në përgjithësi, meqë shumica e qytetarëve të vendit tonë, fitoren kundër pushtimit serb ia atribuoi NAT0-s dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke injoruar faktorin UÇK, forcën bazë dhe të përgjithshme të rezistencës shqiptare kundër kolonializmit dhe hegjemonizmit fashist serb.

Nuk do të marrim në shqyrtim kësaj radhe fajtorët, të cilët e sollën këtë gjendje, sepse ata kanë mbetur dhe vazhdojnë të mbesin në skenën tonë të mjerë politike, vetëm duke u treguar vazhdimisht të gatshëm për t’ i zvarritur proceset dhe vetëm duke qenë kurdoherë servilë, të dëgjueshëm, të përdorshëm në çdo situatë, sa herë që kërkon faktori vendimmarrës ndërkombëtar. Këta janë të varur jo vetëm nga Amerika, e cila po shihet fare qartë se nuk është më faktori kryesor ndërkombëtar që do të vendos për fatin dhe statusin e Kosovës.
Të ndodhur përballë kësaj gjendjeje stagnuese dhe degraduese, liderët tanë politikë dhe përfaqësuesit e institucioneve kanë filluar të merren me procesin zgjedhor, duke filluar të luajnë lojën “kush kë po e mund”, kush, sa do të fitojë, duke lidhur aleanca jo për fatin e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, por aleanca për të fituar ndonjë votë më shumë, ndonjë post më shumë, ndonjë favor më shumë. Dhe, përderisa në Kosovë mbretëron kjo gjendje, përderisa kreu politik merret me organizmin e zgjedhjeve dhe fuqizimin e klaneve të ngushta, qoftë edhe brenda partisë, përderisa shqiptarët e pa interesuar apo të pa informuar sa duhet po bëhen gati sërish të marrin pjesë në fushatën zgjedhore, procesi i zgjidhjes së statusit politik do të degradohet edhe më tej, dhe nuk do të jetë fare befasi nëse kjo klasë politikanësh do të pranojë cilindo status për Kosovën, status i cili një ditë do të imponohet nga faktori vendimmarrës ndërkombëtar, aktualisht jo më me fuqinë e dikurshme ekzekutive të Amerikës të kohës së kryetarit Klinton, por në rrethana kur tashmë gjërat kanë ndryshuar, por jo në të mirë të Kosovës.
Edhe kohët kanë ndryshuar, ashtu sikurse edhe raporti i forcave në vendimmarrjen ndërkombëtare, por politikanët tanë ose nuk po e kuptojnë këtë, ose po punojnë nën rrogoz, për qëllime që vështirë mund të maskohen.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …